Ky vit që sapo kemi nisur është shoqëruar me disa masa lehtësuese dhe mbështetëse për individë e sektorë. Karakteristikë e një viti zgjedhor, por edhe një viti që ka nevojë për lehtësi për shkak të krizës së shkaktuar nga pandemia. Mes lehtësive më të mëdha rezulton rritja e pragut të xhiros për disa aktivitete për pagesën e Tatim Fitimit dhe TVSH-së si dhe ulja e TVSH-së për disa sektorë apo shërbime.
1-Paga minimale është 30 000 lekë/muaj nga 26.000 që ishte.
2- Nis fiskalizimi gradual. Prej 1 janarit procesi i ri i fiskalizimit do të aplikohet për sipërmarrjet që janë në marrëdhënie kontraktore me institucionet publike, për të vazhduar me tej në tre faza zgjerimi.
3-0 Tatim Fitim për bizneset me xhiro deri në 14 milionë lekë. Pragu i Tatim Fitimit ishte 5 milionë lekë xhiro në vit.
4- 0 TVSH për profesionet e lira deri në kufirin e qarkullimit vjetor 10 milionë lekë. Nga heqja e TVSH-për këtë kategori përfitojnë, avokatë, noterë, auditues, kontabilistë e vlerësues të pasurive të paluatshme. Këtë lehtësi do të vazhdojnë ta përfitojnë dentistët, të cilët e gëzonin prej rreth 5 vitesh.
5- Startup-et. Me ligjin e ri startupet do të trajtohen me disa forma lehtësuese. Ngrihet Bordi i Vlerësimeve të Startupeve Inovative dhe përjashtohen nga taksat për tre vitet e para.
Lexo: Ministri Shalsi: startupet do të kenë struktura mbështetëse dhe lehtësi
6- Mbi 10 milionë lekë xhiro- fermerët do të paguajnë TVSH dhe kjo e fundit do t’u kompensohet. Me këtë masë, rritet pragu pagesës së TVSH-së dhe rrjedhimisht kompensimit të tij nga 5 në 10 milionë lekë.
7- Zbret nga 20% në 5% TVSH për investimet në sport. TVSH zbret nga 20% në 5%. Me këtë masë pritet të përfitojnë më së shumti kompanitë dhe investimet për llogari të shërbimeve publike, si ndërtime dhe mirëmbajtje të infrastrukturave të ndryshme sportive për klubet sportive.