Jorge Roriz, 65 vjeç, dikur krijonte botën magjike të Karnavaleve të Rios me kostumet e tij shumëngjyrëshe dhe maskat fantastike. Tani, në mes të pandemisë, ai ka zgjedhur të përdorë artin e tij për t’i dhënë një “fytyrë” njerëzve me maskë, por të jenë sa më reale që të jetë e mundur.
Roriz pikturon maskat mbrojtëse me portretin e fshehur të personave që do t’i mbajnë ato, me një përpikmëri të jashtëzakonshme. E kur flet, duket si një ventrilokuist, pasi goja nuk lëviz. “Përdor këtë maskë për të mos humbur identitetin tim”, thotë Roriz për Reuters.
Ai pikturon pjesën e poshtme të fytyrës së personave, duke i kushtuar vëmendje të shtuar detajeve si tonaliteti i ngjyrës së lëkurës, apo buzët. Dhe maskat e tij janë bërë tepër të kërkuara mes atyre që nuk duan të fshehin fytyrën, por njëkohësisht duan të mbrohen nga koronavirusi. “Është jetike që njerëzit të kujdesen për veten, është gjë e mirë që përdorin maska”, thotë ai. “Por fatmirësisht, njerëzit kanë reaguar pozitivisht, qeshin me këto maska. Diçka që duhet të sillte trishtim, po sjell, në fakt, gëzim”.