Lidhja emocionale me markën. Çfarë mund të mësoj rreth një marke të suksesshme duke parë një serial për fëmijë? » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 16/10/2015

Lidhja emocionale me markën. Çfarë mund të mësoj rreth një marke të suksesshme duke parë një serial për fëmijë?

Share
nga Klodiana Kola
Tet 16, 2015
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Kur bëhet fjalë për të gjetur frymëzim për atë që bën në përditshmëri, por edhe në punën tënde (sidomos nëse puna jote ka të bëjë me kreativitetin), nuk ka gjë më të mirë sesa ti referohesh kinematografisë. Përgjithësisht në profesionin tonë (kjo edhe për faktin e avancimit të tekonologjisë)  shpesh herë zgjedhim që frymëzimin ta marrim më shumë përmes imazheve sesa  librave edhe pse unë vetë jam partizane e të lexuarit. Me pak fjalë një film është një lloj produkti që të bën të ndihesh ndryshe, ndërsa një libër është një dimension që ta ndryshon mënyrën e të jetuarit.

Disa nga leksionet më të mira rreth komunikimit marketing më rastis t’i marr duke iu referuar shembujve që nuk i përkasin fushës sime. Këtë rradhë dua të flas për një serial të animuar, një markë që krijon emocion, por që në syrin e hollë të vëzhguesit të jep leksione të paçmueshme rreth asaj se si duhet të ndërtohet një markë.

Cili është sekreti që e bën markën të dashur për audiencën, por mbi të gjitha si arrihet që efekti të jetë viral? Gjithmonë kam menduar që është shumë herë më mirë që leksionin tënd ta marrësh në mënyrë argëtuese sesa skolastike.

Masha dhe Ariu www.mashathebear.com është një serial i animuar për fëmijë, me 52 episode (prodhim i Animaccord Studio), i vlerësuar me çmime për talentin dhe kreativitetin. Një nga episodet e tij (Recipe for Disaster), renditet i 19-ti ndër videot më të klikuara në Youtube në të gjitha kohërat, me 850 milion shikime. Seriali rus mban vulën e një marke ruse, lartëson vlerat dhe identitetin siberian, evokon të kaluarën me detaje të vogla, përdor magjinë duke na vënë përpara një çamarroke të vogël me sy kristali dhe një ari babaxhan antropomorf me identitet mes burrit dhe gruas.

Unë kënaqem pa masë duke e parë dhe kam mësuar shumë rreth një marke të suksesshme duke ndjekur episodet bashkë me vajzën time 2 vjeçare…

  • Shumë Fantazi dhe Strategji … në rast se një markë nuk mbështetet në këto shtylla atëherë ka rrugë shumë të gjatë për të bërë!
  • Një markë bëhet e dashur nëse vendoset shpirti gjatë konceptimit të saj. Mediokriteti dhe cektësia konceptuale nuk do të prodhojnë gjë tjetër përveçse një markë të zakonshme.
  • Buxheti, buxheti, buxheti … si mund të konceptosh një markë të fuqishme dhe të suksesshme pa shpenzuar para në mënyrë të zgjuar?
  • Mos harroni rrënjët tuaja … nuk e di pse por përpjekja për tu dukur më evropianë se vetë evropianët është një fenomen që i ka dëmtuar përherë ballkanasit. Jemi nacionalistë me mendësi arkaike, globalistë të çorientuar, kopjojmë dhe shtypim poshtë rrënjët tona që na bëjnë unikë.
  • Perfeksionimi i pandalshëm nga dita 1 e lançimit … episodet e para të këtij seriali ndryshojnë shumë nga ata që pasojnë: animacioni nuk është shumë i shpejtë, ngjyrat janë të errëta dhe ambjenti është disi i ftohtë. Ndryshimet grafike që ndodhin deri në serinë 52 janë magjike për të mos thënë super-fantastike.
  • Less is more…nuk ka nevojë për shumë fjalë që mesazhi të kuptohet qartë. Gjestikulacioni, ngjyrat, vështrimet dhe qëndrimi shkaktojnë emocione.
  • Kujdesi për detajet nuk e bën imazhin e një marke të mërzitshëm, përkundrazi e bën markën unike dhe të suksesshme. Arësyeja që i shtyn njerëzit ta shohin dhe ta rishohin këtë serial janë pikërisht detajet e vogla deri në imtësi, që e dallojnë nga serialet e tjera.
  • Muzika origjinale me të cilën asociohet imazhi i markës do të bëjë që ajo të ngelet gjatë në kujtesë.
  • Qëllimi është edukimi …. Nëse harroni misionin/pasionin për të cilin jeni nisur (përveçse të bëni para’), atëherë do të jetë e vështirë të arrihet suksesi.
  • Një vizionar i suksesshëm ka ide të qarta dhe merr në anijen e tij më të talentuarit!

Në rast se do të vendosni të njiheni me këtë markë origjinale, ju sugjeroj që episodet t’i ndiqni në versionin origjinal në rusisht (Masha i Medved), pasi do të humbisnit shumë emocione nga dublimi në anglisht.

Ju ftoj t’i ndiqni episodet e “Masha and the Bear”. Ndoshta do të zbuloni diçka interesante për profesionin tuaj sikurse unë.