"Kopshti i Gjelbër i Danimarkës", biznesi që po sheh suksesin në Shqipëri - Business Magazine Albania

“Kopshti i Gjelbër i Danimarkës”, biznesi që po sheh suksesin në Shqipëri


Nëse ju themi të përshkruani karakteristikat e Lola Rossa apo Lola Bionda, sado që të përpiqeni, as nuk do të mund t’i afroheni të vërtetës; hireve të kuqe e të verdha që u japin emrat kaq të veçantë e femërorë.

Lola Rossa, Lola Bionda dhe Frilisia janë në fakt varietetet më interesante të sallatave që prej disa vitesh kultivohen në qarkun e Fierit, e që së bashku me karrotat bebe (baby carrot) dhe rrepat bebe (baby radish) kanë një destinacion po aq interesant; Danimarkën.

Danish Green Garden, që do të thotë Kopshti i Gjelbër i Danimarkës që prej 2009-s është importuar nga Danimarka në Fier e së fundmi edhe në Pezë. Ferma me të njëjtin emër prej më shumë se 20 vitesh operon në Kopenhagen dhe sipërmarrësi Muhamet Iseni së bashku me bashkëshorten, Denadën administratore e fermës vendosën ta sjellin në Shqipëri. Aktualisht 11 ha serra, kryesisht në Fier dhe 10 ha sipërfaqe të mbjellë në fushë. ‘Vendosëm për të ndërtuar fermën edhe në Shqipëri në 2009-tën, për të përfituar nga klima favorizuese gjatë sezonit të dimrit, thotë Denada për AgroWeb. Ferma në Kopenhagen furnizon restorantet më të njohura të Danimarkës me prodhimet e marra gjatë verës, e prej disa vitesh shfrytëzojmë peridhën e dimrit për furnizim me produktet e marra nga Shqipëria.

‘Delikatesa’. Kështu i quan më të drejtë produktet e veçanta të fermës, Denada, teksa rrëfen se këto produkte është vështirë të shitet në tregun vendas, për shkak të kostos së lartë. ‘Produktet tona eksportohen kryesisht në Danimarkë dhe Suedi, thotë zonja Shtylla, pa fshehur kënaqësinë që produktet e kësaj ferme shkojnë madje edhe në restorantin e mirënjohur organik Noma në Kopenhagen të Danimarkës, administruar nga mjeshtri më i famshëm botëror i kuzhinës, shqiptari Rene Rexhepi.

Denada tregon se eksporton edhe rreth 20 lloje erëzash të frekëta me aromë Shqipërie. 19 vende të etura për produktet e Fierit e Lushnjes Por Danish Green Garden është vetëm një nga fermat e shumta të rajonit bazë të prodhimit të artikujve të tokës shqiptare që mbushin tregun vendas dhe kërkesat e tregjeve të huaja. ‘Plot dhjetëra mijëra ton perime e fruta nga Fieri e Lushnja në 19-20 vende eksportohen çdo vit’, rrëfen për AgroWeb zoti Muhamed Baboçi, ekspert bujqësie në Fier. ‘Nga ky qark eksportohet në shumë vende, nga të cilat 13 janë vende të BE-së. Vendin e parë e ze Kosova si partneri kryesor, ndjekur nga vendet e rajonit e deri në vende të largëta si Danimarka, vend i interesuar kryesisht për varietet e veçanta’, thotë zoti Baboçi.

Perimet janë mbretëreshat e serrave dhe fushave të kësaj zone. Nga ky qark kryesisht eksportohen domate e vendin e dytë e zënë kastravecat. Por edhe frutat kanë pasur suksesin e tyre. Për zotin Baboçi, rritja e eksporteve ka ardhur si pasojë edhe e shtimit të sipërfaqeve me serra në këtë qark e sigurisht edhe e pikave të grumbullimit.

Ferdinand Spiro, agronom i Drejtorisë bujqësore Fier, thotë për AgroWeb se prodhimet e serave të Fierit dhe Lushnjes janë nga më të kërkuarat nga tregjet e huaja. Si personi përgjegjës për çertifikimet fito-sanitare, zoti Spiro thote se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem me çertifikimet e lëshuara nga institucionet shqiptare dhe se analizat e kryera në pikat doganore të kalimit të produkteve kanë rezultuar brenda të gjitha parametrave.

‘Çertifikatat që ne lëshojmë, thotë zoti Spiro, janë tregues i pastërtisë së bimëve nga sëmundje të rrezikshme. Çertifikatat e cilësisë apo të nivelit të pesticideve kryesisht kryhen në Tiranë dhe kjo e vështirëson paksa pajisjen e produkteve më këto çertifikata. Gjithsesi eksporti ka ecur mjaft mirë, thotë ai, duke shtuar edhe një kërkesë për institucionet financiare. ‘Do të ishte mirë që rimbursimet e TVSH apo lehtësitë fiskale që u takojnë fermerëve të aplikoheshin brenda afateve, në mënyrë që të mbështesim fermerët që punojnë më shumë pasion dhe lodhje’, thotë ai. E me gjithë vështirësitë, perimet, frutat bashkë me delikatesat e zonës së quajtur ‘hambari i Shqipërisë’ do të vazhdojnë të kërkohen me etje nga tregu evropian e më tej. Bota, gjithnjë e më shumë po i kthen sytë nga produktet e veçanta organike, rritur nga toka e pastër e filizat e duhur, si një kthim në rrënjët e të ushqyerit bio. Toka e Shqipërisë është nga më të pasurat. A ia dimë vlerën?

burimi: ata.gov.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0