Historiku i sistemit bankar shqiptar, Ismail Qemali nënshkroi koncesionin e parë - Business Magazine Albania

Historiku i sistemit bankar shqiptar, Ismail Qemali nënshkroi koncesionin e parë


Megjithë përpjekjet e para për monedhën, pagesat dhe bankat datojnë që në fillim të shekullit XIX, në fakt, vetëm nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shekullit XX filluan veprimtarinë e tyre institucionet e para bankare me hapjen e degëve të Bankës Agrare (Bujqësore) Turke dhe të Bankës Kombëtare (Perandorake) Otomane. Në fillimin e shekullit XX shfaqen idetë për krijimin e një banke në Shqipëri, ku përveç ideve të rilindësve tanë, shfaqen dhe projektet e para. Natyrisht, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë u shtua shumë interesimi jo vetëm i shqiptarëve, por edhe i të huajve për ngritjen e institucioneve bankare. Përpjekjet më serioze u bënë nga qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, me një projekt koncesionar për të huajt që rezultoi në ngritjen e bankës së parë në Shqipëri, megjithëse jetëshkurtër.

Me interes të veçantë është projekti i krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, një projekt që zë fill në vitin 1922, kur qeveria shqiptare iu drejtua…

Lidhjes së Kombeve për vlerësimin e mundësive për investime të huaja në Shqipëri, me përfundimet e raportit ku propozohej krijimi i një banke, me dërgimin e ekspertëve të huaj për ngritjen e bankës dhe që mbaron me marrëveshjen përkatëse dhe me fillimin e funksionimit të kësaj banke në vitin 1925. Po interes të veçantë, paraqesin edhe faktet rreth veprimtarisë së kësaj banke deri në vitin 1944.

Por, pas Pavarësisë, deri në vitin 1944, në Shqipëri kanë funksionuar edhe disa institucione të tjera bankare. Shumë nga këto institucione kontrolloheshin vetëm nga kapitali i huaj, të tjerat nga kapitali i huaj dhe ai vendas.

Përgjatë periudhës 1944 deri në vitin 1991 banka me e rëndësishme në vend ishte Banka e Shtetit Shqiptar. Ajo ishte bankë e shtetit (bankë qendrore), por edhe bankë tregtare. Fillimisht kjo bankë ka pasur monopolin e kreditimit e të pagesave në Shqipëri, por shkallë-shkallë në përputhje me fazat e zhvillimeve ekonomike ky monopol iu hoq dhe disa nga veprimtaritë e saj iu kaluan bankave të tjera, si për shembull Bankës Bujqësore. Depozitimi nga popullsia i kursimeve të lira ishte një funksion monopol i Institutit të Arkave të Kursimit dhe të Sigurimeve. Ndërsa Banka Bujqësore gëzonte monopolin e kreditimit të ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore. Lidhjet ndërmjet këtyre institucioneve bankare ishin shumë të forta e të kushtëzuara. Depozitat e popullsisë në Institutin e Arkave të Kursimit e të Sigurimeve përdoreshin nga Banka e Shtetit Shqiptar dhe Banka Bujqësore për kreditimin e klientëve të tyre. Instituti i Arkave të Kursimit dhe të Sigurimeve nuk kreditonte ekonominë, kurse dy bankat e tjera nuk grumbullonin depozita nga popullsia.

Sistemi i bankave tregtare në Shqipëri pas vitit 1991 dallohet për një hyrje shkallë-shkallë, por të konsiderueshme të bankave me kapital të huaj nga vende të ndryshme evropiane dhe vende të tjera, duke filluar me banka që hynë në tregun shqiptar nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme, me banka që u futën nëpërmjet një procesi të pastër licencimi dhe me banka që u krijuan me kapital privat shqiptar.

Bazuar në fakte të kësaj periudhe, ecuria e sistemit bankar mund të grupohet lidhur me tre momente: a) krijimi i bankave të mirëfillta tregtare; b) zhvillimi i bankave pas rënies së firmave piramidale dhe c) zhvillimi i bankave pas nisjes së procesit të privatizimit të bankave shtetërore.

Nënshkrimi i koncesionit të parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare,
4 tetor 1913

100 vite të shkuara, më 4 tetor 1913, në emër të qeverisë shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora nënshkroi koncesionin e parë për krijimin e një banke qendrore shqiptare. Nënshkrues të tjerë ishin përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, përkatësisht Karol Pitner dhe Oskar Pollak të atij austro-hungarez, dhe Pietro Fenolio e Guido Ansbaher të grupit italian. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare Shqiptare nuk mundi të zhvillojë aktivitet. Por, hartimi i këtij koncesioni për krijimin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë” mbetet një dokument i rëndësishëm në historinë e bankigut qendror shqiptar, një gur e themelit të këtij institucioni që, në konceptin e vet paraqitës, i përmbahet të gjitha standardeve evropiane të kohës. Jo më kot, themeluesi i shtetit modern shqiptar, bankën kombëtare e ka cilësuar si “…e dyta fitore pas lirisë”.

Një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë jo fitimin në vetvete, por zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Krijimi i një banke të tillë paraqiste mjaft vështirësi, sidomos për faktin se të Shqipëria nuk ishte njohur ende si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare. Por, edhe pas kësaj njohjeje më 29 korrik 1913, përsëri, mungesa e stabilitetit e bënte të pamundur krijimin e një banke me kapital themeltar shqiptar.

Në 4 tetor 1913, nga Ismail Qemal Bej Vlora u nënshkrua ai që në aktin zyrtar quhet “akt konqesie” (akt koncensioni). Kjo marrëveshje për koncesionin e ngritjes së Bankës Kombëtare të Shqipërisë me një kapital prej 10 milionë koronash ose 10,5 milionë liretash, të formuara në monedha ari, kishte një afat 60-vjeçar. Me këtë koncesion, Banka Kombëtare e Shqipërisë me kapitalin e përbashkët austro-italian, fitonte të drejtën e emetimit të kartëmonedhave, të cilat do të emërtoheshin në shqip dhe në frengjisht, me një mbulesë ari jo më pak se 1/3 e kartëmonedhave. Banka do të ishte i vetmi agjent financiar i qeverisë shqiptare si brenda dhe jashtë vendit. Vetëm ajo kishte të drejtën të tregtonte për llogarinë e qeverisë bonot e thesarit dhe letra të tjera me vlerë të qeverisë. Në marrëveshje ajo fitonte gjithashtu të drejtën të kryente disa veprime financiare: shitblerje titujsh, monedhash, metalesh të çmuara, mallrash tregtie, për llogari të vet dhe për llogari të të tjerëve etj. Ajo merrte përsipër pranimin e depozitave dhe dhënien e kredive për shoqëritë dhe ndërmarrjet tregtare, industriale, financiare e bujqësore. Banka merrte përsipër, më në fund, kryerjen e emetimit të obligacioneve të garantuara si dhe kryerjen e veprimeve hipotekore.

Ismail Qemali ishte i bindur se Banka Kombëtare e Shqipërisë do t’i shërbente zhvillimit të ekonomisë së vendit dhe konsolidimit të Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë. Por vështirësitë me të cilat u ndesh Shqipëria në atë kohë nuk i krijuan mundësi praktike Bankës Kombëtare për zhvillimin e veprimtarisë së saj.

Materialet u moren nga Albanian Association of Banks & Banka e Shqiperise. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0