Retail “Made in Albania” » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 27/10/2015

Retail “Made in Albania”

Share
nga Klodiana Kola
Tet 27, 2015
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Në lagjen ku unë jetoj ndodhet një supermarket i cili për hir të së vërtetës dikur ka ekzistuar vetëm në formën e një dyqani fruta-perimesh. Nuk e di si rrodhën vitet dhe shumë shpejt ai vend u transformua në një supermarket të mirëfilltë me emër të konsoliduar, me frekuentim shumë të lartë, me logon e vet të thjeshtë gjenerike, stafin etj. etj.

OK… më duhet ta theksoj që është një biznes familjar, por ai konkurron denjësisht me ato 3-4 emra zinxhirësh supermarketesh që operojnë po në lagje dhe që shpenzojnë me mijëra euro në vit për fushata publicitare. Fakti që punoj në fushën e komunikimit marketing, jo domosdoshmërisht do më bënte të bija dakord me postulatin që “po s’pati fushatë nuk do të ketë shitje”. Mjafton një kundërshembull për ta hedhur poshtë një hipotezë. Megjithatë nuk mund të mohoj që mes nesh dhe njerëzve të shitjes ka përherë debate të fuqishme në lidhje me këtë temë.

“Supermarketi anonim” (unë preferoj ta quaj kështu) ka operuar suksesshëm përmes “word of mouth”. Ky është një nga ato rastet tipike ku e gjithë familja mund të quhet jo e angazhuar, por e përkushtuar në biznes dhe për mendimin tim përfaqësojnë një rast të shkëlqyer të vetëpërmbushjes në biznesin familjar. Pse e them këtë? Sepse këta individë me siguri janë përmirësuar dhe kanë evoluar në konceptin e të bërit biznes. Ky fakt padyshim është reflektuar edhe në perceptimin që kanë krijuar konsumatorët ndaj shërbimit dhe ka ndikuar edhe në atë që quhet “mbajtja e konsumatorëve dhe rikthimi i tyre”.

Janë detajet e vogla ato që në mos lënçin të kuptosh gjithçka, së paku do ta kesh mundësinë për të nuhatur diçka.

Një ditë më duhej të blija në supermarket dhe po nxitoja të merrja produktet që më duheshin (është me vlerë ta them që në këtë vend nuk ndodh në asnjë ditë të vitit që të gjesh pluhur mbi rafte, mbi produkte, apo të ndjesh ndonjë aromë të keqe brenda ambjentit, apo edhe më keq që nuk të duhet ti fusësh ti produktet nëpër qese ndërkohë që nxiton të nxjerrësh edhe paratë nga xhepi kur klienti pas teje në rradhë të shikon me inat??).

Pasi mora ç’më duhej natyrisht ndala tek kasa, por m’u desh të qëndroja pak më shumë sesa koha e zakonshme për kryerjen e veprimeve, pasi një nga drejtuesit e supermarketit (i cili po kryente vetë edhe veprimet e arkës) po bënte një debat mjaft interesant më një përfaqësues shitjesh (apo menaxher) të një kompanie distribucioni

– Drejtuesi i Supermarketit: “Të lutem, që të mos vonojmë dhe klientin po t’i them shpejt e shpejt ato që më duhen”

– Menaxheri i distribucionit (mbështetur pas murit): “Po”

– Drejtuesi i Supermarketit: “Më duhen xxx sasi nga produkti A. Do të lutesha të mos ma sillje më shpërndarësin xxx pasi është shumë konfliktual në komunikim. Duhet të shikoni pak çështjen e skandencës së produktit B. Gjithashtu do më sjellësh sasi nga produkti C, por me ato paketimet e reja që ti vendosim në raftin ku ju kërkuat.”

-Menaxheri i distribucionit: “Po”

-Drejtuesi i Supermaketit: “Unë të thashë një listë me gjëra shumë të rendësishme dhe ti nuk mbajte fare shënim?! Nëse nuk do të mbash shënim eja një ditë tjetër se kjo bisedë për mua s’ka vlerë!

Mendova me vete ekzistencën e e-mailit që do ti lehtësonte jetën të dyja palëve dhe ula sytë instiktivisht tek duart e menaxherit. Pashë që mbante një bllok në dorë ndërkohë që qeshte ….

Gjatë dy dekadave të fundit sektori i shitjes me pakicë dhe distribucionit ka evoluar ndjeshëm. Nga një treg i hershëm kaotik me qindra dyqane të vogla lagjeje, tashmë ai është konsoliduar si në aspektin e strukturës së shitjes ashtu edhe në atë të shpërndarjes. ….Ka ende vend për përmirësim.