Përditësuar së fundmi: 20/04/2017

Ja si mund të përfitojnë nga amnistia 140 mijë makina dhe bizneset

nga Anerola Torollari
Pri 20, 2017
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Ministria e Financave përfundon udhëzimin me procedurat për zbatimin e ligjit të faljes se taksave dhe gjobave për pronarët e makinave dhe biznesin.

Burime zyrtare thanë se udhëzimi për amnistinë fiskale detajon disa procedura administrative, të cilat do të bëjnë të mundur që ligji të zbatohet me sa më pak kosto për tatimpaguesit dhe pronarët e makinave.

Udhëzimi
Udhëzimi i Financave parashikon që tatimpaguesit të njoftohen nëpërmjet postës elektronike për borxhet që do t’u fshihen, si dhe për gjobat që u falen kur paguajnë detyrimin. Ministria e Financave sqaron se procesi do të jetë automatik, me qëllim shmangien e radhëve të biznesit në administratën fiskale.

Për makinat, Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor do të kryejë njoftimin paraprak të pronarëve të makinave nëpërmjet publikimit të listës me targat e mjeteve debitore në portalin qeveritar “E-albania” dhe drejtoritë e transportit rrugor.

Makinat
Pronarët e makinave që kanë taksa të papaguara do të informohen paraprakisht për të përfituar nga ligji. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor do të publikojë në portalin qeveritar “E-albania” dhe në drejtoritë rajonale targat e 140 mijë mjeteve debitore. Pra, lista përfundimtare do të jetë e detajuar, e ndarë në grupe sipas përfitimit të ligjit dhe përdoruesi i mjetit që përfiton nga falja e taksave do të lajmërohet nëpërmjet listave që do të përmbajnë targat e të gjitha mjeteve debitore, pa bërë publik identitetin e përdoruesit të mjetit.

Procedura do të jetë e thjeshtë, ku në rast se një qytetar nuk ka paguar taksat deri në 2010-n dhe kërkon ta çregjistrojë mjetin, atij do t’i fshihen detyrimet, ndërsa mjeti nuk do të lejohet të qarkullojë më. Në rast se ai kërkon ta mbajë mjetin në qarkullim, përfiton nga fshirja e taksave deri në 2010-n, por duhet të paguajë detyrimet për periudhën 2011-2014, pa gjoba dhe kamatëvonesa. Në rast se mjeti do të vazhdojë të jetë ende në qarkullim, do të sekuestrohet nga Policia e Shtetit, pasi targa e mjetit nuk do të jetë më në qarkullim. Afati, pas shpalljes së listës për të përfituar nga amnistia, është deri më 31 dhjetor.

Biznesi
Udhëzimi për të përfituar nga ligji i faljes parashikon që procedura për biznesin të kryhet në mënyrë automatike. Kjo procedurë parashikon që biznesi të njoftohet nëpërmjet postës elektronike në llogarinë e tij elektronike që veprimi është kryer. Për ato raste që është e pamundur që procesi të jetë automatik, do të synohet sa më pak kontakte dhe kohë e shpenzuar nga biznesi për të realizuar qëllimin e tij në lidhje me skemën e faljes.

Me procesin automatik, Ministria e Financave nënkupton se në rast se një biznes ka një gjobë që është subjekti i këtij ligji apo në qoftë se tatimpaguesi kërkon të mbyllë një detyrim duke paguar tatimin në mënyrë që të falet gjoba, procesi do të kryhet nga zyrat e administratës fiskale, në mënyrë që tatimpaguesi të mos shkojë dhe të presë që të realizojë këtë proces.

burimi: acp.al