Çfarë ndodhi në spark.me 2018? Konferenca që mblodhi mbi 450 pjesëmarrës në Budva

Çfarë ndodhi në spark.me 2018? Konferenca që mblodhi mbi 450 pjesëmarrës në Budva

Në datat 26 dhe 27 Maj u organizua spark.me, një nga konferencat më të rëndësishme të biznesit / internetit në Europën Juglindore në qytetin bregdetar të Budvës, Mali i Zi. Konferenca është organizuar çdo vit që nga viti 2013, nga Domain.ME, një kompani private që është në ngarkim të domain-it kombëtar të internetit të Malit të Zi.

Nën sloganin “Use your Spark, illuminate the world”, konferenca dy ditore mblodhi në Budva mbi 450 pjesëmarrës dhe 13 folës nga e gjithë bota.

Vladimir Vulic, drejtuesi i spark.me e hapi konferencën me një fjalim mjaft inspirues, duke përmendur qëllimin e saj, për të ndërtuar një komunitet me folësit dhe të gjithë pjesëmarrësit ndër vite.

Folësi i parë ishte Mark Schaefer, strategu i marketingut për mediat sociale, i cili na tregoi përse strategjitë e vjetra të marketingut nuk po funksionojnë më. “Ne nuk i shohim më reklamat. Edhe nëse i shohim, nuk i besojmë. Për të tërhequr vëmendjen, duhet që marka jonë të jetë sa më njerëzore dhe sa më pranë audiencës dhe nevojave të tyre. Duhet të krijojmë përmbajtje të vlefshme, që ata ta shpërndajnë me miqtë e tyre.”

Jon Burkhart është një folës i vlerësuar me disa çmime, strateg i përmbajtjes dhe bashkautor i librit “Newsjacking: The Urgent Genius of Real-time Advertising”. Ai na mësoi dhe sygjeroi ta përdorim kuriozitetin në çdo gjë që ne bëjmë, jo vetëm gjatë punës por edhe në jetën tonë të përditshme. “Çdo ditë ne kemi shpërqendrime të shumta dhe është gjithmonë e më e vëshitrë që të fokusohemi në gjërat që bëjmë. Ne duhet të pyesim dhe të jemi kuriozë për çdo gjë, si fëmijët e vegjël.”

Folësja më fantastike e konferencës ishtë padyshim Xenia Tchoumi, influencuse, sipërmarrëse online me 7 + milionë ndjekës në mediat sociale dhe folëse tre herë në TEDx. “E vetmja mënyrë për të qenë i suksesshëm në botën dixhitale është të angazhohesh sa më shumë me ata që të ndjekin dhe të jesh këmbëngulës.”

Cyborgs Neil Harbisson dhe Moon Ribas ishin pa dyshim folësit më të veçantë të konferencës. Neil është i njohur pasi është i pari person që ka implementuar në kafkë, një antenë e cila ndihmon në perceptimin e ngjyrave nëpërmjet tingujve. Ndërkohë shoqja e tij, Moon Ribas ka aftësinë për të ndjerë tërmetet kudo në planet, në saj të një sensori të implementuar në këmbë. Duken si nga një tjetër planet apo jo?

Kerry O’Shea Gorgone ishte folësja e radhës në spark.me, e cila na tregoi sekretin për të krijuar përmbajtje të vlefshme, të cilin e kishte zbuluar duke realizuar 300+ podcasts me persona të suksesshëm. “Ju duhet të krijoni një biznes ku punonjësit tuaj nuk punojnë për ju por me ju.”

Folësi i fundit i ditës së parë ishte Mike Massimino, ish astronaut i NASA dhe personi i parë që ka dërguar një tweet nga hapësira. Të dëgjoje fjalimin e një personi i cili ishte refuzuar tre herë për t’u bërë pjesë e NASA dhe vetëm herën e katërt ishte pranuar ishte vërtet inspiruese. Ai ka kaluar rreth 26 ditë në hapësirë gjatë karrierës së tij.

Dita e dytë e konferencës nisi me folësen Denise Lee Yohn, e cila na tregoi se si markat e mëdha krijojnë lidhje me konsumatorët e tyre dhe se si i ndërtojnë programet e besnikërisë. “Suksesi i një kompanie nuk varet nga shitja e një produkti por ndarja e eksperiencës së produktit. Markat e mëdha nuk ndjekin trendet, ato ndjekin konsumatorët e tyre.”

E dini historinë se si është krijuar dhe funksionon Shazam? Me siguri që jo, por ai është pikërisht programi që përdorim kur dëgjojmë një këngë por nuk e dimë titullin e saj. Këtë histori na e tregoi Dhiraj Mukherjee, njëri nga bashkë-themeluesit e Shazam, i cili nisi si startup. “Gjëja më e rëndësisshmë që duhet të bëni kur filloni një startup është të keni një ekip të mirë dha ta shijoni si eksperiencë.”

Folësi i radhës, Boyd Multerer, themelues i Xbox Live na tregoi më shumë për inxhinieringun ekstrem, me një prezantim ndryshe nga ato që mund të kemi parë. Vetëm me disa fjalë jo shumë të dëgjuara ai arriti të na shpjegonte dhe të na tregonte problemet që do të shfaqen në dekadat e mëvonshme. “Ndoshta nuk i keni kuptuar çdo gjë që unë thashë gjatë fjalimit tim, por kjo nuk ka rëndësi për momentin. Pas disa kohësh do ta kuptoni për çfarë e kisha fjalën.” Misterioze…

Matt Desmier është një strateg që punon me markat dhe organizatat për t’i ndihmuar ato për të marrë vendime të mëdha. “Ju duhet të keni një qëllim të qartë në mendjen tuaj dhe patjetër të keni një produkt të mirë.”

Dave Birss ka një mision të veçantë: të eleminojë të gjithë “fjalët e kota” që qarkullojnë rreth fushës së krijimtarisë. Ai na mësoi se të gjithë jemi kreativ, por duhet të punojmë si një ekip për të bërë gjëra të mëdha.

Maestro Italy Talgam ishte folësi i fundit i konferencës por i vetmi që u kthye në skenë dy herë nga duartrokitjet e publikut. Gjatë fjalimit të tij, ai na tregoi se organizatat funksionojnë si një orkestër, ku dirigjenti drejton të gjithë muzikantët, ashtu siç ndodh me CEO-n dhe punonjësit që e rrethojnë.

Business Magazine ishte pjesë e kësaj konference mjaft frymëzuese si media partnere për të tretin vit radhazi me foto, video dhe intervista të cilat do të publikohen së shpejti.