Femrat (që) krijojnë Startups jashtë “garazhdit” » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 15/04/2016

Femrat (që) krijojnë Startups jashtë “garazhdit”

Share
nga Klodiana Kola
Pri 15, 2016
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Jo të gjitha sipërmarrjet mund të shkëndisin domosdoshmërisht brenda një garazhdi, për më tepër nuk ka pse të jetë patjetër prerja e Steve Jobs me një Steve Wozniak në hije.

Dua ti dedikoj një shkrim femrave sipërmarrëse që na frymëzojnë me përkushtimin dhe sakrificat e tyre të paimagjinueshme. Atyre femrave, që ndryshe nga stereotipi i gruas në biznes që po na serviret lokalisht nëpër revista, televizione, nuk janë “manekine” që sillen sikur i ka rënë biznesi nga qielli direkt e në duart e tyre delikate dhe të mbushur plot bizhu…

Joy Mangano është tipi gruas që nuk dorëzohet kurrë. E divorcuar me 3 fëmijë, me prindër të divorcuar, me edukim të lënë përgjysëm për të ndihmuar të atin në punishten e tij të “hekurishteve” është pikërisht ajo tip gruaje që në Shqipëri do të përfundonte ose e mjegulluar prej turpit të divorcit, ose e nënvlerësuar prej shoqërisë sonë mospërfillëse.

Nuk ma merr mendja kurrë që ndonjë mashkulli do t’i lindte në mendje një produkt inovativ ndërkohë që do të pastronte dyshemenë e shtëpisë dhe të mbante mbi kokë hallet e gjithë familjes.  E njohur si shpikësja e produkteve shtëpiake praktike , Mangano njihet më së shumti për “Miracle Mop” (shtupa e mrekullueshme e dyshemesë), një produkt që pas shumë përpjekjesh u lançua në treg me sukses. Me kosto të zhvillimit të produktit prej 100,000 dollarë të cilat ajo pjesërisht i kishte kursyer dhe pjesërisht marrë borxh, arriti të prodhonte 100 copë prototip.

Mangano nuk arriti dot ta nxirrte në shitje produktin e saj inovativ në dyqanin e lagjes, sepse hapësirat e reklamimit në vitrinë ishin të zëna nga kompanitë e mëdha. Ajo u përpoq ta demonstronte produktin përpara supermarketit të zonës ku banonte, por shumë njerëz, madje edhe shumë femra “u tallën” me të.

Në vitin 1992 më në fund ajo arriti të realizonte një prezantim Telemarketing nëpërmjet një televizioni që bënte shitje nga ekrani. Rezultatet ishin të shkëlqyera. Shpikësja ishte prezantuesja më e mirë e vetë produktit.

Mangano e patentoi dhe ia shiti një kompanie tjetër produktin e saj, madje dhe shumë produkte të tjera inovative dhe u kthye më pas në një “Angel Investor” për shumë femra të tjera sipërmarrëse.

  • Shpikjet më të mira vijnë nga ndjesia e zgjidhjes së një problemi dhe femrat janë ato që përballen tipikisht me çështje të prakticitetit. Sakrificat dhe stërmundimet shpërblehen me këmbëngulje dhe shumë nerv.
  • Për të zhvilluar produktin duhen para të kursyera mënjanë, por duhet marrë parasysh edhe rreziku i marrjes borxh.
  • Kostot operacionale të kërkimit dhe zhvillimit janë një tmerr më vete për këdo që vendos të nisë një biznes të ri, sidomos nësë bëhet fjalë për hedhjen në treg të një koncepti/produkti inovativ.
  • Në fund fare, por jo për nga rëndësia janë njerëzit që ju rrethojnë. Ata duhet të besojnë në çmendurinë tuaj, t’ju ndjekin nga pas, sepse ju besoni që ka një dritë në fund të tunelit.  Familjarët tuaj janë personat më të vlefshëm, nëse keni mbështetjen e tyre, gjërat janë më të lehta … edhe atëherë kur përballeni me dështimin.

Shoqëria jonë duhet t’i mbështesë dhe promovojë më shumë vajzat kurajoze si Joy Mangano, vajzat sipërmarrëse, vajzat nëna, nënat shpikëse, nënat në biznes, sepse femrat Shqiptare nuk duhet të jenë vetëm kukulla kopertinash me titull “business woman”.

Keni menduar ndonjëherë diçka ndryshe nga sipërmarrjet high-tech, e-buy, “Ithis” and “Ithat”?  Tregu në Shqipëri po pëson një inflacion të rëndë të sipërmarrësve teknologjikë që po bëjnë pothuasje të gjithë gjëra të ngjashme, Aplikacione për celularë, aplikacione për atë që ka humbur rrugën dhe nuk gjen dot autobuzin më të afërt … ndërkohë që autobuzave nuk i funksionojnë kondicionerët … aplikacione për blerje on-line me karta krediti në një treg ku popullata masive zor se ka haberin e aplikacioneve on-line dhe kryen vetëm transaksione “me pare në dorë” …. Nuk e di pse, por të gjitha këto  më ngatërrohen në një lëmsh të stërmadh kur flitet për Startups garazhdi…

Referenca:

http://www.nytimes.com/2001/02/11/nyregion/cleaning-up-in-business-with-a-mop.html