42 biznese turistike në Shkodër konkurrojnë online me idetë e tyre të biznesit - Business Magazine Albania

42 biznese turistike në Shkodër konkurrojnë online me idetë e tyre të biznesit


Në kulmin e krizës së shkaktuar nga pandemia e virusit covid19, Shkodra zgjodhi të luftojë izolimin përmes një takimi virtual dy ditë rresht me 42 biznese turistike.

Të përzgjedhurit mes 60 sipërmarrjeve turistikë dhe të agrobiznesit nga 5 bashkitë e Qarkut, ata sollën ide novatore për ta rigjeneruar sektorin e turizmit pas krizës aktuale që ka prekur thellë edhe operatorët turistikë në Shkodër.

Anulimin e mijëra netëve fjetje në strukturat akomoduese e për rrjedhojë edhe të gjithë zinxhirin e shërbimeve mbështetëse të këtij sektori, sipërmarrësit e turizmit nga bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës e Fushë-Arrëz, e madje edhe nga Tropoja e Tirana, mendojnë ta rekuperojnë me diversifikimin e ofertës së tyre turistike. Sipas sipërmarrësve, që nga resortet luksoze e deri te përpunuesit artizanalë të produkteve tradicionale, duhet shfrytëzuar nevoja e njerëzve për ta kapërcyer traumën e izolimit pasi të hiqen kufizimet e lëvizjes, dhe njëkohësisht edhe buxheti i limituar me të cilin ata do të dalin nga shtrëngimet financiare dhe ekonomike të krizës. Për këtë arsye, gjatë prezantimit të ideve të tyre përpara jurisë, sipërmarrësit e vlerësuan si të drejtë pritshmërinë e një rritjeje të lehtë të turizmit të brendshëm pas pandemisë, kryesisht drejt natyrës dhe zonave rurale.

Eltjana Shkreli, drejtuese e GO2 thotë se, “Sipërmarrësit u përzgjodhën në bazë të një Thirrjeje për Aplikime që #GO2Innovation – Qendra e sapokrijuar e Inovacionit për turizmin dhe agrobiznesin në Qarkun Shkodër shpalli në fillim të muajit Mars. Një juri teknike zgjodhi 42 biznese për fazën e dytë, e cila përfshinte një prezantim të idesë së tyre inovative përpara jurisë, mirëpo shpallja e Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore i dha një drejtim tjetër punës në të gjithë botën, duke e orientuar atë drejt punës në distancë. Prandaj, brenda një kohe rekord, ekipi i kësaj Qendre Inovacioni rikonceptuoi gjithçka në kushtet e reja”.

Për këtë, ata shfrytëzuan Zoom, platformën që këto ditë e bëri themeluesin e saj Eric Yuan një ndër miliarderët e rinj të botës.

U zgjodh juria me ekspertë dhe sipërmarrës: Pezana Rexha, Xaira Kastrati, Alda Dhamo, Shkëlzen Marku dhe Gojart Smaja. Më pas, ndonëse në kushte ndalimqarkullimi, duheshin kontaktuar me të gjitha mjetet dhe në mënyrë të përsëritur të gjithë sipërmarrësit e përzgjedhur, për t’ua shpjeguar modalitetet e intervistimit online, përmes video-thirrjeve në Zoom. Natyrisht që kjo është e lehtë për këdo që jeton në qendrat urbane, por gjysma e aplikimeve në #GO2Innovation vinin nga zonat e thella malore ku mungon rruga, sinjali telefonik apo energjia elektrike, e për këto e të tjera arsye, frekuentimi i teknikave dixhitale është më i kufizuar.

Megjithatë intervistat me 5 grupet e sipërmarrësve u realizuan brenda afateve të parashikuara nga organizatorët. Sipërmarrës nga bjeshkët e Vermoshit, nga malet e Pukës, nga Thethi, nga Kryeziu i Fushë-Arrëzit, Tamara, por edhe nga fshatrat përreth Koplikut, Shkodrës e Pukës ndanë me jurinë dhe audiencën gjithnjë e në rritje, idetë e tyre të biznesit, që nga ngritja e një pularie apo ofrimi i xhirove me kuaj, e deri te shërbimi i ruajtjes së bagazheve të turistëve gjatë qëndrimit në Shqipëri. Idetë më të mira do të zgjidhen nga juria, ndërsa bizneset fituese do të sigurojnë një seri shërbimesh nga Qendra e parë e Inovacionit e dedikuar për turizmin dhe agrobiznesin në zonat rurale, ngritur me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Tiranë (SIDA) në kuadër të projektit EU for Innovation.

Për dy ditë rresht, më 6 dhe 7 Prill, u mbajtën më shumë se 14 orë prezantime dhe intervista në seanca të ndara me grupet e biznesit të madh (6 sipërmarrës), të artizanatit (5 sipërmarrës), të agroturizmit (9 sipërmarrës), të startup-eve (12 sipërmarrës) dhe të turizmit (10 sipërmarrës). Përveç sipërmarrësve që mbrojtën idetë e tyre para jurisë, seancat u ndoqën edhe nga publiku i interesuar. Organizatorët shprehen të kënaqur nga ecuria e seancave. Madje zhvilluesja e këtij projekti, drejtorja ekzekutive e Organizatës GO2, Eltjana Shkreli thotë se gjatë këtyre ditëve pati debat të gjerë mes sipërmarrësve dhe anëtarëve të jurisë, sidomos në seancat e biznesit të madh, startup-eve dhe turizmit. Shumica e sipërmarrjeve të turizmit e jo vetëm, janë biznese familjare, prandaj pati kaq shumë pasion në diskutimet e tyre, thotë Shkreli, duke veçuar sipërmarrësit e rinj, që sipas saj, kanë nevojë për maturi vlerësim real sa të  potencialeve, aq edhe të rrezikut.

Sipas Shkrelit, është i admirueshëm fakti se shumica e sipërmarrjeve konkurruese në #GO2Innovation drejtohen nga vajza të reja dhe gra, të cilat synojnë të krijojnë ekonomi familjare për vete dhe punësim për gratë e zonave përreth, sepse ato synojnë të nxisin impakt të fortë jo vetëm ekonomik, por edhe social.

Edhe për sipërmarrësit, si dhe për anëtarët e jurisë, ekspertë të sipërmarrjes, të inovacionit, të marketingut dhe të sektorit bankar, dy ditët e seancave ishin një përvojë frymëzuese në këto ditë të pazakonta. Ata vlerësuan dëshirën e sipërmarrësve për gjetjen e alternativave për kapërcimin e situatës post-pandemike, si dhe lehtësimin e plagëve që ekonomia në përgjithësi, e sidomos sektori i turizmit do të marrë nga kriza botërore.

Organizata GO2 ka një kontribut të hershëm në sektorin e turizmit në Qarkun Shkodër, përmes krijimit të disa prej paketave më origjinale turistike e që shtrihen në të gjithë zonën, të promovimit të lëvizjes me biçikletë si një atraksion turistik, të organizimit të katër konferencave vjetore për turizmit në këtë qark, të hartimit të Kalendarit të parë të Festave në nivel kombëtar – “Veriu është Festë” etj. Megjithatë, ndër kontributet më të rëndësishme të këtij ekipi për sektorin e turizmit në Shkodër është padyshim konceptimi dhe realizimi i Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Thethit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0