10 libra që i rekomandohen biznesit shqiptar » Business Magazine Albania – Media Dixhitale dedikuar Sipërmarrjes
Përditësuar së fundmi: 31/12/2019

10 libra që i rekomandohen biznesit shqiptar

Share
nga Anerola Torollari
Dhj 31, 2019
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

“Readers – Leaders” – Kjo është një shprehje që përdoret rëndom në botën e madhe të biznesit, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Teksa ndjek historitë e sipërmarrësve të mëdhenj botërorë, si Bill Gates, Warren Buffet, Jeff Bezos, Elon Musk, Richard Branson, etj., ka një shprehje profetike. Pas çdo suksesi, gjendet një mal librash të lexuar…

Artikulli u publikua më parë në faqen 80 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

Të jesh lider apo të mbash lidershpin në një treg të caktuar, përveç nivelit të lartë të menaxhimit, duhen edhe aftësi, të cilat zhvillojnë më tej sipërmarrjen dhe stafin. Prandaj, librat në ditët tona shërbejnë si mjete të fuqishme për të marrë njohuri praktike në fushat e marketingut, menaxhimit, motivimit, zhvillimit personal në një kompani. Botime të këtij lloji në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit. Këtë vit janë hedhur në qarkullim botime, të cilat do t’u vlejnë sipërmarrësve shqiptarë për të mirëmenaxhuar kompanitë e tyre dhe për të zhvilluar dhe motivuar stafet e tyre. Në morinë e botimeve që janë hedhur në qarkullim, ne kemi përzgjedhur titujt që mendojmë se do të duhet të jenë në tryezat e punës së një biznesmeni:

Lexoni: Do të dhurosh një libër? Ja një guidë e përgatitur nga Businessmag dhe Bukinist

1.“Pengesa është rrugëdalja” nga Ryan Holiday

Në një vend si Shqipëria, pengesat janë të panumërta. Ato na brishtësojnë dhe na e ngadalësojnë ritmin tonë të përditshëm. Por, nëse ndryshojmë këndvështrimin tonë psikologjikisht ndaj pengesës që na shfaqet në përditshmëri, mund të përballemi me sukses dhe t’i sfidojmë ato. Ryan Holiday ka një formulë të veçantë për pengesën. Ai na thotë se duhet t’i “përqafojmë” pengesa sepse ato mund të shërbejë si një leksion i fortë jete për të matur aftësitë tona dhe për të ecur përpara.

2.“Fillo me pse” nga Simon Sineku

Ky libër vlen shumë sidomos për ata që duan të nisin një biznes të ri. Por, të gjithë biznesmenët shqiptarë kanë shumë çfarë mund të mësojnë prej Simon Sinek. Në thelb të këtij libri qëndron fakti se nuk ka rëndësi se çfarë bëjmë në jetë, por pse po e bëjmë një gjë të tillë. Në momentin që do të arrijmë t’i japim përgjigje një pyetje të tillë, rrugët tona drejt suksesit bëhen më të lehta. PSE-ja nuk ka të bëjë me paratë ose fitimin – këto janë gjithmonë rezultate. Pse ekziston organizata juaj? Pse i bën ato gjëra që bën? Pse klientët blejnë nga një kompani e caktuar? Pse njerëzit janë besnikë ndaj disa liderëve dhe jo ndaj të tjerëve? Ata që fillojnë me PSE nuk manipulojnë kurrë, vetëm frymëzojnë. Dhe njerëzit i ndjekin jo sepse janë të detyruar, por sepse duan. Duke marrë nga histori të vërteta në fusha të ndryshme, Sinek thur një vizion të qartë të asaj që duhet për të udhëhequr dhe frymëzuar.

3.“Shitësi i këpucëve” nga Phil Knight

Biografitë apo autobiografitë e njerëzve të biznesit janë gjithmonë të vlefshme për një sipërmarrës sepse ato na tregojnë modele dhe histori suksesi apo dëshmtimi. E tillë është edhe saga fantastike e themeluesit të kompanisë së atleteve Nike, Phil Knight, i cili e nisi biznesin e tij me 50 dollarë që ia mori borxh babait të tij dhe themeloi një kompani me një mision të thjeshtë: të importonte këpucë sportive me cilësi të lartë dhe kosto të ulët nga Japonia. Sot, shitjet e kompanisë Nike e kalojnë vlerën 30 miliardë dollarë në vit. Në këtë epokë startup-esh, kompania Nike e Knight-it është standardi i artë dhe logoja e saj është simbol i elegantes dhe madhështisë, një nga ikonat e pakta që njihen menjëherë në çdo cep të botës.

Artikulli u publikua më parë në faqen 10 të numrit 80 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

  1. “Kryeçelësi i pasurive” nga Napoleon Hill

Napoleon Hill është një prej mjeshtrave të ligjit të suksesit në biznes dhe në çdo fushë tjetër të jetës. I njohur për veprat e tij “Mendo dhe bëhu i pasur”, “Mposhtja e djallit”, “Ligji i suksesit”, “Një vit drejt pasurimit”, “Zakonet e suksesit”, të cilat kanë dalë nga një proces i gjatë studimi i mbi 500 njerëzve më të shquar të SHBA-ve dhe 25000 sipërmarrjeve, në këtë libër- testament, ai lë të gjithë përvojën e tij për ata që duan të bëhen realisht të pasur.

  1. “Si të bëhesh udhëheqës i zoti” nga Dale Carnegie

Edhe Dale Carnegie është një prej mendjeve brilante, themelues i disiplinës së motivimit. Prandaj e rekomandojmë këtë libër për ata që duan të përmirësojnë aftësitë e tyre në lidership. Në këtë libër do të gjeni përgjigje për pyetje thelbësore të funksionit të sipërmarrjeve tona: Cili është thelbi i lidershipit? Si mund t’i transformojnë rolet, menaxherët apo udhëheqësit? Si t’i motivosh punëtorët sa më efektivisht, duke i mbajtur përgjegjës në të njëjtën kohë? Si mund t’i punësojnë njerëzit e duhur udhëheqësit? Si mund të arrihen performancat dhe menaxhimet e jashtëzakonshme? Si t’i trajtojmë konfliktet dhe negativitetet?

Suksesi varet nga aftësia jonë për t’u ballafaquar me sfidat dhe njerëzit e vështirë, për t’i mbajtur përgjegjës njerëzit për synimet dhe zotimet e tyre, por duke i mbajtur në të njëjtën kohë të motivuar dhe duke i zgjidhur konfliktet.

  1. “Përcakto prioritetet” nga John Doerr

Pas këshillave të këtij autori gjendet suksesi dhe madhështia e shumë koorporatave të mëdha në ditët tona. John Doerr propozon një formulë magjike për botën e sipërmarrjes. Çdo gjë ka të bëjë me objektivat kyçe. Nëse nuk i përcakton ato qartësisht, me afatet kohore, dhe nëse nuk i shkruan ato, – pra nëse nuk ia bën të ditura këto objektiva vetes tëndë dhe të gjithë njerëzve me të cilët punon çdo ditë, – nuk do t’i arrish kurrë. Këtë formulë do të duhet ta zbulojë çdo sipërmarrës që është i etur për sukses.

  1. “Forca e faktit” nga Hans Rosling

Ky është një nga bestseller-at absolut botëror të momentit, por nuk e rekomandojmë vetëm për këtë arsye: Perceptimi ynë për botën varet shpesh nga ajo që ndodh përtej nesh. Çdo ditë jemi të bombarduar me informacione, të cilat janë të pavërteta. Për rrjedhojë, ne gabojmë shpesh kur flasim apo mendojmë për njerëz dhe procese që na rrethonë. Këtu jepen 11 ligjësi, të cilat na ndihmojnë t’i afrohemi faktit dhe të vërtetës. Pas leximit të këtij libri, besoj se nuk do t’u nevojiten syze për ta parë realitetin dhe për t’i kuptuar njerëzit.

  1. “Klubi 5 e mëngjesit” nga Robin Sharma

Robin Sharma me Akademinë e Titanëve konsiderohet si një prej mjeshtrave më të shquar të motivimit dhe zhvillimit personal në ditët tona. Në këtë libër revolucionar, zbulohet një pjesë e platformës së tij që adreson për njerëzit e suksesshëm. Pas një pune rigoroze 4-vjeçare nga ana e autorit, ju do të zbuloni zakonin e të ngriturit herët, i cili ka ndihmuar kaq shumë njerëz të arrijnë rezultate të mahnitshme, duke rritur lumturinë, dashamirësinë dhe ndjesinë e të qenit gjallë. Ky libër ka ndryshuar jetën e shumë njerëzve, – pse jo mund të ndryshojë diçka edhe në jetën tuaj.

Lexoni: 15 librat që çdo menaxher i ri duhet të lexojë

  1. “Menaxhimi i cikleve të jetës së korporatave” nga Ichak Adizes

Libri i tij “Menaxhimi i cikleve të jetës së korporatave”, konsiderohet si një ndër dhjetë librat më të mirë në fushën e biznesit në ditët tona. Ichak Adizes, konsiderohet një ndër ekspertët më të rëndësishëm në botë në fushën e menaxhimit të sipërmarrjeve dhe të korporatave, duke qenë njëkohësisht autori, librat e të cilit janë përkthyer në 31 gjuhë. Për arritjet e tij në fushën e metodologjisë së drejtimit të korporatave, ai është shpallur një ndër 30 mendimtarët më të rëndësishëm të SHBA-ës. Vepra e tij përbën një kontribut tejet të rëndësishëm në fushën e menaxhimit të ekonomisë”.

  1. “21 leksione për shekullin e 21”” nga Yuval Noah Harari

Bota është në një ndryshim të jashtëzakonshëm, prandaj qenia njerëzore duhet të përshtatet me këto procese dinamike. Ata që nuk dinë të përshtaten me ndryshimin, do të mbeten pas. Një këshillë e tillë, me vlerë për këdo, del edhe nga ky libër që përmban 21 leksione në fusha të ndryshme si teknologjia, punësimi, mjedisi, inteligjenca artificiale, edukimi, gjeopolitika etj. Autori i dy librave më të shitur të momentit në mbarë botën, “Sapiens” dhe “Homo Deus”, Youval Noah Harari analizon sfidat globale, në të cilat gjen zgjidhje çdo individ në epokën tonë. Padyshim, edhe njerëzit e biznesit kanë shumë për të mësuar prej kësaj mendje brilante të kohës tonë.

Albert Gjoka, menaxher i platformës më të madhe të librit shqip, Bukinist.al

/Artikulli u publikua më parë në faqen 80 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.