Shpresa Shkalla, sipërmarrësja e suksesshme e vajit organik - Business Magazine Albania

Shpresa Shkalla, sipërmarrësja e suksesshme e vajit organik


Nëse Shqipëria tashmë renditet ndër vendet që prodhojnë vajin e ullirit organik më të mirë, kjo ka ndodhur edhe falë Shpresa Shkallës. Produkti i kompanisë që drejton ajo, konkurron tashmë në tregjet ndërkombëtare, ndonëse kushtet në të cilat Shpresa Shkalla e ushtron biznesin janë ndonjëherë shumë më të ndryshme e më të pafavorshme.

Por çfarë e shtyu Shpresa Shkallën të merrej me biznesin e prodhimit të vajit, kur për pothuajse 20 vjet kishte punuar në shtypshkronjë. Ajo thotë se ishte dëshira për të vënë në shfrytëzim një pasuri që familja e saj kishte rifituar. Pas vitit 1990, familja Shkalla mori pronat e trashëguara, mes tyre edhe rreth 150 pemë ullinj në Farkë, në rrethinat e Tiranës. Në vitin 1995, pas emigrimit në Gjermani, Shpresa vendosi të rikthehet në Shqipëri, me idenë për krijimin e një biznesi aty. I ati kishte vënë re se në të gjithë zonën e Tiranës nuk ekzistonte asnjë fabrikë e mirëfilltë për prodhimin e vajit të ullirit, pa folur pastaj një me teknologji moderne. Të gjithë banorët e zonave përreth kishin vështirësi për përpunimin e ullinjve dhe prodhimin e një vaji cilësor. Dhe kështu biznesi me të cilin do të merrej Shpresa dhe familja e saj u përcaktua. Në vitin 1996 u krijua kompania “Shkalla”. Shpresa kujton se aftësitë e vetme që zotëronte asokohe, ishin ato të fituara në punën e saj të mëparshme në shtypshkronjë. Megjithatë, kishte besim te suksesi.

“Kisha punuar prej shumë vitesh si shefe kontrolli në Kombinatin Poligrafik dhe kisha njohuri të mira në përdorimin e makinave me të cilat kisha punuar, gjithashtu kisha qenë dhe studente e mirë në shkollë. Babai ishte një mekanik me emër në qytet, po ashtu edhe vëllezërit, ndaj menduam se do t’ja dalim,” thotë Shpresa.

Në atë kohë qeveria gjermane akordoi një fond nëpërmjet GTZ-së për të ndihmuar të gjithë emigrantët shqiptarë të rikthyer të nisnin biznese. Shpresa Shkalla nuk ngurroi. Së bashku me 200 veta të tjerë që aplikuan, ajo kaloi disa faza testimi, të cilat synonin të përgatisnin aplikuesit mbi konceptet bazë të ngritjes së një biznesi. Falë vendosmërisë, Shpresa arriti të marrë kredinë prej 150 mijë markash, të cilën ajo duhej ta shlyente duke paguar një interes prej 11%. Kështu ngritja dhe konsolidimi i biznesit filloi.

shpresa-shkalla-sipermarresja-e-suksesshme-e-vajit-organik-business-magMe anë të kësaj kredie Shpresa bleu linjën e prodhimit të vajit të ullirit prej një firme me famë botërore si “Pieralisi”. Kjo teknologji, së bashku me ekspertizën e specialistes me të cilën bashkëpunoi, sollën prodhimin e vajit të një cilësie shumë të mirë “ekstra të virgjër”, që asokohe nuk njihej ende në tregun vendas.

“Sot them se pata edhe fat në ecjen përpara të biznesit familjar. Që në fillim morëm konsulencë nga një specialiste kimiste e mrekullueshme, që na mësoi dhe u gjend pranë me ndihmën e saj për të kuptuar vlerat dhe të mirat e vajit të ullirit ‘ekstra të virgjër’, mënyrën më të mirë për përftimin e tij. Kështu prodhuam vaj ulliri ‘ekstra të virgjër’, që nuk njihej ende në Shqipëri,” kujton Shpresa Shkalla.

Por kredia e marrë nga GTZ do t’i kushtonte shtrenjtë biznesit të saj. Si pasojë e trazirave të vitit 1997, interesi i kredisë arriti në 38%, duke bërë që asaj t’i duhej të paguante pothuajse dyfishin e shumës së kredisë fillestare. Por Shpresa vijoi aktivitetin. “Nuk u ndala, as e ndërpreva punën, sepse isha në gjysmën e rrugës së punës që kisha nisur dhe çdo kthim prapa do të sillte vetëm humbje”, kujton ajo.

Shpresa Shkalla provoi fillimisht të tregonte produktet e saj në tregun shqiptar, por, siç thotë, për fat të keq situata ekonomike në vend e orientonte konsumatorin më tepër drejt çmimit sesa cilësisë.

Megjithatë Shpresa ishte në kërkim të vazhdueshëm të mundësive të reja të zhvillimit të biznesit. Kthesa më e fortë për kompaninë e saj “Shkalla”, ishte kur u anëtarësua në Shoqatën e Bujqësisë Organike.

“Bujqësia organike atë periudhë po konsiderohej si e ardhmja e bujqësisë, ndaj vendosëm të plotësojmë kërkesat e larta të standardeve organike dhe kompania u pozicionua për të planifikuar dhe për të realizuar certifikimin e aktivitetit sipas standardeve organike ndërkombëtare”, tregon ajo.

Afrimi me Shoqatën e Bujqësisë Organike i mundësoi Shpresës të krijonte një rrjet kontaktesh, të cilat e ndihmuan ta ngjiste biznesin e saj në një shkallë më të lartë. Në vitin 2002 kompania “Shkalla” merr certifikatën nga “Bio Inspecta”, një institucion zvicerian certifikimi me famë botërore. Pas certifikimit, kjo organizatë e ndihmon të gjejë rrugët e duhura për të eksportuar produktet në tregun zvicerian në vitin 2003.

Me çertifikimin bio dhe rezultatin pozitiv të analizave fiziko-kimike, vaji ‘Shkalla’ si vaji i parë shqiptar organik, u eksportua jashtë Shqipërisë, fillimisht në Zvicër, një treg cilësor dhe i vështirë për t’u bërë pjesë. “Ky eksport është konsoliduar dhe vazhdon prej rreth 10 vjetësh”, tregon Shpresa. Prej më shumë se 10 vitesh, kompania “Shkalla” eksporton në Zvicër 50 % të vajit të ullirit të prodhuar në fabrikën e saj.

shpresa-shkalla-sipermarresja-e-suksesshme-e-vajit-organik-business-magNë vitin 2005, me vajin e ullirit “ekstra të virgjër organik” kompania “Shkalla” fiton çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar të Vajit të Ullirit BIOL në Bari të Italisë, duke e përfshirë kështu Shqipërinë ndër dhjetë vendet që prodhojnë vajin e ullirit organik më të mirë në botë. Një vit më pas “Shkalla” fiton një tjetër çmim për cilësinë, në të njëjtin konkurs në Bari. Në vitin 2008, produkti i saj arrin të bëhet pjesë e katalogut të 100 vajrave më të mirë në botë. “Ishte kënaqësi dhe krenari kombëtare për mua, kur Shqipëria u përfshi për herë të parë në këtë katalog”, thotë ajo.

Çmimet vijuan më pas me ato kombëtare. Kështu në vitin 2009, vaji “ekstra i virgjër” i kompanisë “Shkalla” vlerësohet si më i mirë në Shqipëri, ndërsa në vitin 2013 merr çmimin si prodhimi më i mirë “Made in Albania”, çmim që sipërmarrësja Shpresa Shkalla vlerëson më shumë.

Rrugëtimi në biznes i Shpresa Shkallës ka qenë i gjatë dhe aspak i lehtë dhe sfidat mbase do ta kishin mposhtur dikë që nuk ka forcën dhe përkushtimin e saj. Shpresa Shkalla ngriti një biznes pa pasur përvojë dhe arriti të përballet me vështirësi që konkurrentët e saj në tregjet ndërkombëtare nuk i imagjinojnë – megjithatë renditet mes tyre, shpesh edhe para tyre.

Burimi: Shkruar nga Arlinda Gjonaj dhe publikuar në ata.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0