Bulizmi, Fenomen i (pa)njohur në Fushatat Marketing » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 25/11/2016

Bulizmi, Fenomen i (pa)njohur në Fushatat Marketing

Share
nga Klodiana Kola
Nën 25, 2016
Klodiana Kola është një profesioniste e komunikimit marketing me një eksperiencë mbi 10 vjet në këtë sektor. Ekspertiza
lexo me teper >

Në fillim të vitit 2016 GAP lançoi një linjë të re GapKids nën udhëheqjen e të famshmes Ellen De Generes.

Linja u promovua me anë të një fushate publicitare me imazhe të disa vajzave nga 5-14 vjeç  të kompanisë Le Petite Cirque , ku binte në sy një vajzë e gjatë e bardhë e cila mbështet krahun e saj mbi kokën e një vajze me ngjyrë (shih foton në krye).

Mjaftoi një imazh i tillë për të gjeneruar një lumë komentesh negative në twitter dhe në shumë blogje të tjera, për të mos përmendur këtu edhe websitet zyrtare të mediave më të njohura si BBC, Fortune etj.

“Vajzat e bardha janë të afta të bëjnë gjithçka në jetë, por kur vjen fjala për ato me ngjyrë gjërat komplikohen.”- shume nga komentet e shkruara ne media kishin kete fryme.

Ky imazh denigrues u perceptua bindshem si një formë publike e bulizmit (bullying). Ishte një gabim fatal, një neglizhim i stafit krijues, apo u la me dashje ashtu…. Kjo gjë nuk u mor vesh kurrë përveç faktit që GAP bëri gjënë e duhur … KERKOI  FALJE dhe tërhoqi menjëherë fushatën reklamuese.

Inati që shkaktoi kjo formë komunikimi pati më shumë impakt sesa qëllimi për të cilin u konceptua kjo fushatë.

Dhuna në kohët moderne ka marrë forma të stërholluara në vendet e zhvilluara dhe një prej tyre është edhe fenomeni i “bulizmit” që është një nga format dhunës psikologjike/fizike që ka marrë përmasa shqetësuese në moshat e vogla (në shkollë), mes shokëve dhe shoqeve, por edhe në institucionet e punës (marrëdhëniet epror vartës, ose edhe mes kolegësh).

Imagjnoni sikur vajza/ djali juaj vjen duke qarë nga shkolla dhe ju tregon se një fëmijë tjetër e vë në lojë vazhdimisht para shokëve dhe shoqeve për diçka shumë sensitive. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në vendin tuaj të punës, dikush vihet në lojë vazhdimisht nga kolegët. Kjo situatë e importuar në Media përmes një spoti publicitar apo imazhi reklamues merr përmasat e një kulture deformuese.

Kush mendon që marketingu, fushatat publictare apo edhe spotet televizive që transmetohen, nuk kanë për qëllim edukimin e audiencës mund ta kuptojë fare mirë nëpërmjet shembullit të mësipërm që e ka gabim.

Ky tip marketingu e konfuzionon audiencën dhe krijon stereotipe dhe standarte të gabuara që e dëmtojnë shoqërinë rëndë dhe me pasoja të pakthyeshme….mos mendoni që është diçka e largët nga pragu i shtëpisë tuaj…

Në Shqipëri fenomeni i bulizmit njihet shumë pak. Ne e përjetojmë çdo ditë, por thjesht nuk i vëmë dot një emër, ndoshta edhe na duket “funny”.

Gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit po ekspozohemi ndaj shumë fushatave reklamuese në TV të brandeve lokale të cilat përcjellin mesazhe komunikuese të dhunshme apo denigruese në të cilat shfaqet qartë fenomeni i bulizmit, por ndonjehere edhe i dhunës fizike. Në kohët moderne nuk është aspak standart apo etike të qeshësh kur dikush godet me shpullë dikë tjetër “nga entuziazmi i tepruar dhe adrenalina” (qoftë edhe pa dashje). Nuk mund ti japësh notën 10 një marketingu të tillë.

Dhuna në Advertising po merr përmasat e një trendi shqetësues dhe këtë e konfirmojnë edhe studimet e kryera.

Një shpullë, një shkelm, një dorë e vënë mbi kokë, një tallje me një shtresë të caktuar sociale, përkatësia raciale etj. …. nuk janë  aspak për të qeshur.

Burime

http://www.bbc.com/news/blogs-trending-35968787

http://msutoday.msu.edu/news/2011/violence-in-advertising-becoming-a-/