Sot shënohen 11 vjet nga ndarja nga jeta e Gabriel García Márquez, mjeshtrit të magjisë në letërsi dhe fituesit të Çmimit Nobel. Përtej krijimatrisë që kapërcyen kohën dhe realitetin, Márquez la pas edhe një vizion të mprehtë për botën moderne, një botë ku teknologjia dhe informacioni do të bëheshin mjet kontrolli, përhumbjeje, por edhe lirie. Në një kohë kur interneti sapo po shfaqej si revolucion, Márquez paralajmëronte: “E vërteta nuk është më ajo që ndodh, por ajo që transmetohet.” Një thënie që sot, në epokën e rrjeteve sociale, algoritmeve dhe lajmeve të rreme, tingëllon profetike. Ai besonte se gazetaria nuk po shërbente më për të informuar, por për të manipuluar. Në ditët e sotme, në kohën kur gazetaria përballet me rreziqe të reja, nga “deepfakes” tek lajmet e prodhuara nga AI, trashëgimia e Márquez-it mbetet një thirrje e heshtur për etikë, vërtetësi dhe guxim.
Márquez ishte një gjeni i fjalës së shkruar, i dashuruar me makinën e tij të vjetër të shkrimit. Megjithatë, ai nuk ishte kundër teknologjisë, ai ishte kundër zhdukjes së mendimit për hir të shpejtësisë. Në një intervistë të hershme, ai shprehej: “Më shqetëson fakti që gjithçka është e menjëhershme. Por mendimi ka nevojë për kohë.”
Në një epokë ku një lajm i rremë shpërndahet më shpejt se çdo përgënjeshtrim, ku ChatGPT mund të shkruajë një ese në pak sekonda dhe ku TikTok formëson opinion publik, Márquez na kujton nevojën për të ndalur dhe reflektuar. Nuk është çështje e teknologjisë, por e përgjegjësisë.
Lexo edhe: Shkrimi futurist i shqipes ose ”lindja” e një kodi të ri shkrimor
Realizmi magjik në epokën e algoritmit
Ironikisht, koncepti i realizmit magjik që ai solli me veprën e tij ‘’ 100 vjet vetmi’’ është gjithnjë e më i ngjashëm me mënyrën si ne konsumojmë realitetin në internet. Kufijtë mes të vërtetës dhe trillimit janë shpesh të padallueshëm. Márquez e përdorte këtë stil për të treguar absurditetin e realitetit latin, por ndoshta pa e ditur, krijoi edhe një lente për të parë realitetin global të shekullit XXI.
Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán. Njëmbëdhjetë vjet pa Márquez nuk janë vetëm një përvjetor i një figure letrare. Janë një kujtesë se edhe shkrimtarët më të mëdhenj nuk jetojnë vetëm në faqe librash, por në mënyrën si ndikojnë mënyrën tonë të të menduarit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.