7 platforma të reja të mediave sociale për marketerët në 2022-shin  - Business Magazine Albania

7 platforma të reja të mediave sociale për marketerët në 2022-shin 

platforma

Sipas Anketës së Marketingut të Mediave Sociale, realizuar nga HubSpot 2022, shumica e marketerëve kërkojnë platforma të reja ose në zhvillim të mediave sociale në baza javore ose mujore.

Kur vizitoni App Store ose Google Play dhe kërkoni “media sociale”, ka qindra aplikacione nga të cilat mund të zgjidhni. Por, teksa grupi i platformave sociale rritet, a do të ndryshojë ndonjë prej tyre lojën për marketerët këtë vit?

E vërteta është, se viti 2020 ndryshoi mënyrën se si bëmë pothuajse gjithçka, përfshirë socializimin. Distancimi social u bë pjesë e jetës sonë duke lënë një boshllëk për komunikimin e personalizuar që kishim më parë. 

Megjithatë, njerëzit janë të adaptueshëm dhe disa faqe të reja të rrjeteve sociale janë shfaqur gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit për të rikrijuar komunitetet që na është dashur të braktisim papritur.

Trendet e mediave sociale në 2022-shin 

Tendencat më të nxehta të mediave sociale deri më tani janë rrjetet sociale të bazuara në audio dhe transmetimin e drejtpërdrejtë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 82 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaJu mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Videot e transmetimit të drejtpërdrejtë (32%) ishin trendi i dytë më i lartë i investimit nga marketerët e mediave sociale në këtë vit, pas përmbajtjeve të videove të shkurtra. Sondazhi zbuloi gjithashtu se transmetimi video performoi më mirë sesa pritej për 52% të marketerëve të mediave sociale të anketuar.

Kjo vjen në një kohë kur platforma si Twitch dhe Discord po rriten dhe po zgjerohen përtej video-lojërave. 

Sa i përket audios, Stephanie Morgan, eksperte e mediave sociale dhe themeluese e agjencisë së marketingut Social Lock, sheh një të ardhme të ndritur për këtë lloj të ri komuniteti.

“Rrjetet sociale të bazuara në audio janë një koncept relativisht i ri, por nuk do të shkojnë askund në të ardhmen e afërt,” thotë ajo.

Hulumtimi i HubSpot Blog, zbuloi se 65% e marketerëve të mediave sociale i renditën chat-et e bisedave audio live në mesin e tre formateve më efektive të mediave sociale.

Të shohësh rritjen e kanaleve sociale të reja premtuese do t’ju ndihmojë të përcaktoni se cilave ia vlen t’i bashkoheni dhe cilat nuk ia vlejnë. 

Lexo:  Të heqësh dorë nga emri yt, për të krijuar një emër më të madh

Dhe, nëse përfundoni duke iu bashkuar një rrjeti të ri social që herët, mund të keni më shumë kohë për të kuptuar se çfarë përmbajtje promovuese funksionon. Kjo do t’ju vendosë përpara konkurrentëve që hapin llogaritë e tyre më vonë dhe mund të kenë vështirësi të vijnë me ide kreative për postime.

Për t’ju ndihmuar të qëndroni një hap përpara, më poshtë keni një listë me 8 platforma të reja sociale që mund të dëshironi t’i vendosni në radarin tuaj këtë vit. Të gjitha këto platforma kanë fituar një bazë të madhe përdoruesish, interes nga investitorët ose bujë lajmesh në muajt e fundit.

Për secilën platformë, ju tregojmë se si funksionon, bazën e saj të përdoruesve, pse mund të jetë premtuese për marketerët më vonë dhe si duhet t’i qaseni sot.

  1. Twitch 

Viti i lançimit: 2011

Numri i Përdoruesve: 140 milionë përdorues aktivë mujorë

Twitch është një platformë e transmetimit të drejtpërdrejtë që lejon krijuesit të ndërveprojnë me audiencën e tyre në kohë reale. Drejtuesi kryesor i trafikut të tij vjen nga entuziastët e video-lojërave.

Lojtarët mund të regjistrojnë veten duke luajtur lojëra popullore si Fortnite dhe Minecraft teksa audienca shikon dhe angazhohet. Disa krijues ofrojnë gjithashtu përmbajtje ekskluzive për ata që zgjedhin një plan abonimi me pagesë.

Përveç përmbajtjes së lojës, do të gjeni video dhe transmetime të drejtpërdrejta në lidhje me gatimin, muzikën dhe pothuajse çdo gjë në këtë rrjet social. Twitch ofron gjithashtu shfaqje interaktive live, nga eventet esports deri te festivalet, për 30 milionë vizitorët mesatarë ditorë.

Audienca në Twitch është e re, me 70% të shikuesve nga 16 deri në 34 vjeç. Nga këndvështrimi i markës, është një platformë e shkëlqyer për ndërtimin e një komuniteti ku marketerët mund të lidhen në një nivel personal me audiencën e tyre të synuar.

Nga pyetjet dhe përgjigjet deri tek përmbajtjet e prapa skenave, ka mënyra të ndryshme me të cilat markat mund të angazhojnë audiencën e tyre.

Lexo: Anila Busho, sipërmarrësja që e ndan jetën mes teknologjisë dhe bamirësisë

Sipas kërkimit të HubSpot Blog 2021, 75% e marketerëve të mediave sociale B2B planifikojnë të rrisin investimet e tyre në Twitch krahasuar me 28% të marketerëve B2C. 

Ngjashëm me influencuesit në rrjetet e tjera sociale, transmetuesit mund të sigurojnë jetesën në Twitch përmes abonimeve, reklamave dhe donacioneve.

Markat mund të zgjedhin nga një sërë hapësirash për vendosje reklamash, duke përfshirë karuselin e faqes kryesore dhe integrimet e transmetimit të drejtpërdrejtë. Ata gjithashtu mund të sponsorizojnë transmetues specifikë, shikuesit e të cilëve janë shumë të angazhuar.

Teksa audienca e Twitch diversifikohet dhe zgjerohet përtej video-lojërave, kjo e bën më të lehtë për markat të gjejnë rrugën e tyre. Përveç kësaj, markat nuk kufizohen në punën me transmetuesit në platformë. Ata mund të krijojnë praninë e tyre përmes një llogarie të markës dhe veçorive si emote, të cilat janë emoticon që mund t’i përdorni në platformë.

  1. Discord

Viti i lançimit: 2015

Numri i Përdoruesve: Mbi 100 milionë përdorues aktivë mujorë

Ajo që dikur ishte një platformë video-lojërash tani është shndërruar në një aplikacion bisedash.

Ja se si funksionon: Platforma funksionon në serverë, të cilët janë grupe të komunitetit që lejojnë bisedat me video, audio dhe tekst. Çdo përdorues mund të ndërtojë serverin e tij ose të bashkohet me një të krijuar nga një anëtar tjetër.

Kur u lançua për herë të parë, Discord ishte popullor në mesin e lojtarëve që dëshironin një platformë për të transmetuar video-lojëra dhe për t’u lidhur me një komunitet më të gjerë video-lojërash. Pas mbledhjes së fondeve prej 100 milionë dollarësh në vitin 2020, Discord njoftoi planet për t’u zgjeruar përtej këtij komuniteti.

Në një postim në blogun e platformës, bashkëthemeluesi dhe CEO Jason Citron ndau se përdoruesit e donin këtë ndryshim.

“Lojërat janë ato që sollën shumë prej jush në platformë dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë,” shkroi Citron. “Me kalimin e kohës, shumë prej jush e kuptuan dhe e vokalizuan, se thjesht dëshironit një vend për të qëndruar dhe biseduar në komoditetin e komuniteteve dhe miqve tuaj.”

Marka iu nënshtrua një ridizenjimi të markës dhe riformuloi mesazhet e saj për ta bërë atë një platformë gjithëpërfshirëse. 

Discord, aktualisht nuk bën reklama në platformë, duke e bërë atë vetëm një vend organik për markat. Platforma e investimeve fillestare Otis ka patur sukses të madh në këtë fushë.

Në një artikull për Digiday, kreu i marketingut të Otis, Cam Lay, tha se ata kanë ndërtuar një komunitet prej 600+ anëtarësh duke ndarë këshilla dhe duke u angazhuar rregullisht me përdoruesit.

Ata gjithashtu e përdorin komunitetin e tyre për të marrë reagime dhe për të fituar njohuri se si ndihet audienca për produktet dhe shërbimet e tyre.

Discord u ofron markave një mundësi fantastike për të krijuar besnikëri dhe besim ndaj markës. Për të qenë të suksesshëm në një platformë si kjo, markat duhet të investohen në audiencën e tyre dhe të jenë të gatshme për ta luajtur lojën gjatë. 

  1. TikTok

Viti i lançimit: 2017 (themeluar në 2016)

Numri i Përdoruesve: 1 miliard përdorues aktivë mujorë

Në vitin 2018, aplikacioni Musical.ly u bashkua me një aplikacion të ngjashëm njëvjeçar të quajtur TikTok. Sot, ai është më popullori në dyqanet e aplikacioneve sesa platformat e tjera të njohura të mediave sociale dhe pritet të arrijë në 1.5 miliardë në 2022.

Për ata që e mbajnë mend Vine ose Musical.ly, TikTok është një miks i të dyjave.

Platforma ju lejon të filmoni video të shkurtra që luhen në një lak të përsëritur ashtu si Vine. Por, si Musical.ly ose Snapchat, mund të shtoni efekte argëtuese, filtra AR, tekst dhe mbivendosje muzikore. Ashtu si platformat e ngjashme video, ai është përqafuar kryesisht nga përdoruesit nën 30 vjeç.

Pasi krijoni një video, aplikacioni ju lejon gjithashtu ta optimizoni atë duke shtuar hashtags për ta bërë më të lehtë gjetjen përmes kërkimit.

Një mënyrë se si hashtags janë përqafuar në TikTok është përmes skedës së tij “Zbulo”. Kjo zonë e platformës ju lejon të analizoni hashtag-et më në trend dhe t’i bashkoheni argëtimit. Kur postoni një video që i përgjigjet një sfide, mund të përfshini hashtagun përkatës në mënyrë që ata që ndjekin sfidën të mund t’i shohin videot tuaja.

Bashkë me diskutimet në botimet e New York Times dhe Digiday, aplikacioni ka fituar famë edhe nga komedianët si Jimmy Fallon. Ai flet për aplikacionin dhe u thotë fansave të konkurrojnë në sfidën e tij #tumbleweed.

Përveçse është argëtues, aplikacioni po “rrjedh në territorin e markës”, sipas Krystal Wu, ish-menaxhere e komunitetit të mediave sociale të HubSpot. Ajo shpjegoi se më shumë marka i janë bashkuar platformës, duke shtuar se, “The Washington Post është në TikTok dhe është gjithashtu mjaft popullor”.

Washington Post, siç ajo ka përmendur, tashmë ka fituar mbi 1 milion ndjekës.

Pritshmëritë do të ishin që gazeta të postonte përmbajtje me një ton më serioz ose investigativ. Megjithatë, Post tregon një vështrim më argëtues nga prapaskenat e redaksisë. Për shembull, një nga gazetarët përpiqet të ngjisë shkallët nën tingujt e “Electric Feel” të MGMT.

Markat si Guess gjithashtu kanë filluar të eksperimentojnë me TikTok.

Për të nxjerrë në pah linjën e re të veshjeve xhins, Guess lançoi sfidën #inMyDenim duke inkurajuar përdoruesit të publikojnë video të tyre duke veshur xhinset Guess me këngën e Bebe Rexhës, “I’m a Mess” e cila luhej në sfond.

Për momentin, kompanitë e modës, botimeve dhe argëtimit kanë filluar të luajnë me TikTok. Ndërsa platforma rritet, e shohim atë të zgjerohet në industri të tjera që janë në gjendje të bëhen krijuese dhe vizuale me taktikat e tyre të marketingut.

Në vitin 2021, 46% e marketerëve të mediave sociale të anketuar në studimin HubSpot Blog Research zbuluan se Tiktok ofron ROI të lartë, duke u renditur i treti pas Instagram dhe YouTube. Për këtë arsye, 93% e marketerëve që përdorin TikTok planifikojnë të rrisin investimin e tyre ose të vazhdojnë të investojnë të njëjtën shumë në vitin 2022.

Ndonëse mund të mos dëshironi të fokusoni ende të gjitha burimet tuaja marketimit të mediave sociale në TikTok, është koha e duhur për t’u njohur me aplikacionin dhe për të filluar eksperimentimin me disa video argëtuese.

Gjithashtu mund të përpiqeni të krijoni disa sfida ose ide videosh që mund të përputhen me markën tuaj dhe audiencën e re në këtë platformë. Nëse shihni ndonjë markë që është në një hapësirë të ngjashme si ju, ndiqini ato për t’u frymëzuar.

  1. Clubhouse 

Viti i lançimit: 2020

Numri i Përdoruesve: 10 milionë përdorues aktivë javorë

Ndryshe nga faqet tradicionale të mediave sociale Facebook ose Twitter, të cilat ofrojnë një platformë a-sinkrone për komunikimin dhe ndarjen e përmbajtjes, Clubhouse përdor lidhje sinkrone, vetëm me audio, ndërmjet audiencës dhe folësve.

Nuk është një podcast, por një mënyrë më personale për të ndarë informacionin me audiencën tuaj që mund të flasë me ju në kohë reale.

Mund të pyesni veten “Çfarë ndodh në të vërtetë në Clubhouse?” 

E vërteta është: Pak nga gjithçka.

Tema të tilla si nisja e një biznesi nga kapitalistët kryesorë të sipërmarrjes, diskutimet e marrëdhënieve nga të famshëm dhe madje edhe klubet e humorit nga humoristët e ardhshëm, të gjitha këto e gjejnë rrugën e tyre përpara audiencës së drejtpërdrejtë.

Lexo: “Luftë” dezinformatave ruse/ Kryeministrat e Polonisë dhe vendeve baltike kërkesë “gjigandëve” teknologjikë

Një pjesë e zhurmës rreth këtij rrjeti të ri të mediave sociale erdhi nga mënyra se si ai kundërshtoi çdo platformë tjetër sociale të disponueshme sot.

Ishte vetëm me ftesa – antiteza e mënyrës se si kemi arritur të kuptojmë dhe të shfrytëzojmë mediat sociale. Zhvilluesit e aplikacionit thanë se donin ta zhvillonin siç duhet Clubhouse para se ta publikonin atë për publikun, por përdoruesit që ishin bërë tashmë pjesë e grupit shërbenin si roje për mijëra biseda që ndodhin çdo ditë.

Si mund të funksionojë Clubhouse për marketerët dhe markat? Kjo mbetet për t’u parë, por profesionistët po eksperimentojnë. Gara për të thyer kodin në Clubhouse është e shpejtë pasi krijuesit e përmbajtjeve po ndërtojnë audiencat e tyre me shpresën për të siguruar mundësi fitimi parash kur ato të bëhen të disponueshme.

Nuk jeni i sigurtë se si ta shfrytëzoni? Konsideroni të organizoni një fokus grup joformal, të filloni një bisedë rreth një artikulli në blog me trafik të lartë që kompania juaj ka publikuar ose të kontribuoni në një bisedë të organizuar nga një lider i industrisë tuaj.

  1. Twitter Spaces

Viti i lançimit: 2020

Numri i përdoruesve: i pa specifikuar

Ngjashëm me Clubhouse, Twitter Spaces është një version beta i veçorisë më të re audio të aplikacionit. Kjo alternativë e bisedës zanore ndaj “tweet-eve” tradicionale me 280 karaktere të platformës sociale është e hapur për këdo që ka një pajisje iOS, por vetëm një grup njerëzish të zgjedhur nga Twitter mund të krijojnë hapësirën e tyre për të filluar një bisedë.

Ndërsa aplikacioni është i ngjashëm në natyrë me Clubhouse, Twitter po futet në këtë territor të ri vetëm me audio për të zbuluar mundësitë dhe kërcënimet në këtë lloj komuniteti. Clubhouse ka adresuar sfidat e tij me zbatimin e standardeve të komunitetit, një mundësi që Twitter dëshiron ta kuptojë për ta bërë platformën të sigurtë për të gjithë.

Morgan parashikon disa dije premtuese në lidhje me rrjetin më të ri social vetëm me audio nga Twitter,

“Hapësirat do të jenë një veçori e shkëlqyeshme në Twitter, sepse është tashmë një platformë jo-vizuale, miqësore për dialog”, thotë ajo.

Ajo parashikon që diskutimet e drejtpërdrejta, seancat e trajnimit dhe pyetjet dhe përgjigjet e klientëve mund të jenë disa opsione që mund të shfrytëzohen nga bizneset që do të përdorin “Twitter Spaces” sapo të publikohet. 

  1. Caffeine 

Viti i lançimit: Themeluar në 2016 dhe zbuluar në 2018

Numri i përdoruesve: i pa specifikuar

Caffeine.tv, një platformë e ndërtuar nga ish-dizenjuesit e Apple, ju lejon të krijoni transmetime të drejtpërdrejta për miqtë dhe ndjekësit. Transmetimet shfaqen në një burim ku mund të jepni një reagim me emoji ose të përgjigjeni me komente.

Së bashku me transmetimet video të drejtpërdrejta, ju gjithashtu mund të transmetoni ekranet e kompjuterit ose televizorit ndërsa luani video-lojëra. Kjo e bën Caffeine një konkurrent të mundshëm të shërbimit pak më të vjetër të transmetimit të lojërave, Twitch.tv. Ngjashëm me Twitch, i cili ju ofron para për shikime ose abonime, Caffeine ka nisur një program fitimi parash që shpërblen transmetuesit. 

Kompania nuk ka specifikuar ende numrat e përdoruesve, por profili i saj në Crunchbase zbulon se ka mbi 290 milionë dollarë investime deri më tani.

Përveç interesit të investitorëve, platforma ka filluar të bëjë bujë. Në vitin 2019, platforma u përdor për të transmetuar Lojërat X 2019 në Aspen. Në vitin 2021, Ultimate Rap League dhe muzikanti Drake përdorën aplikacionin për të transmetuar eventin e ditëlindjes së reperit.

Suksesi i deritanishëm i Caffeine tregon sesi videot live dhe platformat video po përqafohen shpejt nga audienca më e re, veçanërisht në grupmoshën Gen-Z. Nëse aplikacioni vazhdon të fitojë interes, marketerët mund të konsiderojnë përdorimin e tij për të treguar markën e tyre përmes një sërë strategjish, si p.sh. përmbajtje prapa skenave, pyetje dhe përgjigje ose video të tjera live. 

Kjo platformë mund të jetë gjithashtu e dobishme për marketerët në një shumëllojshmëri të gjerë industrish, duke përfshirë lajmet, argëtimin, lojërat dhe sportet.

Nëse transmetimi live mund të ndihmojë kompaninë tuaj të përhapë ndërgjegjësimin për një produkt, mund të jetë koha e duhur për t’u njohur me Caffeine dhe Twitch.

Ndërsa mësoni më shumë rreth këtyre platformave, sigurohuni që të përcaktoni nëse audienca juaj po përdor ndonjërën prej tyre dhe për çfarë po i përdor ato. Ju gjithashtu duhet të shikoni se çfarë po bëjnë markat e ngjashme nëse gjeni ndonjë me llogari aktive.

Nëse keni një ide për një transmetim live që duket shumë i pazakontë për Facebook ose Instagram, Caffeine mund të jetë një vend interesant për ta testuar. Për shkak se platforma është e re, mund të mos ketë ende shumë norma ose rregulla që lidhen me përmbajtjen që funksionon ose nuk funksionon.  

  1. Instagram Reels

Viti i lançimit: 2020

Numri i përdoruesve: i pa specifikuar

Nuk mund ta mohojmë që TikTok ndryshoi rregullat e lojës për mediat sociale që nga debutimi i tij në 2017-ën. Është ende në listën tonë këtë vit pasi platforma vazhdon të rikrijojë veten dhe të zgjerohet në audienca të reja.

Në vitin 2019, Facebook vuri në dukje trendin e TikTok dhe u përgjigj me Lasso, por i dha fund përpjekjes për t’i lënë hapësirë “Instagram Reels”.

Reels tani është në konkurrencë të drejtpërdrejtë me TikTok, duke ofruar një funksionalitet të ngjashëm të krijimit të videos. Përdoruesit e Instagram mund të krijojnë video të zbukuruara me efekte speciale, muzikë dhe tranzicione, të njohura për mbajtjen e përdoruesve të angazhuar.

Si mund të funksionojë Reels për biznesin tuaj? Gjithçka, nga ndarja e publikimeve të produkteve deri te udhëzuesit si të përdorni, Reels mund të jetë një metodë tërheqëse për markat për arritur audiencën e Gen Z. Nëse nuk jeni të sigurtë ku të filloni, The Social Impact ka disa shembuj argëtues dhe informues se si të përdorni Reels.

Nuk jeni i sigurtë se si ta përdorni këtë veçori të re të Instagram? Filloni me markën tuaj. Reels janë një lloj përmbajtje argëtuese që mund të shfaqë personalitetin e markës suaj. Nuk keni nevojë për kamera të shtrenjta ose një regjisor për të publikuar përmbajtje që kanë faktor viral.

Lexo: 7 tendencat kryesore të teknologjisë financiare që po transformojnë sektorin e shërbimeve Fintech

Nëse ekipi juaj ende nuk ka kapacitet për të prodhuar këtë lloj përmbajtje, merrni parasysh të kontaktoni një influencues për të krijuar Reels në emrin tuaj.

Si të lundroni në peizazhin e ri të mediave sociale?

Një marketer që zbulon një kanal të ri social, fillimisht mund të bëhet ekspert në postimin e përmbajtjeve tërheqëse përpara se konkurrentët e tyre të regjistrohen.

Por, ndërkohë që është e rëndësishme që marketerët të kenë platformat e reja interesante në radarin e tyre, prioriteti i parë duhet të jetë gjithsesi fokusimi i kohës, përpjekjes dhe burimeve në platformat që tashmë po lulëzojnë.

Për t’u siguruar që po balanconi kohën tuaj midis kanaleve të reja dhe të vjetra në përputhje me rrethanat, përqëndrohuni në rritjen dhe përsosjen e strategjive në platformat e suksesshme, më pas lini hapësirë një orë ose më shumë se një herë në muaj për të parë platformat e reja.

Nëse gjeni një platformë si TikTok, që është relativisht e re dhe ka një bazë përdoruesish në rritje të shpejtë, bëni “brainstorm” dhe planifikoni disa postime eksperimentale.

Sigurohuni që të përdorni kohën e eksperimentimit me mençuri dhe në platformat e duhura. Ndërsa TikTok është një vend i mrekullueshëm për të eksperimentuar dhe nuk duket se do të zhduket së shpejti, ka gjithmonë një shans që një platformë jashtëzakonisht e veçantë, si Clubhouse, të mund të eklipsohet nga një konkurrent më i madh si Twitter Spaces.

Kur jeni duke përcaktuar se cilat platforma ia vlen të shikoni ose eksperimentoni, këtu janë gjashtë pyetjet që ekipi juaj duhet t’i bëjë vetes:

  •       Cili është numri i përdoruesve aktivë? Një numër i lartë, mund të nënkuptojë se platforma po fiton vrull dhe se ju keni edhe më shumë shanse për t’u angazhuar me një grup të madh përdoruesish.
  •       A po flasin mediat apo liderët e mendimit (opinion leaders) për këtë? Nëse një platformë nuk specifikon numrat e saktë, por shumë njerëz, figura të shquara ose botime lajmesh po e diskutojnë, atëherë mund të jetë premtuese.
  •       A kanë platformat e vjetra një mjet të ngjashëm dhe një bazë më të madhe përdoruesish? Nëse një platformë e vjetër bën të njëjtën gjë, njerëzit mund të hezitojnë të përqafojnë një platformë më të re. Për shembull, marketerët përdorin kryesisht Stories në Instagram në krahasim me Snapchat. Megjithëse Snapchat ishte pionier, ndërfaqja dhe përvoja në Instagram janë gjëra që shumë më tepër njerëz i njohin, i kuptojnë dhe i besojnë.
  •       A do ta kuptojë audienca ime se si ta përdori platformën? Mund të jetë sfiduese të bësh një person më pak të apasionuar pas teknologjisë t’i bashkohet Snapchat ose TikTok, por ata mund të duan një platformë si Facebook ose Twitter, sepse ndërfaqet e tyre mund të jenë më të lehta për t’u kuptuar. Zgjidhni platformat që audienca juaj mund t’i përdorë dhe shijojë lehtësisht.
  •       A do të interesohet audienca për platformën? Ndërsa një fillestar i teknologjisë mund të mos kënaqet me TikTok, një adoleshent mund të mërzitet në një platformë si Facebook. Në fakt, të rinjtë preferojnë aplikacione vizuale si TikTok dhe Instagram. Ndërsa dëshironi t’i kushtoni vëmendje nivelit të përshtatshmërisë, duhet t’i kushtoni vëmendje edhe mënyrës se si audienca juaj dëshiron të konsumojë media.
  •       Çfarë lloji të përmbajtjes ose postim mund të përdorim për të promovuar markën tonë në platformë? Gjithmonë duhet të bëni një plan veprimi kur mendoni ose hapni një platformë sociale. Nëse nuk mund të gjeni ndonjë mënyrë interesante për të tregtuar produktin tuaj specifik në një platformë të veçantë, mund të dëshironi të ndaloni krijimin e një llogarie. Nga ana tjetër, eksperimentimi me strategji të ndryshme postimi mund të lejojë që marka juaj të duket kreative dhe e lezetshme për audiencën e platformës.

A duhet të ndiqni tendencat e mediave sociale të vitit 2022?

Sjellja e konsumatorit ndryshon shpejt në hapësirën digjitale dhe bizneset që përshtaten me tendencat e mediave sociale mund të kenë sukses.

Nëse i kushtoni vëmendje këtij lloj hulumtimi të marketingut dhe e përshtatni atë me audiencën tuaj të synuar, mund të krijoni një plan të jashtëzakonshëm të mediave sociale që nxit ndërgjegjësimin dhe nxjerr në pah anën kreative të markës tuaj. 

Mbani mend, jo çdo trend do të funksionojë për të arritur qëllimet tuaja, prandaj mos hyni në këtë peizazh të ri të mediave sociale pa të dhënat më të përditësuara.

https://blog.hubspot.com/marketing/new-social-media?utm_campaign=Marketing%20Blog%20Weekly%20Email%20Sends&utm_medium=email&utm_content=198458323&utm_source=hs_email

Artikulli u publikua më parë në faqen 82 të numrit 28 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë digjitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 28 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0