Përditësuar së fundmi: 18/05/2017

Julia Goga-Cooke: Kalimi nga i punësuar në BOS I VETVETES është vërtet emocionues

nga Fiorela Jaupi
Maj 18, 2017
Studied at Faculty of Economy, Master of Science in Marketing. Content Editor at Business Magazine Albania
lexo me teper >

Dr. Julia Goga-Cooke është akademike, gazetare, ideatore dhe sipërmarrëse. Julia drejton akademinë londineze “Gconsultancy Innovation”, një akademi IOEE, e cila u vjen në ndihmë organizatave të inovojnë dhe të rriten. Në 2015-ën Julia themeloi “Albanian Innovation Accelerator”, një fondacion, i cili u vjen në ndihmë të rinjve në përdorimin e teknologjisë për të zgjidhur problemet e komunitetit të tyre dhe për të filluar sipërmarrje të reja. Ajo është partnere dhe trup pedagogjik në RSA. Julia është folëse publike dhe botuese e revistës “Inspire to Innovate”.

BM:  Përshëndetje Julia. Për të gjithë ata që nuk ju njohin mund të bëni një prezantim të shkurtër për veten tuaj?

J: Jam gjyshja e katër çunave, jam nga Durrësi, jetoj midis Durrësit dhe Londrës. Punoj si konsulente, pedagoge dhe sipërmarrëse. Fusha në të cilën punoj është inovacioni dhe e “Ardhmja e Punës”, të dyja fusha ndërdisiplinore.

BM: A mund të na flisni pak për udhëtimin tuaj profesional që nga hapat e parë deri në ditët e sotme? Cila është arsyeja që ju shtyu të zgjidhnit këtë profesion?

J: Rrugëtimin e fillova si mësuese. Në vitin e parë të punës pata mundësinë që si mësuese në dispozicion t’i provoja të gjitha ciklet, edukatore në kopësht, mësuese në fillore, në gjimnaz dhe pedagoge në “Universitetin Bujqësor”. Në vitet më pas pata fatin të jem mësuese e gjuhës angleze në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe në Fakultetin e Filologjise, ku mbrova disertacionin në gjuhësinë e aplikuar. Në vitin 1990 kur po fillonin ndryshimet në hapjen e Shqipërisë, për herë të parë u krijua një grup i vogël interpretësh për konferenca.

Pas trajnimit në këtë fushë të re të dijes në Tiranë dhe pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, u punësova në zyrën e PNUD-it. Ishte periudha kur të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara mbërritën në Tiranë ashtu si edhe shumë organizata ndërkombëtare të ndihmës. Për mua ajo periudhë ishte shkolla e parë në fushën e bashkëpunimit kompleks, si të bësh bashkëpunim e si të mos e bësh atë. Kjo ishte dhe jeta ime e parë profesionale.

Julia Goga-CookeJeta e dytë lidhet me punësimin tim në BBC në Londër. Gazetaria në radio ishte një fushë e re për mua, siç ishte dhe kultura e punës së atij vendi. BBC përveç përvojës në shtëpinë mediatike më të besueshme, ishte një shkollë e madhe jo vetëm në gazetari, por edhe në drejtim, strategji dhe inovacion. Pas drejtimit prej 10 vjetësh të BBC në Shqip, me një skuadër të mrekullueshme gazetarësh në Londër, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Greqi, SHBA, Paris e Bruksel, punova si këshilltare e lartë editoriale për të gjithë “BBC Global News”, që përfshin Shërbimin Botëror në radio në 44 gjuhë, WorldTV dhe News Online.

Ndërkohë jeta kishte marrë rrjedhën e vet dhe pa e vënë re dhe shpesh pa e besuar po bëhesha 50 vjeç, mosha kur fillon të reflektosh çfarë do të bësh me gjysmën tjetër të jetës. Përparësitë ndryshojnë në stade të ndryshme të jetës. Dy fëmijët e mëdhenj kishin dalë në jetë. Ajo që kishte filluar të më mundonte në atë kohë ishte pamundësia për të kaluar kohë me djalin e vogël në atë kohë 11 vjeç, ta merrja nga shkolla, të shkoja me të në stërvitjen e krikit (cricket, sport tradicional anglez). Deri atëherë rrallë e kisha patur mundësinë ta bëja një gjë të tillë. Ky ishte dhe motivi që më shtyu të merrja një vit pushim, që do më ndihmonte të vendosja çfarë do bëja më tej.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

“Design Thinking Innovation” ishte një koncept që sa po formohej si disiplinë. Vendosa të bëhem sërish studente me kohë të plotë në “Central Saint Martins” dhe “London Business School” për inovacion dhe sipërmarrje. Dhe aty filloi dhe jeta ime e tretë profesionale si sipërmarrëse, themeluese e akademisë së “Design Thinking” dhe sipërmarrjes në Londër. Fillimi i karrierës në një disiplinë të re dhe kalimi nga i punësuar në bos i vetvetes është vërtet emocionues. Ngritja e akademisë më dha mundësinë të njoh një botë të re të panjohur për mua, atë të korporatave komerciale, përmes konsortiumit kërkimor “Future of Work”, që bashkëthemelova dhe drejtova për 5 vite. Mbi 80 korporata iu bashkuan këtij konsortiumi me metodologjinë e inovacionit të hapur, i pari konsortium i tillë, me sfidën si do të punojmë pas 20 vjetësh dhe çfarë duhet të bëjnë kompanitë sot për të qenë të shëndetshme për vitet në vazhdim.

Kur shoh pas fushat që kam lëvruar ndonëse janë të ndryshme, të gjitha kanë lidhje të brendshme e të jashtme midis tyre, mësimdhënia, gjuhësia, letërsia, përkthimi dhe interpretimi, radio, televizioni, interneti, sipërmarrja, moda, design thinking, futurizmi dhe komunikimi. Të gjitha këto fusha në mënyra të ndryshme kanë ndihmuar e pasuruar njëra tjetrën. Kalimi nga njëra tek tjetra shpesh është bërë nga tërheqja drejt të panjohurës, të resë dhe dëshirës për të mësuar. Të qenit student është luksi më i madh që kam.

BM: Çfarë mendoni se duhet të ketë një individ për t’u bërë një sipërmarrës?

J: Tre gjëra, pasion, njohuri të paktën në një fushë dhe aftësi për të vepruar, (jo vetëm për të ëndërruar apo folur). Pasioni të duhet për të të dhënë forcë të vazhdosh edhe kur je në vështirësi, e sipërmarrja sigurisht është plot me të tilla çdo ditë. Njohuritë në një fushë të caktuar të japin veçantinë që do të sjellë sipërmarrja jote. Kombinuar me njohuritë e sipërmarrjes, të shkurton kohë për të arritur ato që ti dëshiron. Por, mund të kesh pasion dhe njohuri, po shpesh mund të mbetesh në nivelin e ëndrrave dhe ideve të mëdha. Nëse nuk lëviz për t’i sjellë në jetë ato ide, nuk mund të kesh sipërmarrje. Ka dhe një tjetër ingredient që i veçon sipërmarrjet inovative nga ato “me too”.  Do ta ilustroj me një shembull të freskët që më frymëzoi këtë javë. Të shtunën takova Olin, sipëmarrës i ri në Londër që ka ngritur një piceri lëvizëse.

“Unë jam rritur në një familje emigrante italiane, më tha, gjyshja ime bënte picat më të mira napolitane. Shumë shpejt mësova sekretet e picës. Kur mbarova shkollën dëshira e vetme ishte të hapja një piceri. Po çfarë të veçante do të kishte piceria ime ende nuk e dija. Në Londër janë mjaft në modë Merkatat e të Shtunës, me tenda apo furgona të stilizuar. Të shtoja një tjetër furgon, nuk ishte ndonjë e re e madhe. Në familje gjithmonë kemi përdorur makina italiane. Aty më lindi ideja të kthej një makinë Fiat 500 në furrë me dru dhe aty të bëj pica. Nuk ishte bërë ndonjëherë një gjë e tillë. Na u desh 3 muaj me ca shokë inxhinierë të shndërronim një Fiat të vjetër në furrë me dru dhe ashtu filluam.” Suksesi ishte i menjëhershëm.

Julia Goga-CookeÇdo gjë ishte e menduar në detaj, ingredientët e cilësisë së lartë e të shëndetshme, madhësia e picës, prerja për ta bërë të lehtë ngrënien në këmbë. Por ishte gjetja e tharmit unik që erdhi si rezultat i bashkimit të dy ikonave italiane, Fiat 500 dhe Pizza, me trendin e merkatës lëvizëse, me trendin e ngrënies të shëndeteshme, si dhe me kënaqësinë që “show” i jep klientit me të gjitha shqisat, sytë, aromën e furrës me dru, muzikën dhe shpejtësinë që e karakterizon njeriun në lëvizje.

 

BM: Cili është vendimi më i vështirë që keni marrë deri më tani?

J: Dy vendime shumë të vështira, të dyja lidhen me BBC, i pari është vendimi në 1992 për të shkuar në Londër në BBC dhe vendimi i dytë, për t’u larguar nga BBC e për të filluar karrierën në inovacion e sipërmarrje.

BM: Ku e gjeni veten më komode, duke punuar këtu në Shqipëri apo jashtë saj?

J: Natyra e punës që kam, bën që të jem gjithë kohës në lëvizje. Valixhja e vogël jeshile është gjithmonë pranë derës. Me nipin e vogël kemi bërë plot përralla për atë valixhe, “Zak e Nona”. Këtë muaj Zak shkon në Londër, Washington, Pragë, Dusseldorf. Ndihem në shtëpi në Durrës dhe në Londër. Janë vetëm 3 orë larg njëra tjetrës. Psikologjikisht e mendoj veten si udhëtare “abone”. (për ata që nuk e dinë, ne durrsakët e bënim me abone rrugën me tren Durrës-Tiranë për të shkuar në universitet).

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

BM: Bazuar në eksperiencën tuaj dhe si anëtare jurie e “Albanian ICT Award” a shikoni mundësi për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja në Shqipëri? Si po ecën trendi i tyre?

J: Shqipëria ka një popullatë të re në moshë, të mirë arsimuar dhe me akses në teknologji, nuk ka përse të mos presim që trendi i zhvillimit të sipërmarrjeve të reja të shkojë drejt ngjitjes. Shembujt, ndonëse të paktë, të startup-eve janë frymëzues. Është e nevojshme që këto shembuj të kthehen në modele për t’u ndjekur. Këtu mund të luajë rol edhe media si revista juaj, që mund të japë kontribut. Mund të përmend “AIRIS”, një startup i ri software në Durrës, që produktet e veta inovative në fushën e mjekësisë i ka përhapur në Afrikë dhe Amerikën Latine, mund të përmend “Amathia, një fermë e re blegtorale që përveç teknologjisë së re në blegtori po përdor konceptet e ekonomisë qarkulluese, mund të përmend “Easypay që sjell lehtësi në shërbimin e klientit, “Shtëpia e Zotërinjve” që me modelin e krijuar mund të përshkallëzohet sipas nevojës së tregut, “Go2” që ka vënë qëndrueshmërinë në zemër të mobilitetit.

BM: Pse nuk kemi më shumë të tilla?

J: Janë tre gjëra që unë i shikoj si kyç në dhënien hov të sipërmarrjes. Inkurajimi i sipërmarrjeve të oportunitetit, të cilat kanë korrelacion direkt me ekonominë e vendit. Në këtë drejtim kemi shumë për të bërë për të lëvizur nga vendi i 80 që kemi në “Indeksin Global të Entrepreneurship”.

Së dyti është inkurajimi i zhvillimit të të gjithë zinxhirit të vlerës në Industrinë Krijuese, në mënyrë që të kemi rritje cilësore në numrin e produkteve të reja që shpiken apo adoptohen në vend dhe që gjejnë treg jo vetëm brenda, por edhe jashtë kufijve. Edhe ky zë është ende i pazhvilluar sa duhet në Shqipëri. Disa nga profesionet e reja që janë krijuar këtë 10 vjeçar në zinxhirin e vlerës së industrisë krijuese ende nuk gjenden në tregun shqiptar. Bashkëpunimi ndërdisiplinor gjithashtu ka vend për më shumë zhvillim, ku dizenjuesit, inxhinierët, etnografët, kërkuesit, punojnë së bashku për të sjellë diçka të re që zgjidh një nevojë reale të njerëzve që do e përdorin. Nuk mund të kesh produkt inovativ ku programimi është fantastik, por përdorshmëria dhe dizenjimi mendohen vetëm si një shtesë.

Së treti është krijimi i një mendësie të re për sipërmarrjen tek të rinjtë ku suksesi vjen nga dedikimi, besimi në idenë dhe puna e shumtë. Glamorizimi i “Silicon Valley” ku gjithmonë flitet për VC e miliona dollarë financim, i bën të rinjtë të besojnë se të duhet ‘pare e madhe’ për të nisur një sipërmarrje. Puna kërkimore tregon se shumica e sipërmarrësve kanë filluar me financë “bootstrap”, kanë provuar konceptin, kanë gjetur disa klientë përpara se të kenë vendosur se kanë nevojë për më shumë financim. Nga ana tjetër krijimi i një mendësie naive se boll të kesh një ide, të gjithë do rendin të ta financojnë apo ta blejnë e keshtu ti do të bëhesh i pasur menjëherë, pak vend i ka lënë realitetit sepse duhet shumë punë e djersë, njohuri e përkrahje për të nisur e për të rritur një sipërmarrje inovative. Dhe ashtu si puna e foshnjës do të duhet një fshat i tërë për ta rritur. Startup-et lulëzojnë aty ku i gjithë ekosistemi punon për të njëjtin qëllim dhe në mënyrë strategjike. Përndryshe do të kemi më shumë njerez që flasin për startup-e se sa vetë startupe.

BM: Çfarë ju shtyu të themelonit “Albanian Innovation Accelerator”? Cili është misioni i tij?

Julia Goga-CookeJ: Në dy-tre vitet e fundit inovacioni dhe sipërmarrja janë vënë fort në axhendën e zhvillimit të Shqipërisë. Dalja në skenë e disa organizatave si “Startup Live”, “Startup Grind”, “Protik”, “Yunus Social Business” po bëjnë të mundur krijimin e kërkesës për sipërmarrje. Si specialiste në atë fushë i kisha ndjekur nga larg me shumë kënaqësi këto zhvillime. E meqë shumica e tyre ndodhin në Tiranë, mendova se duhet të bëj diçka për qytetin tim Durrësin. Kështu lindi “AIA” si qendër jo fitimpruëse, jo politike, me karakter kërkimor, kulturor dhe arsimor. Synimi është të ndihmojmë në zhvillimin e zinxhirit të vlerës së industrisë krijuese, duke ndihmuar të rinjtë të kthejnë idetë e talentet e tyre në sipërmarrje.

Janë tre grupe me të cilët punojmë: Wannapreneurs, ata që duan të bëhen sipërmarrës, kanë një ide dhe duan ta çojnë në implementim, janë 15-25 vjeç, plot ëndrra e energji. Janë fitues nga bootkampe të ndryshme. Është brezi i parë që nuk ka asnjë ndryshim nga moshatarët e tyre në Angli e gjetkë. Përmes një programi 6 mujor i ndihmojmë të marrin mendësinë, qëndrimin, njohuritë dhe aftësitë për t’u bërë sipërmarrës. Ky program merr kontribut akademik dhe mentorues nga kolegë të rrjetit të inovacionit, si Shkëlzen Marku i Yunus Foundation, Erton Graceni nga Protik, Ana Zaharian e Albanian Skills, Indri Dyrmishi nga StartupLive, Mërgim Cahani nga Gjirafa, Asetila Kostinger e “Dhomës së Tregtisë Austriake”. 

Grupi i dytë janë startup-et e reja të sukseseshme, të cilat e kanë kaluar vitin e parë e të dytë të vështirësisë. Këto startup-e e kanë të freskët çfarë ju është dashur të bëjnë dhe janë Modele Live dhe mentorë me impakt. Airis, Amalthia, Almatech, iAct, Easypay, LightandMoving, GO2 janë disa prej tyre. Këto janë disa nga modelet e reja të sipërmarrjes që duam të promovojmë përmes storytelling dhe mentorimit për përshkallëzim.

Grupi i tretë janë organizatat, të cilat kanë në axhendën e tyre rritjen përmes inovacionit, ne i ndihmojmë në krijimin e vizionit strategjik ku inovacioni është jo diçka ekstra, por thelbi i së ardhmes dhe më pas me krijimin e shprehive inovatore, si empatia për klientin, kreativiteti, eksperimentimi, testimi, shpërndarja, drejtimi dhe komunikimi.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

BM:  Çfarë u ofron “Albanian Innovation Accelerator” të rinjve shqiptarë?

J: Shpresën se edhe në Shqipëri mund të ngresh një të ardhme të bukur përmes sipërmarrjes. Mendësinë e rritjes, njohuritë që i duhen për t’i kthyer idetë në sipërmarrje, rrjetin me startup-et dhe besimin që nëse me të vërtetë e duan rrugën e startup-it, nuk ka pse të mos kenë sukses. Mundësinë për të qenë pjesë jo vetëm e rrjeteve inovative brenda vendit, por edhe jashtë tij. “AIA Academy” është pjesë e “MIT Launch Club” dhe si e tillë, grupet nga shkollat e mesme kanë mundësinë të bëjnë prezantimet e tyre në MIT krahas të rinjve nga shumë vende të botës.

BM: A janë përmbushur pritshmëritë që kishit kur themeluat “Albanian Innovation Accelerator”?

J: Them që po. Viti i parë ka qenë një vit eksplorimi, eksperimentimi dhe hulumtimi për ne si organizatë dhe një përgjigje pyetjes, pse jemi në Durrës? Misioni ynë është afatgjatë dhe strategjik. Vizioni ynë është ta bëjmë Durrësin “European Capital City of Culture” në periudhën 2027-2033. Durrësi i ka të gjitha premisat për t’u bërë i tillë. Promotori në këtë lëvizje janë 25 mijë të rinj nën moshën 18 vjeç dhe 18 mijë studentë në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Kemi 3 vjet për të përgatitur angazhimin qytetar dhe portofolin për të aplikuar. Kam besim se do ia dalim.

BM:  Cila është këshilla që i jepni sipërmarrësit të ri shqiptar dhe të gjithë lexuesve të Business Magazine Albania?

J: Bëj diçka që ka kuptim, sado e vogël qoftë ajo. Ky vend nuk ka nevojë vetëm për ëndërrimtarë e kritikë, ka nevojë edhe për njerëz që bëjnë diçka!

BM: Së fundmi, kujt ia dedikoni suksesin e arritur deri më sot?

J: Pa dyshim familjes time që më kanë mbështetur, duruar, ndihmuar, inkurajuar dhe besuar.

BM: Faleminderit për intervistën! 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15 të numrit 13 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 13 të saj.

Evente

Samiti Global i PR në Beograd

Qershor 1, 2017
9 AM - 5 PM

Innovate your way out 2017!

Qershor 2, 2017
10 AM - 2 PM

SAMITI GLOBAL I GRUAS

Qershor 3, 2017
9 AM/6PM

ICT Youth Camp

Qershor 5, 2017
në orën 10:00 - 8 Qershor në orën 13:00

Doing Business 2017

Shtator 28, 2017
në orën 09:00 - 29 Shtator Sep 29 në orën 20:00