17 kanale në YouTube që adhuruesit e makinave duhet t'i konsiderojnë
Përditësuar së fundmi: 13/07/2018

17 kanale në YouTube që adhuruesit e makinave duhet t’i konsiderojnë

Share
nga Jon
Kor 13, 2018

Dikur ishte tepër e vështirë që të gjeje informacion për pasionet e tua. Sot, ke me mijëra kanale në YouTube për thuajse çdo temë të caktuar. Dikur ishte vetëm Top Gear, Fifth Gear, apo revistat automotive për të apasionuarit e makinave.

Sot, në YouTube, për këtë temë, mund të gjesh jo vetëm video profesionale, por edhe Vlog, të cilat ofrojnë të gjithë eksperiencën e nevojshme për një të apasionuar. Kjo, si për stilin e jetesës, ashtu edhe për të dhëna teknike apo edhe më tepër.

Edhe në Shqipëri, ka media të tilla të dedikuara për makinat. Këto qoftë me materiale, foto, video, apo edhe artikuj të shkruar. Pa dyshim, jo me po të njëjtën cilësi si mediat e huaja, por me vizion dhe me inspirim nga të mëdhenjtë e kësaj industrie.

Kështu, kemi vendosur të rendisim disa prej tyre, të cilat mendojmë se patjetër duhet t’i ndiqni:

BusinessMag Automotive

kanale ne YouTube

Po e nisim pak nga vetja. BusinessMag Automotive e krijuam me qëllim që të dedikohemi dhe të flasim vetëm për makinat, me sa më shumë eksperiencë nga vendi ynë. Përveç materialeve video, shkrimet, lajmet e ndryshme, janë një pjesë e gjithë kësaj. Deri më tani, janë realizuar 3 video, të cilat mund të gjenden në kanalin e YouTube të BusinessMag. Të tjera video pritet të realizohen në vijim.

Carfection

kanale ne YouTube

Carfection ka aktualisht 525 mijë subscribers dhe është një nga kanalet që, veçanërisht kohët e fundit, është përgjegjëse për disa nga video-t më të bukura online sot. Henry Catchpole, një nga gazetarët kryesorë të kanalit, është një nga personat me karizmatik të tregut. Me pamjen tepër të thjeshtë (ndoshta edhe pak të çuditshme) që e karakterizon, ai ka patur mundësinë që të drejtojë disa prej makinave më unike ndonjëherë. Ky kanal publikon edhe opinione apo diskuton tema të ndryshme të cilat janë në mendjen e gjithkujt prej nesh.

Seen Through Glass

kanale ne YouTube

Sam Michael David Fane, është personi “pas syzeve”. Kanalin e tij ai e hapi në 14 shtator 2014. Idea pas kësaj, ishte realizimi i videove POV. Më konrektisht, në fillim ai përdorte një palë syze, të cilat kishin një kamera në mes, dhe e gjithë video ishte e realizuar sikur shikuesi ishte vetë STG. Për pak kohë ai u rrit shumë, filloi bashkëpunimet me të tjerë si psh. Supercars of London. Ai është një personazh karizmatik, tepër pozitiv, dhe me një dashuri të pashtershme për makinat italiane…ndonëse aktualisht posedon edhe një Porsche. Aktualisht me 357 mijë subscribers është nga ato kanale në YouTube, në të cilën ia vlen të shpenzosh kohën.

TheSmokingTire

kanale ne YouTube

Matt Farah, është një nga emrat më të vjetër përsa i përket gazetarisë automotive të shekullit të 21. I njohur ndryshe edhe si “The Smoking Tire”, ai e ka hapur këtë kanal në 23 qershor 2009, por eksperienca e tij është më e vjetër se kaq. Ai në mënyrë periodike poston “podcast-et” e tij, por edhe seri të “One take”. Në të, persona të ndryshëm i japin makinën e tyre Farah, dhe ai bën një review të makinës, super të thjeshtë, por me tepër cilësi. Kjo, ndoshta edhe sepse eksperienca e tij e lejon që të mund t’i menaxhojë më mirë burimet dhe të jetë sa më efiçent.

Davide Cironi Drive Experience

kanale ne YouTube

Ai ka vetëm 166 mijë subscribers dhe e ka hapur profilin e tij në 4 qershor 2013. Por ky rast është ilustruesi më i mirë se jo gjithmonë kanalet me miliona subscribers, janë ato më cilësoret. David Cironi, është italiani tipik kur vjen puna tek makinat. Ashtu si thuhet nga shumë personazhe të fushës, Italia është vendi ku çdo njeri është entuziast për makinat. Pasionant, emocional, me nje pamje tipike italiane, ai është aq tipik, sa edhe gjuha e kanalit, është ajo italiane. Por, për ata që nuk flasin italisht, e ka një zgjidhje. Pak ditë pasi një video postohet, vendosen titrat anglisht. Ndryshe nga shumë kanale të tjerë, për të, më shumë rëndësi ka pasioni, sesa lloji dhe marka e makinës. Në të mund të gjeni makina nga Fiat Uno Turbo tek Lamborghini Huracan Performante. Ai gjithashtu realizon shpesh intervista me njerëz që kanë lënë gjurmë në këtë industri, si rasti i Nicola Materazi, inxhinieri i Ferrari F40.

Petrolicious

kanale ne YouTube

Petrolicious është një nga kanalet më unik në YouTube. Ata hapen profilin e tyre në 14 mars 2012, dhe që prej atëherë, nuk kanë rreshtur së realizuari video unike me makina kryesisht të para vitit 2000. Me videot e tyre ata mbajnë gjallë shpirtin purist që po vdes në epokën e globalizmit dhe teknologjisë. Ata janë “partizanë” të analoges, dhe videot e tyre janë të mbushura me pasion. Shpesh janë intervista me vetë pronarët e makinave. Ata flasin pak më shumë për makinën e tyre, dhe na bëjnë të kuptojnë çka është kaq e veçantë me to. Nëse jeni nostalgjik dhe vlerësoni të vjetrën, ky është destinacioni i duhur për ju.

Mr JWW

kanale ne YouTube

Ndryshe nga shumë persona, të cilët me anë të YouTube u bënë të njohur dhe u rritën ekonomikisht, Mr JWW, apo James Walker, e gjeti YouTube dhe median sociale si një hapësirë për t’u shprehur. Ai vjen nga një familje me të ardhura të mira. Babai i tij ka qënë dikur garues në Formula Ford, kur pjesëtarë të tjerë të familjes restaurojnë dhe shesin makina klasike. Personalisht ai ka një kompani, e cila prodhon veshje dhe e gjithë kjo, e ndihmoi atë të rritet shumë për më pak se 3 vite kur ai hapi profilin e tij në 16 tetor 2018. Ai dallohet për aftësitë komunikuese dhe mënyrën se si i ka të organizuara videot. Vlen të përmendet, që ai vazhdon të mbetet minimalist dhe nuk ka një skuadër të tërë nga pas. Shumica e video-ve të tij janë në formë Vlog-u.

THE DRIVE

kanale ne YouTube

Mund të themi sy ky kanal mund të jetë i pari i kësaj kategorie në YouTube. Një detaj i vogël. YouTube filloi funksionimin e saj në 14 Shkurt 2005. The Drive, e ka hapur profilin në 28 nëntor 2005. Stafi i The Drive përbëhet nga emra të njohur si Mike Guy, Mike Spinelli apo rekordmeni Alex Roy. Videot e tyre janë të thjeshta por me shumë cilësi në brendësi. Shumllojshmëria e materialeve dhe temave, personat, aksesi në vende ekskluzive, e bëjnë këtë kanal  super të vjetër me 1.8 milionë subscribers të denjë për t’u ndjekur, ritmi i tij nga rënë ndjeshëm. Ky është një nga ato kanale në YouTube që ka prekur thuajse pjesën më të madhe të pikëpyetjeve që mund të na kenë lindur ndër vite.

Misha Charoudin

kanale ne YouTube

Ai dikur ishte vetëm një punonjës i thjeshtë, i cili bënte thuajse çdo gjë në një prej kompanive që japin makina me qira për në pistën e Nurburgring. Pista në fjalë, për ata që nuk e dinë, konsiderohet si një nga më të bukurat në Botë. E gjatë rreth 21 kilometra, ajo është tempulli ku makinat (kryesisht të shpejta) testohen. Duke shfrytëzuar këtë, ai hapi në fillim një profil me emrin Boosted Boris. Më pas, filloi të postonte në një tjetër profil nën emrin e tij, ku filloi të sillte momente nga vendi i ri i punës, një kompani makinash me qera që quhet Apex, dhe detaje të tjera, të pa mundura më parë. Për më tepër, në gjuhën angleze. Ai poston rregullisht dhe na përcjell pamje dhe përvoja pak të shtrenjta për t’i provuar vetë fizikisht.

Motor Trend Channel

kanale ne YouTube

Është gjithashtu një kanal tepër i vjetër i hapur në 11 mars 2006. Është një nga kanalet e makinave me më shumë subscribers, plot 5.7 milionë. Videot e kanalit janë të një cilësie të lartë, dhe në fokus gjithashtu është edhe zbavitja, jo vetëm informimi. Në një formë apo në një tjetër, janë një mini Top Gear, ku prezantuesit janë më shumë se sa entuziastë makinash. Ata zhvillojnë teste të ndryshme dhe flasin për lloje të ndryshme makinash. Një referencë shumë e mirë.

TheHoonigans

kanale ne YouTube

Emri i thotë të gjitha. Ata ftojnë në garazhin “ku jetojnë” njerëz të ndryshëm me makina nga më të ndryshmet. Nga më të thjeshtat te më ekstremet. Nga më të ngadaltat tek më të shpejtat. Kryefjala është vetëm qejfi! Aktualisht kanali ka 1.7 milionë subscribers dhe video të reja postohen shumë shpesh, thuajse 1 herë në 2-3 ditë. Një kanal, i cili ia vlen të ndiqet kur do që të shkëputesh pak nga makinat e zakonshme.

Doug DeMuro

kanale ne YouTube

Ndonëse jo një nga personat më simpatikë në industri, DeMuro me thjeshtësinë e videove të tij, me 1.8 milionë subscribers, arrin të marrë mbi 1 milion shikime në çdo video që ai poston. Ai futet në detaje të çdo makine që merr për të prezantuar. Madje, shpesh edhe makina të tilla si Lamborghini Espada, Maserati Ghibli origjinal, Lamborghini Jarama apo edhe BMW Z1. Ndonëse shpesh me ide të egzagjeruara, kanali i tij mbetet një prej atyre që meriton vëmendje.

1320video

kanale ne YouTube

Ky kanal është gjithashtu i vjetër. I hapur në 16 maj 2006, ai tregon mënyrën dhe jetën e garave në Amerikë, kryesisht ato drag. Aty mund të gjejmë makina nga më ekstremet ku kryefjala është “kuajt fuqi”. Ky kanal na fut në një botë tjetër garimi, ndryshe nga ato që jemi mësuar të shohim në Europë. Siç dihet botërisht, kultura e drag racing në Amerikë, është njësoj si kultura e drifting në Japoni, apo e hill climbing në Europë.

Donut Media

kanale ne YouTube

Ai është një nga kanalet më cool në internet. Ndonëse relativisht të rinj (9 korrik 2015),  grupi tashmë kanë plot 972 mijë subscribers. Temat për të cilat ata zgjedhin të prezantojnë me shumë humor, janë të shumllojshme, dhe tepër informuese. Ata flasin shpesh për historinë e shumë kompanive, modeleve, apo histori të ndryshme brenda automobilizmit. Kanali i tyre ka një prani tepër të mirë, sikurse edhe ajo çka gjendet brenda në të. Nëse ata do të munden ta mbajnë ritmin, kjo do të ishte një gjë shumë e mirë.

Mighty Car Mods

kanale ne YouTube

Ata munden të bëjnë gjithçka me makinat. Të vendosin motorë të mëdhenj në makina që nuk të shkon mendja. Ose të modifikojnë makina nga më të ndryshmet. Që prej 7 Janarit 2008 kur ky kanal u hap, ata kanë qënë gjithmonë një referencë e mirë për entuziastët, të cilët nuk donin të shpenzonin shumë para për të modifikuar makinat e tyre. Me plot 2.7 milionë subscribers, Marty and Moog , dy personazhet e kanalit, janë bërë më shumë se personazhe në YouTube.

ChrisFix

kanale ne YouTube

Chris mund të na ndihmojë të rregullojmë thuajse çdo problem me makinën tonë. Ai ka 3.6 milionë subscribers dhe është një nga referencat më të mira për të kursyer disa para tek servisi ynë për disa gjëra që mund t’i bëjmë edhe vetë.

carwow

kanale ne YouTube

Nëse doni të shihni një review të një makine dhe nuk keni shumë kohë në dispozicion, carwow është zgjidhja. Mat Watson në kanalin e carwow mund të flasë gjithçka që ju duhet për një makinë, në më pak se 10 minuta. Thuajse çdo makinë e re që del në treg kalon në duart e tij, dhe, për pak ditë, mund të shihni një review të një makine që u prezantua vetëm pak ditë më parë.

Engineering Explained

kanale ne YouTube

Shumica prej nesh, dëgjojnë terma të ndryshëm, apo teknologji të ndryshme, por me të vërtetë dime se për çfarë bëhet fjalë. Shumë njerëz shpenzojnë vite të jetës së tyre për të kuptuar në thellësi dhe për të zhvilluar ide të reja mbi to. Por, kanali në fjalë, nën drejtimin e 29 vjeçarit të thinjur Jason Fenske, na vjen në ndihmë. Ai shpjegon shumë aspekte përsa u përket makinave. Inxhinieri, teknologji të reja, mënyra se si funksionojnë disa gjëra etj. Nëse doni të dini më shumë se çfarë opsionesh ka një makinë, Engineering Explained është kanali i duhur për ju.



Evente