Përditësuar së fundmi: 21/04/2017

Fondet e biznesit, ja cilët janë sektorët që përfitojnë

nga Anerola Torollari
Pri 21, 2017
Studied at Faculty of Science, Content Editor Biznesi at Business Magazine
lexo me teper >

Nga gjashtë skema financimi me anë të së cilave qeveria mbështet kryesisht biznesin e vogël e të mesëm kanë arritur të përfitojnë vetëm 86 kompani nga 152 që kanë aplikuar në total.

Për periudhën 2014-2015, numri i përfituesve ( për të dy vitet bashkë) ishte 96.

Sipërmarrjet përfituese i përkasin kryesisht sektorëve, si: agro-përpunimi, plastika, druri, ICT, fasoni tekstil, artizanati dhe turizmi i cili promovon produktet “Made in Albania”. Të dhënat bëhen të ditura nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e cila ka si detyrë zbatimin e skemave me qëllim mbështetjen kryesisht të bizneseve që ekportojnë, për të rritur konkurrueshmërinë e tyre, për të forcuar kapacitetet prodhuese, si dhe për t’i ndihmuar me daljen në treg.

Skemat financiare janë: Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë, Fondin e Inovacionit , Fondin e Ekonomisë Kreative (Artizanatit), Fondin Startup, Skema “Voucher” dhe Fondi i Grave Sipërmarrëse. Nga këto fonde shtetërore mund të përfitojë çdo ndërmarrje e vogël dhe e mesme që i përkasin veçanërisht sektorit prodhues. Deri tani bizneset që kanë përfituar i përkasin qarqeve kryesore të vendit si: Vlora, Durrësi, Shkodra, Gjirokastra, Korça, Berati dhe Elbasani.

Fondet nën menaxhimin e AIDA-s

Fondi i Konkurrueshmërisë

Është një nga fondet që operon për të katërtin vit radhazi pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Qëllimi i fondit është të ndihmojë kompanitë shqiptare të depërtojnë me produktet e tyre në tregje të huaja duke siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për aktivitete që do të ndihmojnë në zbatimin e planit të tyre për eksport. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 1.400.000.

Fondi i Ekonomisë Kreative

Ka për qëllim zhvillimin e sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për aktivitete më të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 500,000 lekë.

Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse

Është një nga fondet e reja që AIDA menaxhon këtë vit. Qëllimi i tij do të jetë rritja ekonomike e sipërmarrjeve femërore duke nxitur investimet e reja nëpërmjet rritjes së financimeve nga institucionet financiare jo-bankare dhe shoqëritë e kursim-kreditit. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 100,000 lekë.

Fondin në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Startup”

Është fondi tjetër i ri, i cili ka për qëllim mbështetjen e bizneseve të sapo krijuara “Startup” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 300,000 lekë.

Fondi i Inovacionit

Për të gjitha ndërmarrjet SME, që janë të interesuara që të avancojnë linjën e tyre teknologjike. Shuma maksimale që mund të përfitojë një subjekt është 400,000 lekë.

Fondi në mbështetje të turizmit

Synohet stimulimi i ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike/ historike, për t’iu mundësuar atyre mbështetje financiare për investime kapitale në ambientet e ushtrimit të aktivitetit.

Fondi u jep ndihmë, në formë granti të drejtpërdrejtë SME-ve nëpërmjet bashkëfinancimit. Fondi mbulon deri në 50 % të kostove të pranueshme, por jo më shumë se 3,000,000 leke.

burimi: Monitor