Përditësuar së fundmi: 28/01/2016

Miratohet programi i nxitjes së punësimit për 2016-ën, fondi 490 milion lekë

nga Vasjan Broka
Jan 28, 2016

“Qeveria miratoi Programin e Fondeve të Nxitjes së Punësimit që në krahasim me vitin 2013 janë pesëfishuar. Nga 90 milion që ishin në vitin 2013, sot ato janë plot 490 milion për këtë vit.

Ne synojmë që të shtatëfishojme numrin e të punësuarve nga këto programe krahasuar vetëm me dy vite më parë. Grupet të cilat do të nxiten më me përparësi janë të rinjtë, gratë, romët, personat me aftësi të kufizuara, jetimet dhe grupe të tjera shoqërore, të cilët e kanë të vështirë të përfshihen në tregun e punës”. Kështu u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi pas mbledhjes.
Janë 7 programe të reja që do të zbatohen gjatë vitit 2016, duke i mundësuar punësimin e mbi 10.000 punëkërkuesve të papunë, ku rreth 70% e tyre do të jenë gra e vajza dhe 55% e gjithë programit do të jenë punëkërkues të rinj. Rritja e konsiderueshme e vëmendjes së qeverisë për këtë program ka sjellë si rezultat nevojën e rritjes së transparencës dhe efikasitetit të mekanizmave për zbatimin e tij.
Ndryshimet e miratuara në paketën e këtij programi synojnë rritjen e transparencës, rritjen e efikasitetit të fondeve të përdorura, si dhe rritjen e numrit të punëdhënësve aplikues. Po ashtu, projektet e reja kërkojnë një përfshirje shumë më të madhe të punëkërkuesve të papunë. Për miratimin e këtyre projekteve është tashmë funksional një sistem i ri vlerësimi, i cili do të japi si rezultat aplikimin e një numri më të madh punëkërkuesish dhe punëdhënësish.
Mekanizmat do të jenë:
-Maksimalizim i numrit te punëkërkuesve të papunë që përfitojnë nga programet aktive të tregut të punës;
-Sigurimin e profesionalitetit dhe qasje të barabarte nga të gjitha ndërmarrjet aplikuese, në procesin e përzgjedhjes;
-Dhënia prioritet, atyre ndërmarrjeve që afrojnë mundësi të qëndrueshme të punësimit në sektorët ekonomik prioritarë dhe që mund të kenë një ndikim më të madh social-ekonomik në jetën e vendit.
Gjithashtu, ndryshimet e sotme sjellin disa risi dhe në grupin e përfituesve në këto programe, duke sjellë një targetim më të mirë të punëkërkuesve të papunë, të rinj, për t’iu përgjigjur më shumë nevojave që ka sot tregu i punës.
“Fokusi dhe vëmendja është vendosur tek të rinjtë që hynë për herë të parë në tregun e punës dhe të rinjtë e sapo diplomuar, duke njohur vështirësinë që ata kanë për të gjetur punë në tregun shqiptar të punës. Kjo do të bëhet duke nxitur punësimin, nëpërmjet një programi të integruar, nëpërmjet kombinimit të formimit, nëpërmjet punës për një periudhe 3 mujore dhe garantimin e punësimit të subvencionuar për një periudhe 9 mujore. Subvencionimi i pagës në një nivel më të lartë se paga minimale, në shkallë vendi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, e bëjnë këtë skemë më alternative, si për punëkërkuesit e papunë, ashtu edhe për punëdhënësit. Paralelisht kohëzgjatja e kontratës së punësimit deri në 15 muaj, rrit probabilitetin e një punësimi të qëndrueshëm në grupet e targetuara.
Ndryshimet, gjithashtu kanë synim të përmirësojnë targetimin e punëkërkuesve të papunë gra dhe vajza, për t’iu përgjigjur më mirë nevojave që paraqet ky grup shoqëror, duke marrë parasysh diversitetin demografik dhe nevojat, duke përcaktuar si përfituese gratë kryefamiljare dhe vajzat nëna, të cilat kanë në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç, pasi është e njohur vështirësia e tyre në tregun e punës për të gjetur një punësim të denjë. Për këtë kategori është propozuar dhe është miratuar tashmë rritja e nivelit të subvencionimit të pagës në masën 115% të pagës minimale, në shkallë vendi, duke siguruar kështu, një mundësi shumë të mirë për këtë grup shoqëror.
Programi i ri i nxitjes së punësimit për jetimet është një program që u miratua sot në qeveri, i cili ka për qëllim të mbështesë kategorinë e të rinjve nën 30 vjeç, të cilët kanë status të jetimit dhe janë të regjistruar pranë zyrave të punës në shkallë vendi. Prandaj në emër të qeverisë shqiptare, i bëj thirrje punëdhënësve që të marrin pjesë dhe të aplikojnë pranë zyrave tona të punës për këto programe punësimi”, tha ministri Klosi.

/ACP/