Niamh Bushnell: Ndërtoni biznese të reja me besim të plotë tek vetja dhe skuadra

Niamh Bushnell: Ndërtoni biznese të reja me besim të plotë tek vetja dhe skuadra


Përshëndetje znj. Bushnell! Falemnderit që pranuat ftesën për këtë intervistë, megjithëse jemi vetëm dy ditë para Krishtlindjeve.

Përshëndetje Business Mag!

Niamh-Bushnell-businessMag

Është kënaqësia ime të jap një intervistë për ju. Këtu në Irlandë punohet çdo ditë për të ndërtuar një ekosistem sipërmarrjeje sa më aktiv. Megjithëse vetëm dy ditë para Krishtlindjeve, sot organizohet një event i madh për diasporën irlandeze në Dublin. Shumë irlandezë nga e gjithë bota si: Azia, Afrika, Amerika dhe Europa do të mblidhen në Dublin për t’u prezantuar me Startup-et më të rëndësishme Irlandeze. Është një ngjarje e rëndësishme që mbledh së bashku irlandezët nga e gjithë bota për t’u njohur më mirë me zhvillimin socio-ekonomik të vendit të tyre të origjinës. Ne duam të mbledhim sa më shumë irlandezë në këto ditë festash që të ndërtojmë një komunikim të drejtpërdrejtë me diasporën tonë.

1. Profili juaj në LinkedIn ishte i pasur me informacion, por dua t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Kush është Niamh Bushnell? Si mund ta përshkruani veten tuaj shkurt?

Unë jam një sipërmarrëse nga natyra dhe nga eksperiencat që kam pasur në jetën time. Pozicioni që kam është rezultat i shumë përpjekjeve në botën e sipërmarrjes. Unë kam zhvilluar dy startup-e dhe jam një investitore engjëll për të gjithë kompanitë e reja që unë i shoh me perspektivë. Gjithmonë kam pasur dëshirë të vetë-punësohem dhe të kem një biznes timin.

2. Viti 2015 për ekosistemin e sipërmarrjeve të reja ishte mjaft aktiv. Shumë konferenca, aktivitete, konkurse dhe takime për të zgjeruar komunitetin e sipërmarrësve të rinj u zhvilluan gjatë vitit. Mund të na flisni pak më gjatë për rolin e Komisionerit të Startup-eve.

Në Irlandë ka shumë organizata që mbështesin komunitetin e sipërmarrësve nëpërmjet trajnimeve, financimeve dhe aktiviteteve të tjera. Zyra e Komisionerit të Startup-eve ka si qëllim promovimin e Dublinit si një qytet startup global dhe të përkrahë sipërmarrjet e reja për t’u njohur ndërkombëtarisht. Ne gjithashtu ndihmojmë komunitetetin lokal të sipërmarrësve për të krijuar lidhje më të ngushta me gjigandët teknologjikë që ndodhen në Irlandë si Google, Microsoft, Oracle etj. Gjithashtu ne kemi një revistë online të quajtur “Dublin Globe”. Synimi i kësaj reviste është promovimi i ekosistemit irlandez të sipërmarrjes. Ne jemi një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse që lobon për ekosistemin në qarqet politike për përmirësimin e infrastrukturës financiare dhe mbështetjen e këtij komunitetiti nga parlamenti dhe qeveria. Dëshira jonë është që Dublini të jetë ofruesi i shërbimeve, më i mirë në botë për startup-et.

3. Të kesh startup tëndin në Irlandë sot është një trend. Çfarë po ndodh atje? Duket që kriza ekonomike e vitit 2009 është lënë pas. A ka ndikuar ekosistemi i sipërmarrjes për këtë zhvillim ekonomik?

Ekonomia e Irlandës ka rritjen më të shpejtë në Europë për momentin dhe kriza ekonomike është lënë tërësisht pas. Ky është fruti i projekteve që shoqëria irlandeze i vuri vetes, përfshirë këtu sipërmarrësit, qeverinë, investitorët apo botën akademike. Irlandezët e perceptuan krizën si mundësi për të zhvilluar ide të reja dhe ia dolën. Ata kanë dëshirë që të jenë vetë kapitenët e anijeve ku lundrojnë. Kjo gjë lidhet dhe me traditën tonë. Ekonomia irlandeze është mbështetur më parë tek bujqësia dhe shpirti i sipërmarrësit nuk ka munguar asnjëherë tek ne. Siç e dini shumë muzikantë, shkrimtarë apo aktorë kanë dalë nga Irlanda dhe kjo lidhet me natyrën tonë sipërmarrëse. Shumë nga gjyshërit tanë preferonin të hapnin kompanitë e tyre të vogla dhe të mesme se sa të punonin për korporatat. Megjithëse këto 50 vitet e fundit numri i kompanive të mëdha është rritur, baza e ekonomisë sonë janë pikërisht sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.

4. A ka luajtur rol qeveria në zhvillimin e këtij modeli të ri ekonomik?

Sigurisht që po. Qeveria është përkrahës i rëndësishëm i kompanive të reja në Irlandë duke i ndihmuar ato me trajnime, fonde dhe informacion. Irlanda ka 35 zyra ndërkombëtare të shpërndara në të gjithë kontinentet. Këto zyra ndihmojnë Irlandezët që duan të zgjerojnë biznesin e tyre në tregjet e jashtme. Organizatat ndërkombëtare përfaqësohen nga individë që janë specialistë për tregjet e huaja dhe ata ndihmojnë kompanitë irlandeze që të futen në këto tregje sa më shpejt dhe me më pak kosto.

Artikulli u publikua më parë në faqen 44 të nr. 8 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.

Vlen për t’u përmendur dhe rëndësia strategjike që ka Dublini ditët e sotme. Irlanda shikohet si një urë midis tregut europian dhe atij amerikan. Shumë kompani amerikane si Airbnb, Eventbrite, Indiegogo janë vendosur tani në Irlandë për të hyrë më shpejt në tregun europian. Po ashtu ndodh dhe e kundërta, ku kompani europiane apo aziatike vendosen në Irlandë për t’u katapultuar më tej në Amerikë. Ekosistemi i startup-eve këtu në Irlandë ofron një ambjent të ngrohtë dhe të përshtatshëm për sipërmarrësit e rinj nga e gjithë bota.

5. Çfarë mendimi keni për Shqipërinë? Ose më mirë çfarë dini për Ballkanin si rajon? A mundet që Shqipëria të ndjekë hapa të njëjtë si Irlanda? Cilat janë prioritetet kryesore? niamh-bushnell-businessmag3

Po, jam e sigurt që Shqipëria mundet të ndjekë këtë model zhvillimi. Të qenit një treg i vogël ndonjëherë përbën avantazh. Kjo është historia e Irlandës. Kompanitë irlandeze gjithmonë janë përpjekur të eksportojnë jashtë për shkak se tregu i brëndshëm ka qenë i limituar. Kjo është arsyeja që ne kemi 35 organizata ndërkombëtare që ndihmojne bizneset tona të dalin në tregun botëror. Gjithmonë duhet të keni parasysh të krijoni lidhje të forta me tregjet botërore. Prania e diasporës irlandeze ka qenë një avantazh për ne, kështu mund të jetë dhe për ju. Ne nuk jemi perfekt, por gjithmonë duam të mësojmë gjatë rrugës. Parimi ynë është mbështetur tek analiza e avantazheve krahasuese, pra kemi gjetur kush janë aftësitë tona më të mira dhe i kemi zhvilluar ato për të qenë prezent dhe jashtë Irlandës.

6. Duke pasur një eksperiencë botërore si një investitor engjëll për startup-et, mund të na thoni diçka më tepër për potencialin e tyre? Mundet që një startup nga Shqipëria të futet në tregun botëror?

Ky është koncepti i startup-it. Një startup është një kompani globale që kur krijohet. Tani nuk kanë më rëndësi kufijtë. Bota është e lidhur më shumë se kurrë. Në qoftë se keni një produkt të mirë që shton vlerë në shoqëri dhe punoni fort në grup, ju mund të merrni investime dhe të jeni të suksesshëm kudo.

Dublini është një qytet perfekt për këtë qëllim. Këtu mund të takoni mentorë, të bëheni pjesë e akseleratorëve dhe merrrni investime që do ta shndërrojnë kompaninë tuaj në një biznes global. Ju duhet të jeni global që nga dita e parë e biznesit tuaj.

7. Mund të na thoni një histori suksesi nga investimet tuaja në sipërmarrje të reja?

Po. Kam investuar në 10 kompani që kanë dalë nga një akselerator shumë i rëndësishëm i quajtur Entrepreneurs Roundtable Accelerator (ERA). Jo të gjitha investimet ishin të sukesesshme. Dy prej tyre dështuan, dy janë të afirmuara si biznese të suksesshme dhe 6 të tjerët po ecin në rrugën e rritjes.

Mund të them se të qenit një investitor engjëll, është një biznes me risk të madh. Për të qenë i suksesshëm duhet të investosh në ato fusha ku ke më shumë njohuri. Në të njejtën kohë, duhet të jesh investitor dhe mentor për kompanitë ku do të investosh. Të gjithë qeveritë duhet ta promovojnë këtë lloj kulture të investitorëve engjëj n.q.s duan zhvillim të ideve të reja.

8. Rikthehemi tek SVOD-Sillicon Valley Open Doors. Çfarë do të prezantoni në këtë konferencë?

Prezantimi im do të përqëndrohet më shumë për situatën e ekosistemit të startup-eve në Dublin dhe çfarë mësimesh kemi nxjerrë këto vite nga ky zhvillim i vrullshëm. Një temë që dua të prek është se si Irlanda mund të jetë një portë hyrëse në tregun amerikan për çdo sipërmarrje të re. Një pikë kyçe do të jetë dhe paraqitja e Dublinit si ofruesi i shërbimeve më të mira për startup-et. Gjithsesi i gjithë prezantimi do të varet dhe nga audienca që do të jetë në konferencë atë ditë.

9. Ndoshta në edicionet e tjera të SVOD- Sillicon Valley Open Doors mund të shikojmë startup-e që vijnë nga Shqipëria dhe Ballkani. Është e mundur?

Po sigurisht, pse jo? Mjafton të shikosh një mundësi në treg dhe të zhvillosh një produkt që i shërben konsumatorit. Gjithçka është e mundur sot.

10. Në fund, një urim për audiencën e Business Mag.

Ndërtoni biznese të reja me besim të plotë tek vetja dhe skuadra. Mos harroni që të bëni sa më shpejt lidhje jashtë kufijve së Shqipërisë.

Falemnderit!

Artikulli u publikua më parë në faqen 44 të nr. 8 të revistës Business Magazine Albania. Për ta shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0