Altin Prenga, mes pasionit e shpresës
Përditësuar së fundmi: 06/01/2018

Altin Prenga, mes pasionit e shpresës

Share
nga Albana Mucaj
Jan 06, 2018

 

Cilat janë disa nga të panjohurat e Altin Prengës me agroturizmin “Mrizi i Zanave”. Çfarë po ndodh në Fishtë? Mëdyshjet e para, pasioni dhe rrugëtimi i vështirë në biznes.

Kur u nis drejt Italisë Altin Prenga ishte vetëm 15 vjeç. Babai e merr atë bashkë me të vëllanë në vitin ’97, vit trazirash të mëdha në Shqipëri, ku me armët që ishin sheshit, fati i të rinjve lehtësisht mund të drejtohej për keq. Me një baba kuzhinier, Altini kryen punë të ndryshme në Itali, në hotele e restorante.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 41 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Që kur u prezanton fermën e punën një grupi të rinjsh, të cilët do ta ndiqnin në intervistën si i ftuar në “Start up Grind”, kuptohet sekreti i suksesit të Altinit. Për të shkuar larg, ndonjëherë duhet të shohësh afër, të gërmosh në rrënjët e tua, t’i duash ato. Këtu nis mundësia për t’u dhënë vlerë traditës, produktit dhe shërbimit.

Mes përvojave të tij në Itali, sipërmarrësi i agroturizmit “Mrizi i Zanave”, flet për një grua, zonjën me të cilën punonte në një agroturizëm, e cila mblidhte bimët e egra në pyll. Në enotekën ku prodhohej shampanja “Ferrari”, Altini kujton se konsumohej gjithashtu një nga sallamrat më të varfër, por të çmuar tashmë. Histora nis atje shumë herët kur fshatarët e zonës, në bërjen e produktit që do të shisnin, nuk hidhin dhjamë derri, por rrepa dhe dhjamin e  ruanin për dimër. Më vonë prodhimi merr vlerë, e sot i kushtohen disa festa në vit në zonë.

Në vendimin e Altin Prengës për të hapur agroturizmin në Fishtë, në vendin e tij të lindjes, kanë ndikuar shumë rrethanat e jetuara në Itali, por shumë më tepër vëmendja dhe mënyra si i ka parë ai këto rrethana. Disa prej përvojave të jetuara në punën e tij jashtë, e kanë rikthyer në kujtimet e fëmijërisë. Gatimi i perimeve që ke mbjellë apo të ka dhënë natyra, ruajta e tyre për dimër, janë një kujtim që i kanë në veçanti të rriturit në zona malore.

Shija e vërtetë e ushqimit është ajo e kujtesës, sipas Altinit. Kjo është një nga kolonat që duket se po mban biznesin e tij. Por, nëse ke pak fantazi për ta zgjuar fort kujtesën, rezultati është emocion.  Kështu ndodhi me klientët në agroturizmin e tij në Itali, të cilin e hapi në moshën 21 vjeç, bashkë me kushëririn e tij. Ai kujton emocionin e klientëve gjermanë, kur poshtë tavolinave kishte bar të thatë që përdorej për kafshët në dimër, të hedhur posaçërisht.

Në varësi të stinës, kjo ndodh edhe tek Mrizi i Zanave. Në vjeshtë, gjethet e pemeve i gjeni nëpër sallën e ngrënies.

“Mrizi” në fakt është nisma e dytë në biznes, pasi sipërmarrja me kushëririn nuk funksionoi. Altini fajëson veten për këtë, duke thënë se në sipërmarrje duhet më pak idealizëm.

Një koncept që duket se nuk vazhdon ta respektojë shumë, ndonëse nuk  i ka sjellë dëme deri më tani.

Në historinë që tregon, Altin Prenga pranon se babai i tij kuzhinier, ende sot në Itali, ishte mosbesues ndaj nismës. “Po, nëse garuesit e “Formula Uno” ushqeheshin më produkte të varfra e tradicionale të zonës, pse të mos ndodhte kjo në Fishtë?!”, sipas tij. Por, kur kalon një javë e në restorant nuk vjen njeri, një mëdyshje të vogël e ke. Mëdyshje që Altinit ia hodhi poshtë një zotëri me kollare, siç thotë ai, i cili hëngri në restorant bukën e bërë aty e djath të freskët. “Pasi hëngri vetë, kërkoi të merrte bukë e djathë edhe për nënën e tij, e cila ishte e pamundur të vinte në restorant. Në këtë çast i thashë vëllait: kjo është ajo që duhet të bëjmë!”.

Me filozofinë e të bërit të punëve thjeshtë e me gjëra të varfra, Altinit, vëllait e babait të tij, u kanë mjaftuar fillimisht 50 mijë euro investim: gurët e zonës, drurë të përdorur më parë, hekur i punuar nga një bashkëfshatar i tyre, e kështu me radhë.

Përzgjedhja e modeleve të mira ia ka bërë më të lehtë punën, ndonëse shumë kushte nuk ishin në favor të tij, përkundrazi. 7 vite më parë kur ngriti agroturizmin, Fishta nuk kishte një rrugë të asfaltuar, mundësia për blerjen e lëndës së parë ende sot është e vështirë, ashtu siç është e vështirë të kesh punëtor të kualifikuar. Por, ai ka zgjedhur ta sfidojë vetën edhe në këtë drejtim duke bërë atë që në zonë quhet “ndryshim tendence”. Dhjetëra banorë të zonën tashmë shesin në mënyrë të qëndrueshme prodhimet tek ferma. Kamarierët nuk paguhen më pak se 45 mijë lekë në muaj (një pagë kjo më e lartë edhe se në Tiranë). U ka kërkuar të  vazhdojnë të flasin dialektin e tyre, të ruajnë ecjen e të jenë vetvetja, mundësisht me pak buzëqeshje më shumë. Për këtë fundit, thotë se ende po punon.

Nga 6 të punësuar fillimisht (4 në kushinë dhe dy kamarierë), sot ferma e Altinit numëron 42 të punësuar, mes kuzhinës, shërbimit, përpunimit të prodhimeve, grumbullimit e përkujdesjes për kafshët. Kjo është vetëm çfarë ka ndodhur brenda sipërmarrjes së tij, Por, Altini ka frymëzuar nisma të tjera në zonë, duke krijuar një frymë sipërmarrjeje. Edhe katër restorante tradicionale janë hapur në zonë vitet e fundit. E për të matur efektin e kësaj sipërmarrje mjafton të shohim çmimin e mishit të kecit. Ai është rritur ndjeshëm duke u treguar me 700 lekë për kg, ndërsa produkte të tjera në tregje nuk janë shtrenjtuar. Altini tregon se fermerëve përpiqet t’ua blejë produktet sa herë ato kanë, për këtë arësye ka hapur edhe një pikë shitje në hyrje të restorantit. Por, kjo nuk po e ndal rrjedhën e emigrimit në zonë. Çdo largim të të rinjve e shikon si dështim në përpjekjen e tij për të bërë diçka për vendin, ndërsa një gatishmëri e tyre për të bashkëpunuar në cikle të ndryshme, si prodhim mishi, apo kultivim i një produkti të caktuar, do ta motivonte më shumë, ashtu siç e kishte motivuar ditën që e takuam ne, një gjysëm premtim i ministrit të Bujqësisë se Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për agroturizmin do të zbresë në 6%, pasi të përkufizohej me ligj “agroturizmi”.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 41 të numrit 15 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 15 të saj.

Albana Muçaj/businessmag.al

 



Evente