Përditësuar së fundmi: 21/04/2017

Forcohet miqësia shekullore mes Austrisë dhe Shqipërisë, tashmë edhe në planin ekonomik dhe atë social

nga Anerola Torollari
Pri 21, 2017
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Miqësia shekullore mes Austrisë dhe Shqipërisë forcohet gjithmonë e më shumë. Së fundmi jo thjesht në planin politik e diplomatik, por dhe në atë ekonomik, social, kulturor dhe mbi të gjitha human.

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), në bashkëpunim me disa partnerë ndërkombëtarë, ka marrë përsipër financimin dhe mbështetjen teknike të disa projekteve në pjesën veriperëndimore të vendit. Ato kanë në fokus përmirësimin e marrëdhënieve të qytetarëve me institucionet shtetërore, ndihmën e shtresave të disavantazhuara, edukimin, mbështetjen e biznesit fason dhe sektorit të energjitikës.

Projekti “Drejtësi pa Vonesa”, në partneritet me OSBE, synon të rrisë cilësinë e procedurave gjyqësore në Shqipëri duke ndërtuar një bashkëpunim mes rretheve gjyqësore, gjykatave të Apelit dhe institucioneve lokale. Aktualisht ky projekt po zbatohet në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë. Vitin e fundit është arritur të ulet me 20% ngarkesa e përgjithshme e gjykatësve.

Me OSBE po punohet gjithashtu për ndërtimin e një ure lidhëse mes parlamentit dhe qytetarëve. Krijimi i Zyrave Rajonale Parlamentare kërkon të lehtësojë lidhjen mes deputetëve dhe qytetarëve. Një qëllim i veçantë i kësaj nisme të filluar në Shkodër, është angazhimi i të rinjve në jetën parlamentare duke u ofruar atyre akses për më shumë informacion mbi politikat dhe proceset legjislative.

Ekonomia zë një pjesë jo të vogël të këtyre investimeve ku më kryesori është hidrocentrali i Ashtrës, pranë Vaut të Dejës. Ky impiant u përcjell energji rreth 100.000 familjeve. Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, ai garanton furnizim konstant energjie, gjë që redukton importin e saj. Natyra përreth mbetet e padëmtuar pasi HEC-i nuk prodhon mbetje.

ADA i vjen në ndihmë edhe biznesit fason me një formulë që garanton zhvillim të konsoliduar e afatgjatë. Ajo ofron asistencë teknike përmes trajnimit të nxënësve dhe mësuesve të Qendrës së Formimit Profesional Publik në Kavajë, Krujë e Tiranë. Pas përgatitjes në këtë institucion, të trajnuarit punësohen në një prej bizneseve që kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me ADA-n.

Një aspekt tjetër në të cilin ADA ka investuar fuqishëm është edhe ai social. Janë tre projekte të tillë, ku shtrirjen më të madhe në kohë dhe hapësirë, e zë zhvillimi i qendrës ditore të kujdesit për personat me aftësi të kufizuara. Kjo qendër që funksionon tanimë prej 9 vitesh, ka si objektiv integrimin e 750 personave me aftësi të kufizuara në zonën e Vaut të Dejës, Lezhës dhe Laçit.

Koordinatorja Elona Mehmetaj përmendi disa nga arritjet e kësaj pune shumëvjecare: “Kemi arritur të nxisim një bashkëpunim lokal me institucionet që kanë përgjegjësi më të madhe. Në mjediset e kësaj qendre këshillimi, ne shohim se këta persona janë të aftë të artikulojnë nevojat e tyre, të njohin të drejtat e tyre dhe t’i kuptojnë ato.”

Por në vëmendje të agjencisë austriake është edhe edukimi i fëmijëve, e sidomos atyre që vijnë nga shtresa të dizavantazhuara si komuniteti rom dhe egjiptian. Hapja e qendrës edukative “Mundësia e Dytë” në Fushë-Krujë, u jep shansin fëmijëve që e kanë lënë herët shkollën apo që nuk kanë patur kurrë mundësinë ta ndjekin atë, të ripërfshihen në programin publik shkollor me zbatimin e një modeli alternativ.

Në anën tjetër, shkolla “Peter Mahringer’’ në Shkodër, e profilizuar në IT, jo vetëm pajis nxënësit e saj me njohuritë më bashkëkohore të fushës, por dhe u ofron atyre mundësinë të vazhdojnë studimet e larta në Austri pas përfundimit të gjimnazit.

Janë këto disa nga projektet e Agjencisë Austriake të Zhvillimit që po realizohen aktualisht. Por ADA dhe në veçanti shteti austriak kanë qenë pothuajse përherë të pranishëm me programe të tilla në Shqipëri. Pse u mendua që pikërisht tani të ketë një mbulim sa më të gjerë mediatik të këtyre aktiviteteve?

Shefi i zyrës së agjencisë, Heinz Habertheuer, tha se kjo bëhet për të rritur ndërgjegjësimin dhe vëmendjen e njerëzve për veprimtarinë e ADA-s, pasi ishte konstatuar se në publikun e gjerë shqiptar, por dhe austriak diçka e tillë mungonte. “Ne duam gjithashtu t’u bëjmë transparente taksapaguesve austriakë se ku shkojnë paratë e tyre, sepse ADA financohet nga fondet shtetërore” – sqaroi ai.

Mungesa e vëmendjes së përgjithshme popullore mund të mungojë, por produkti i mirë s’ka nevojë për shumë publicitet dhe kjo shihej qartë në çdo pikë ndalese të udhëtimit. Besimi dashamirësia dhe lidhja historike mes vendeve tona vijon të forcohet gjithmonë e më shumë.

burimi: javanews.al

Evente

Albanian Skills 2017

Maj 26, 2017
ora 08:00 dhe 27 Maj ora 09:00

Samiti Global i PR në Beograd

Qershor 1, 2017
9 AM - 5 PM

Innovate your way out 2017!

Qershor 2, 2017
10 AM - 2 PM

SAMITI GLOBAL I GRUAS

Qershor 3, 2017
9 AM/6PM

Doing Business 2017

Shtator 28, 2017
në orën 09:00 - 29 Shtator Sep 29 në orën 20:00