AREA këmbëngul: Ka ndryshim kontrate, qeveria masa represive ndaj investitorëve të HEC-eve - Business Magazine Albania

AREA këmbëngul: Ka ndryshim kontrate, qeveria masa represive ndaj investitorëve të HEC-eve


Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) ka reaguar sërish me një deklaratë ku e vlerëson si qëllimisht të pasaktë deklaratën e bërë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë për prishjen e njëanshme të kontratave me investitorët e huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Sipas njoftimit të AREA, nëpërmjet kësaj deklarate tentohet të fshihet e vërteta mbi vendimin e Qeverisë për t’u hequr investitorëve të drejtat ligjore të fituara më parë me kontratat e tanishme dhe zëvendësimin e tyre me kontrata që nuk i njohin apo i shkelin hapur këto të drejta. AREA sqaron se qëllimi i vetëm i investitorëve është mbrojtja e investimeve të tyre, të bëra sipas ligjeve në fuqi të shtetit shqiptar.

Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a me anë të një VKM dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë.

Thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme është roli që Qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet.

Për më tepër kërkohet që investitorët e huaj e shqiptarë të pranojnë një kontratë, kushtet specifike të së cilës do të përcaktohen në një ligj që nuk është miratuar ende dhe që është në proces draftimi.
AREA vlerëson se gjithë sa është thënë më sipër është një ndryshim thelbësor i të drejtave të investitorëve të huaj e shqiptarë të fituara me kontratat koncesionare.

Nëse kontratat do të ishin identike, siç pretendon Qeveria me anë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të duhej që të ndryshohej vetëm emri i blerësit të energjisë, nga KESH sh.a në OSHEE, duke mos prekur apo shtuar nene të tjera, nën të cilët fshihet shkelja e të drejtave të fituara më parë.

Përmbajtja e kontratës u hap rrugën ndryshimeve, që sipas Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë janë të udhëzuara nga BE. Por efektet e tyre jo vetëm nuk janë ende të qarta, por nga ana tjetër kanë edhe efekt prapaveprues për investimet e mëparshme, çka është në kundështim të hapur edhe me vetë direktivat e BE.

Ministria mund t’i trajtojë kontratat e reja sipas koncepteve të saj, por jo t’i shtrijë efektet e ndryshimeve tek investimet e kryera më parë në kushte të tjera kontraktuale dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi. Me firmosjen e kontratave të reja me OSHEE, Qeveria u kërkon investitorëve të huaj e shqiptarë që të pranojnë pikërisht shtrirjen e efekteve prapavepruese të ligjit, duke humbur kështu edhe të drejtën e ankimimit ligjor në rast se të drejat e tyre cënohen me vendime qeverie (VKM) në të ardhmen. Komuniteti i Energjisë ka kërkuar vëmendje të veçante për ndalimin e këtij fenomeni antiligjor dhe frenues zhvillimi.

AREA i kujton Qeverisë se në takimin e fundit të grupit të punës për hartimin e Modelit të Ri të Tregut, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Komunitetit të Energjisë, në draftin përfundimtar u shënua fakti se investitorët ekzistues do të ftoheshin të negocionin kontratat ekzistuese për shitjen e energjisë. Kjo do të thotë se procesi do të ishte i bazuar në vullnetin e prodhuesve ekzistues dhe jo që kontratat të prisheshin njëanshmërisht me urdhër të Qeverisë, nëpërmjet një VKM-je.

Presioni i Qeverisë për të firmosur nxitimthi kontratat e reja pas prishjes së njënashme të kontratave të vjetra ka frikësuar investitorët e huaj dhe vendas. Kjo, si rrjedhojë e masave diskriminuese dhe përshkallëzuese që ka ndërmarrë Qeveria në tre vitet e fundit në përkeqësimin e situatave financiare të investitorëve, duke ulur si fillim me 20 % cmimin e shitjes së energjisë dhe duke vështirësuar gjendjen e tyre financiare.

Në vitin 2015, Qeveria me anë të një VKM –je me efekt prapaveprues uli çmimin për vitet 2013-2014. Në këtë mënyrë, detyrimet e mëparshme që shteti u kishte investitorëve u zvogëluan ose u bënë zero. Në vitet 2015 dhe 2016, Qeveria me një tjetër VKM vendosi si referencë të çmimit Bursën e Hungarisë, e cila nuk merret si referencë as nga vetë Hungaria për prodhimin e energjisë së rinovueshme në vendin e saj, vendim që çoi në uljen e çmimit të energjisë së prodhuar nga HEC –et e vegjël, por jo të rënies së çmimit të energjisë që paguajnë qytetarët.

Prej korrikut Qeveria nuk lejon faturimin e energjisë që OSHEE merr nga HEC –et e vegjël që nuk kanë firmosur kontratat dhe që shitet tek konsumatori. AREA konsideron se kjo formë represive zinxhir i vendos HEC –et e vegjël në vështirësi të madhe me shlyerjen e kredive, pasi ata nuk arkëtojnë edhe pse energjia e prodhuar prej tyre u shitet konsumatorëve dhe u faturohet për çdo kilovat.

Faktet e mësipërme janë dëshmi se masat e marra deri tani nga Qeveria, vetëm e kanë dëmtuar prodhimin e HEC–eve të vegjël.
AREA nuk do të pranojë të firmosë asnjë kontratë në të bardhë, pasi këto kontrata shkelin hapur të drejtat e fituara më parë nga investitorët e huaj dhe shqiptarë, që në këtë sektor, vetëm anëtarët e saj kanë kryer mbi 350 milionë euro investime. Kontrata mbi të cilat janë marrë përsipër këto investime nuk mund të trajtohen si kompetencë e një qeverie apo një tjetre, ndaj çdo ndryshim ka nevojë për konsensus të dy palëve.

AREA i bën thirrje Qeverisë dhe në veçanti Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë të mos kërkojë të mbulojë të vërtetën me deklarata dezinformuese, por të bëjë një kthesë të fortë duke hequr efektet prapavepruese në kontratë dhe të përshijë në të, të drejtat e fituara më parë. AREA e fton Ministrinë në debate të çdo lloj forme për ta vënë atë përballë të vërtetës dhe për të zbërthyer të gjitha kleçkat ligjore pas të cilave ajo fsheh qëllimin për t’u hequr investitorëve të huaj e shqiptarë të drejtat e fituara ligjërisht me kontratat e mëparshme.

AREA, gjithashtu do të përdorë të gjitha rrugët ligore në mbrojtje të këtyre të drejtave të shkruara e zezë mbi të bardhë në kontratat e miratuara nga Qeveria dhe Institucionet shqiptare, të bazuara vetëm në ligj dhe kjo do të ketë një kosto të lartë për ekonominë shqiptare, përfundon deklarata.

Pak ditë më parë, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinoveshme (AREA) e konsideroi skandaloze prishjen e kontratës me KESH sh.a. dhe zëvendësimin e saj nga një kontratë e re për shitjen e energjisë së prodhuar nga HEC–et e vegjël, të hartuar në mënyrë të njëanshme nga Enti rregullator i Energjise mbas nje VKM të marrë nga Qeveria shqiptare. Ministria e Industrisë dhe Energjisë nga ana e saj tha se nuk kishte asnjë ndryshim kontrate.

 

Burimi: areasso.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0