Përditësuar së fundmi: 02/05/2017

Lindita Komani: “Secilit analist portalin e tij?”

nga Fiorela Jaupi
Maj 02, 2017
Studied at Faculty of Economy, Master of Science in Marketing. Content Editor at Business Magazine Albania
lexo me teper >

Çoroditjes së plotë që vërehet në vend, nuk i ka shpëtuar as tregu mediatik shqiptar. Mund të ketë shumë arsye për këtë, por ndoshta ato që janë të përfolura më shumë janë: në media aktualisht fjala krejtësisht e lirë e analistëve/ gazetarëve kufizohet, si dhe ka aq shumë para në qarkullim sa çdokush që e ka këtë para e do të ketë zë në shoqëri, “kap rob” një analist dhe krijon portalin e tij dhe analisti për arsye racionale vendos të identifikohet me portalin e ta drejtojë atë, deri diku me dorë të lirë.

Po si po ndikon ky zhvillim?

Media në fund të fundit bëhet për njerëzit. A janë njerëzit më mirë e më saktë të informuar se më parë? A janë ata në gjendje që të marrin më mirë vendim në fusha të ndryshme, psh: a janë ata më të sensibilizuar nga ana politike për të kuptuar si është situata në vend dhe të japin kontributin e tyre për ta ndryshuar atë? A e njohin ata më mirë gjendjen ekonomike në vend, problemet e bizneseve, të rejat nga bizneset? A njohin ata më mirë vlerën në kulturën që bëhet këtu nga llumi që promovohet si vlerë? A u plaset atyre para syve më shumë apo më pak pornografi se zakonisht në mediat tona? A e ka aftësinë secili portal që të mbushë me lajme çdo rubrikë që paraqet në krye se do të jetë në gjendje të mbulojë?

Apo thjesht kopjon, madje pa bërë më të voglin kontroll për vërtetësinë e lajmit, atë që ka sjellë portali X? Sa gazetarë ka secili prej tyre në dispozicion?

Dhe përtej këtyre, ndoshta pyetja më e rëndësishme: a kanë ata veç e veç më shumë forcë ndikuese si pushtet i katërt sesa po të mblidheshin e të krijonin një apo ndoshta dy apo ndoshta edhe tre media të reja? E po kështu, kjo pyetje vlen edhe për financuesit e portaleve. A kanë ata më shumë forcë ndikuese mbi opinionin duke qëndruar veç e veç, apo do t’ia vlente më shumë të bashkonin kapitalin e të krijonin një, apo ndoshta dy, apo ndoshta edhe tre media të reja?

Decentralizimi dhe centralizimi i lajmëdhënies alternative (përmes portaleve)

Nuk është e qartë se kush financon cilin portal lajmesh dhe çfarë qëllimesh afatshkurtra apo afatgjata kanë dhe aq më pak mund të dihet se nga burojnë këto para. Mund të jenë edhe para të llojit që nuk vrasin kënd që po harxhohen, sepse burimi i tyre mund të jetë gjelbërimi që ka pushtuar malet e fushat e Shqipërisë. Por cilido qoftë burimi e cilëtdo qofshin këta njerëz pas portaleve e cilido qoftë burimi i financimit, mund të jetë më e arsyeshme që të investohet në blogje të llojit kolektiv – që mbledhin shumë zëra analistësh për të gravituar në një forcë më të madhe zëri dhe orientimi më cilësor. Ose nga redaksitë (analisti/gazetari që ka marrë përsipër të jetë koka drejtuese) të merret vendim për t’u fokusuar në një temë të caktuar për të cilën analisti e gazetarët që e ndihmojnë për të mbledhur informacion, kanë më shumë ekspertizë.

Oferta dhe kërkesa larg e më larg

Në kushte normale, sikur të ishte një çështje ofertë e kërkesë, pra e një tregu normal, mbase nuk kishte fare nevojë për të shkruar, sepse kjo nuk do të ishte as temë. Mbase do të mjaftonte një takim mes kurbës së ofertës dhe asaj të kërkesës, diku në një tabelë të zezë, ku me shkumës po pasqyrohej gjendja aktuale në një grafik sqarues.

Por në kushtet kur paraja në treg krijon një ofertë të tepruar e çoroditëse për publikun, kjo është një temë. Sepse, publiku shqiptar që përbën anën e kërkesës, vërtet që ka nevojë për lajmëdhënie më cilësore, më të vërtetë, më orientuese, më të lirë, përmbushjen e misionit bazik për vetë ekzistencën e mediave.

*Artikull nga Lindita Komani për Business Magazine

Evente

Albanian Skills 2017

Maj 26, 2017
ora 08:00 dhe 27 Maj ora 09:00

Samiti Global i PR në Beograd

Qershor 1, 2017
9 AM - 5 PM

Innovate your way out 2017!

Qershor 2, 2017
10 AM - 2 PM

SAMITI GLOBAL I GRUAS

Qershor 3, 2017
9 AM/6PM

Doing Business 2017

Shtator 28, 2017
në orën 09:00 - 29 Shtator Sep 29 në orën 20:00