Albanian Cyber Security, komuniteti fokusuar sigurisë kibernetike, sjell tutoriale në gjuhën shqipe » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 24/04/2019

Albanian Cyber Security, komuniteti fokusuar sigurisë kibernetike, sjell tutoriale në gjuhën shqipe

Share
nga Anerola Torollari
Pri 24, 2019
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Nëse një grup të rinjsh bëhen bashkë dhe kanë pasion për të bërë gjëra të bukura mund të vijnë me ide dhe projekte shumë të mira. Kështu ka ndodhur me këtë grup të rinjsh që kanë krijuar komunitetin Albanian Cyber Security, fokusuar në sigurinë kibernetike.

Albania Cyber Security është komuniteti i të gjithë të apasionuarve pas Sigurisë Kibernetike, një hapësirë shkëmbimi informacioni dhe njohurish, i krijuar nga një grup të rinjsh, të cilët kanë menduar ta sjellin në formën e një portali online. Albanian Cyber Security përbëhet nga një ekip i përbërë nga profesionistë të IT, hakerë, pentesterë, informaticienë dhe entuziastë të Sigurisë Kibernetike.

Pjesë e këtij portali janë dhe tutorialet të lidhura ngushtë me Sigurinë Kibernetike, të cilat kanë qëllime edukimi, që njerëzit të mësojnë se si persona të paautorizuar mund të hyjnë në sistemet e tyre dhe në të dhënat që ata i quanin të sigurta. Dhe duke mësuar se si sistemet e tyre mund të thyhen, ata zbulojnë pikat e dobëta të këtyre sistemeve dhe gjejnë një zgjidhje se si mund t’i mbrojnë ato më mirë. Këto tutoriale i shërbejnë të gjithë personave, të cilët janë ende studentë apo profesionistë në fushën e IT-së, freelancer, por edhe përdoruesve fundorë për të kuptuar se si ata mund të jenë shënjestra çdo ditë nga sulme të ndryshme duke filluar që nga email-i i tyre apo edhe rrjetet sociale, që sot janë bërë një pjesë e pandashme e përditshmërisë së gjithësecilit.

Duke qenë se literatura e mësuar nëpër shkolla është “e vjetër”, informacionet përzgjidhen nga interneti në gjuhën angleze dhe më pas përshtaten në gjuhën shqipe.

Tutorialet mund t’i gjeni faqen online të Albanian Cyber Security, ku janë të shpjeguara hap pas hapi dhe për personat të cilët kanë nevojë për diçka më tepër mund të viziton kanalin e YouTube.

Në portalin Albanian Cyber Security si dhe në rrjetet sociale respektive, do të keni mundësi të gjeni jo vetëm tutoriale, por dhe lajmet më të fundit në lidhje më sulmet, patchet, updatet në sisteme, analiza të ndryshme të artikujve shkencorë në lidhje me këtë fushë dhe shumë shpejt dhe legjislacionet dhe standardet që bizneset duhet të ndjekin për të fituar certifikime ndërkombëtare, duke rritur kështu besueshmërinë e shërbimeve dhe produkteve të tyre. Së shpejti pritet të hapet dhe një forum, ku të gjithë personat e interesuar mund të gjejnë përgjigje për pyetjet që kanë.

Ndërkohë ky komunitet, po bën një kërkim për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria në lidhje me sigurinë kibernetike dhe së bashku me të do të vijnë disa sugjerime dhe rekomandime.

Duke qenë se ardhmja e sigurisë kibernetike është e lidhur ngushtë me të ardhmen e teknologjisë së informacionit është e qartë se roli i kibernetikës do të bëhet edhe më i madh në jetën tonë personale dhe të biznesit. Sot, shumica e sistemeve tona kritike janë të ndërlidhura nga kompjuterët. Në të ardhmen, kjo lidhje do të jetë edhe më e fortë. Shumë pajisje të tjera do të jenë të automatizuara. Jetët tona personale do të jenë të varura nga asistentë virtualë dhe pajisjet e lidhura me IoT do të jenë pjesë e pothuajse çdo funksioni të jetës sonë të përditshme. Kompleksiteti dhe lidhshmëria e këtyre sistemeve ndikon drejtpërdrejt në nivelin e tyre të cënueshmërisë.

Kohët që siguria e informacionit i lihej në dorë departamentit të IT-së për t’u marrë kanë kaluar, por duket sikur bizneset shqiptare nuk e kanë kuptuar ende këtë gjë. Siguria e informacionit, sidomos për bizneset e mëdha dhe të vogla, që zënë shumicën e tregut shqiptar, është një çështje e menaxhimit të biznesit. Siguria në hapësirën kibernetike shndërrohet në një çështje kritike kur të gjitha bizneset po bëhen gjithmonë e më të dixhitalizuar. Dixhitalizimi i tyre do të thotë që janë të ekspozuara ndaj një numri të madh rreziqesh nëse nuk bëjnë politikat e duhura të sigurisë. Ky problem është ekzistent dhe në shumë institucione shtetërore (si pasojë e mungesës së oficerëve të sigurisë në zhvillimin e sistemeve).

Ka shumë shembuj nga mbarë bota, ku kompanitë kanë humbur informacionin e tyre, si atë të klientëve po dhe atë financiar, nëpërmjet një sulmi kibernetik dhe kanë dalë jashtë tregut si të falimentuar.

Dixhitalizimi përbën një avantazh konkurrues për kompaninë dhe kompanitë e vogla dhe të mesme e duan këtë avantash konkurrues për të marrë sa më tepër pjesë të tregut, por ky avantazh vjen dhe me disa risqe në lidhje me sigurinë në hapësirën kibernetike, risqe këto që jo të gjitha kompanitë që operojnë në tregun shqiptar i dinë dhe janë në dijeni se si mund të shfrytëzohen dobësitë e tyre. Kjo i vendos në rrezik ato, vetë si kompani dhe klientët e tyre të dhënat e të cilëve ruhen në serverat e këtyre kompanive. Në rast humbje të informacionit të klientëve të tyre që janë rezidentë në ndonjë nga shtetet e BE-së, këto biznese preken nga GDPR, e cila është një politikë shumë e  rreptë, sidomos për bizneset shqiptare. Ku sipas të cilës, biznesi do të duhet të paguajë deri në 20% të të ardhurave të tij. Kjo do të penalizonte shumë sipërmarrje, ndaj është e rëndësishme që në fillim të ndërgjegjësohemi si individë dhe më pas të kalojmë këto njohuri dhe t’i aplikojmë në botën e biznesit.

Së shpejti në portalin https://albaniancyber.al/ do të ketë një raport dhe analizë të plotë mbi gjendjen e sigurisë kibernetike për vendin tonë.


Evente

Rikthehet TË RINJTË FLASIN!

Korrik 31, 2019
2 PM – 5 PM