"Be taken by ALBANIA", ja si u prit spoti promovues nga shqiptarët » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 06/03/2019

“Be taken by ALBANIA”, ja si u prit spoti promovues nga shqiptarët

Share
nga Anerola Torollari
Mar 06, 2019
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

“Objektivi i kësaj fushate janë të gjithë ata që nuk kanë shkelur në Shqipëri dhe meqë nuk kanë ardhur më parë kanë paragjykime, sepse shumica e njerëzve e krijojnë perceptimin e Shqipërisë nëpërmjet filmave apo se çfarë ka ndodhur në vendet e tyre kur kanë parë shqiptarë aty. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në vendet e BE janë njerëz të ndershëm që punojnë fort. Ata janë profesionistë të vërtetë dhe të respektuar. Por lajmet e mira nuk dalin në lajme. Kështu që ne na duhen iniciativa si kjo që t’u tregojmë njerëzve se cila është Shqipëria e vërtetë. Të gjithë ata që vijnë në Shqipëri, kur largohen nga Shqipëria kanë një mendim tërësisht të mirë për të. Javën e shkuar isha tek ‘Mrizi i Zanave’. Altin Prenga u zgjodh si shqiptari i vitit. Ajo e Altinit dhe kjo e sotmja janë dy iniciativa të mrekullueshme që shpresoj që do të krijojnë imazhin e duhur për Shqipërinë. BE është këtu për të bërë këtë gjë. Tani do ju drejtohem atyre që s’janë këtu. Atyre u them, Rrëmbehuni nga Shqipëria”, këto ishin fjalët nga Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili mori pjesë në lançimin e fushatës ndërkombëtare dixhitale të Turizmit 2019 “Be taken by ALBANIA”.

Lexoni: Bashkimi Europian jep 40 milionë euro për promovimin e turizmit shqiptar

Spoti më i ri “Be Taken By Albania” për promovimin e Shqipërisë dhe për fillimin e sezonit të ri turistik ka marrë pafund komente, duke qenë tema më e preferuar online.

Disa thonë që është një gjetje mjaft e mirë, të tjerë thonë se është shumë vonë për t’u kundërpërgjigjur filmit “Taken”, e shumë të tjerë një spot që sjell në kujtesë një film që ka ofenduar shqiptarët.

Besoj e mbani mend triologjinë e Taken, ku shqiptarët prezantohen si kriminelë, banditë, vrasës e rrëmbyes, që padyshim nxiti reagime të shumta në kohën kur u lançuan filmat. Kjo fushatë e ndërmarrë së fundmi ka shfrytëzuar pikërisht këtë mendim të krijuar ndaj shqiptarëve, për të realizuar një kundër reagim e për t’i treguar botës kulturën, traditën dhe bukuritë e Shqipërisë, nëpërmjet një videoje të quajtur “Rrëmbehu nga Shqipëria”.

Spoti është vënë nën lupën e popullit shqiptar, i cili ka bërë komente të shumta mbi kontekstin dhe qëllimin e reklamës.

Me mbi 200 mijë shikues, çdo ditë ky spot klikohet akoma më shumë nga kuriozët dhe ata që duan të rrëmbehen nga Shqipëria. Por ashtu si çdo gjë tjetër edhe kjo video ka dy anë të medaljes, shumë komente kanë shpërthyer nga shqiptarët sapo ajo ka dalë, komente pozitive, por nuk kanë munguar as ato negative.

Në grupin Marketing in Albania në facebook, në të cilin diskutohen tematikat në lidhje me marketingun nuk kanë munguar komentet ku thuhet:

Endri Pano: Super gjetje është! Akoma më shumë do ishte sikur të përgjigjej Liam Neeson.

Ina Xhani: super gjetje? ndoshta para 10 vitesh, kur doli filmi

Gerti Boshnjaku: Më mirë vonë se kurrë

Anila Gjetapanariti: Bukur, por shumë vonë

Disa thonë që kjo “reklamë” që po bëhet me anë të këtij spoti është në fakt një antireklamë, pasi po shtyn njerëzit të shohin filmin më shumë se sa Shqipërinë.

Gazetarja dhe bashkë-themeluesja e Mandarina Promotion dhe Visit Tirana, Eva Kushova ka shkruar në profilin e saj në facebook:

Video që po qarkullon me Liam Neeson për promovimin e turizmit shqiptar mendoj se është thjesht kundër produktive. Si ata që nuk e kanë parë filmin ‘Taken’ dhe ata që e kanë parë, por s’e kanë fiksuar mirë, kjo video i nxit që të shohin filmin njëherë, pastaj të vizitojnë vendin tonë. Jam e bindur se më shumë po shkarkojnë  filmin ‘Taken’ se sa po nxiten të klikojnë se ku janë Kanionet e Osumit. Kjo reklamë ndoshta do kishte vlerë si kundër-reagim në vitin kur Liam bëri filmin. Por tani është qesharake, e denjë për një spektakël si Portokallia, por jo për të promovuar Shqipërinë në botë.

Tani që Shqipëria është rekomanduar nga Lonely Planet dhe gjithë mediat prestigjoze si një ndër destinacionet më trendi për t’u vizituar, ne i rikthehemi Liamit dhe i bëjmë thirrje të na heqë njollën që na vuri 10 vite më parë.

Është njësoj si të thotë Gjermania: ‘Ne nuk kemi lidhje me nazizmin, por jemi vendi më i zhvilluar në Europë’; ose Serbia: “Mos na lidhni me genocidin, s’jemi vrasës por jemi mikpritës”. Çdo shtet ka anët e errëta të historisë, por të luash me to në nivel global është injorancë.

(ps.nuk diskutohet që pamjet në video janë mahnitëse dhe që vendi ynë është super i bukur, po skenari mendoj se është gabim)

Komentet nuk kanë munguar as në videon në YouTube ku dhe këtu ka pasur ngjyra të ndryshme:

Të shumtë janë ata që e kanë pëlqyer, që mendojnë se është një reklamë e gjetur për Shqipërinë, pasi Shqipëria ka ndryshuar dhe nuk është më si në filmin Taken. Një Shqipëri me imazh të ri që tregohet diversiteti i natyrës sonë të bukur nga turizmi malor e deri tek ai bregdetar.

Por, nga ana tjetër disa thonë që është shumë vonë, që nga koha e daljes së filmit dhe nuk ia vlen që të tregojmë vendin tonë duke u nisur nga filmi Taken.

Lexoni: “Rrëmbehu nga Shqipëria”, video që po bëhet virale, i kundërpërgjigjet filmit Taken

Në YouTube një nga komentet që bie në sy është bërë nga një vajzë e huaj, e cila shkruan:

“Një vend i vogël me një zemër të madhe. Për të qenë e sinqertë, para se të vendosja të udhëtoja në Shqipëri, nuk dija shumë për vendin apo ku ishte pozicionuar në Europë. Kur gjeta një biletë të lirë fluturimi në Korfuz, Greqi dhe një traget për në Sarandë, Shqipëri, kurioziteti im u rrit dhe vendosa që duhet të shkoj. U befasova nga ajo që ky vend kishte për të ofruar. Plazhet, natyra, njerëzit dhe ushqimi, gjithçka ishte kaq e mrekullueshme sa unë ende dëshiroj të kthehem dhe të eksploroj më shumë”.

Spote si ky kanë për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin dhe të tërheqin vëmendjen me mesazhin që duan të japin. Mesazhi mesa duket u mor dhe komentet nuk kanë munguar aspak duke angazhuar njerëzit të shprehin mendimin e tyre mbi këtë fushatë.

Nuk duhet harruar që edhe “antireklama” është një reklamë, meqënëse shumë e kanë marrë si të tillë.