EKSELENCA VJEN DUKE THËNË ‘JO’ - Business Magazine Albania

EKSELENCA VJEN DUKE THËNË ‘JO’


Në një kurs të ri të konceptuar nga Frances Frei dhe Amy Schulman, studentët e biznesit dhe të juridikut ndihmojnë njëri-tjetrin në përkufizimin dhe arritjen e interpretimeve të tyre personale mbi suksesin.
Mësimi numër një: Nuk mund të jesh i zoti në gjithçka.

Të gjithë ne njohim njerëz që duken se mund të performojnë në një nivel më të lartë se të tjerët që kanë rreth vetes; dhe çdo njeri prej nesh i ka ato momentet ku ‘të gjithë motorët i kemi vënë në punë’ dhe çdo gjë duket se ecën shkëlqyeshëm. Por si mund të arrihet kjo lloj performance e shkëlqyer në një mënyrë të vazhdueshme, ditë pas dite?

Profesorja e ‘Harvard Business School’, Frances Frei ka eksploruar këtë pyetje për vite të tëra në botën e shitjes me pakicë, punë që kulminoi me botimin e librit të saj të vitit 2012, Shërbime të veçanta: Si të fitosh duke vendosur konsumatorët në qendër të biznesit tënd.

Semestrin e kaluar në HBS, profesoresha e Fondacionit ‘UPS’ e Manaxhimit të Shërbimeve i aplikoi këto leksione nëpërmjet një kursi të ri për studentët e MBA (Masteri për Administrim Biznesi), Why You Should Care: Creating the Conditions for Excellence (Pse duhet të kujdesesh: Të krijosh kushtet për ekselencën), duke dhënë mësim në bashkëpunim me lektoren e nivelit të lartë dhe gurunë e investimeve të kapitalit Amy Schulman-in.

Së bashku ato krijuan një kurs leksionesh si asnjë tjetër të ngjashëm në shkollë, tepër praktike dhe intensivisht personale. “Nuk kam fjalë t’ju shpreh se sa e jashtëzakonshme ka qenë kjo eksperiencë,” thotë Frei. “Kurrë nuk më ka rastisur të jap leksione të tilla.”

Sipas përshkrimit të kursit, ‘CCE (Creating Conditions for Excellence) eksploron si të identifikojmë dhe të kapërcejmë barrierat drejt ekselencës personale dhe profesionale, barriera të cilat janë rëndom kundër-intuitive siç është fokusi për arritjet personale.

Guximi për të qenë ‘I keq’

Në qendër të filozofisë së Frei-t është një apel që zakonisht studentët e masterit të Administrim-Biznesit nuk janë mësuar ta hasin shpesh: në mënyrë që të arrish ekselencën, të duhet kurajo për të qenë ‘i keq’.

“Unë jam e fiksuar me çështjen se pse individë që janë shumë të qartë rreth qëllimeve të tyre dhe energjikë, përfundojnë duke qenë pjesë e problemit,” citon Frei. Ajo kupton se pengesa kryesore me të cilën përballen pjesa më e madhe e njerëzve është se përpiqen që të jenë të zotë në gjithçka, dhe rrjedhimisht nuk janë ekselentë në asgjë.

excellenceslide1

“Njerëzit konkurrojnë mes njëri-tjetrit në çdo dimension, dhe mundohen ta bëjnë këtë pambarimisht. Për të hequr dorë nga kjo, juve nuk ju duhen më tepër mundësi, ajo që ju duhet është një kurajo gjigande për t’i thënë vetes se, nëse do të jem vërtet i mirë në diçka, më duhet patjetër të jem pak ose aspak i zoti në diçka tjetër. Nëse më duhet të konkurroj mbi baza të cilësisë dhe kostos, atëherë dikush tjetër do të më konkurrojë për shpejtësi.”

Leksioni i radhës i kursit i referohet bashkëpunimit. Në momentin që vendos të konkurrosh në fushën ku ti je më i zoti, thotë Frei, duhet të mësosh si të bashkëpunosh me të tjerët për të plotësuar mangësinë që ke. Ky është momenti ku vjen edhe ekspertiza e Schulman-it. Si partnere biznesi në kompaninë me një kapital prej 4 miliardë dollarësh ‘Polaris Partners’ dhe si ish-drejtoreshë ekzekutive e ‘Pfizer’, Schulman ka punuar në rreth 90 vende të botës.

“Çelësi për të krijuar skuadra bashkëpunuese brenda mjediseve të natyrave të ndryshme, është gjetja e strategjive që rrisin vlerat, në mënyrë që individët të mos luftojnë për pjsën e tyre në ‘tortën’ tradicionale,” thotë Schulman.”Kur bën bashkë njerëz me objektiva të ndryshëm, krijon më shumë vlerë për këdo.” Me fjalë të tjera, shuma e pjesëve të marra bashkë është më e madhe se shume e secilës veç e veç.

Për të shkuar më tutje, në mënyrë të atillë që të sigurohemi se bashkëpunime të tilla do të kenë sukses, është e rëndësishme të kultivosh artin e komunikimit.”Është befasuese se sa çliruese është të flasësh rreth asaj çka po ndodh aktualisht dhe ne mund ta bëjmë këtë vetëm kur marrim përsipër riskun të diskutojmë rreth së padiskutueshmes me hijeshi dhe kujdes,” shprehet Schulman.

Studentëve iu mësua se si t’i mësonin problematikat e çështjeve të tyre në mënyrë aq tërësore, saqë t’ua shpjegonin një pjesëtari të familjes pa asnjë background mbi temën. “Shpesh, nuk na duhen ide më të mira, në vend të saj na duhet t’i kornizojmë ato në mënyrë efektive,’ thotë Frei. “Për të përshkruar diçka thjeshtë, duhet me patjetër të kuptosh thelbin e saj.”

T’i përziesh bashkë

Kursi kishte vetëm 20 studentë, klasë e vogël për standardet e Harvard Business School, dhe unike për faktin se ishte një përzierje 50 me 50 mes studentëve nga shkolla e biznesit dhe shkolla e juridikut të Harvardit. Miksimi i studentëve të biznesit dhe juridikut u bë pjesërisht për t’i shtuar diversitet perspektivave dhe për t’i përballur studentët jashtë sferave të tyre të studimit.

“Kur ndihesh i afërt në një mjedis pjesërisht anonim, është sa e çuditshme edhe çliruese”, thotë Frei.

Atmosfera u dha mundësi atyre për një analizë të pazakontë të vetvetes dhe një refleksion mbi çështjet që studiuan. Schulman ua tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen studentëve të HLS dhe HBS rreth etikës dhe vlerave, ku secili grup zbuloi paragjykimet që kishte për profesionin e tjetrit. “Ajo që ishte goditëse për mua ishte aftësia që kishin studentët për të sfiduar hamendësimet e tyre, dhe për të diskutuar mbi të vërtetat absolute me respekt, por me sjellje konfrontuese,” thotë Schulman.

Ai shpirti kërkues vazhdoi edhe në projektet individuale që studentët krijuan si një shprehje e filozofisë së tyre mbi ekselencën tashmë. Frei dhe Schulman i inkurajuan studentët për të zhvilluar pikëpamjet e tyre personale se çfarë do të thotë që të kujdesesh, dhe se çfarë ndodh nëse ata nuk e bëjnë këtë. Një student hartoi një seri sekuencash me vizatime duke shprehur kredon e tij personale u bazuar në personazhet e historive komike të ‘Calvin and Hobbes’. Një student tjetër shkroi një ese personale mbi mundimet e kapërcimit të stereotipizimit e të qënit ‘vajza e ndrojtur aziatike’. Një tjetër, që vinte nga një eksperiencë e shitjes me pakicë, i shkroi një letër të hapur dyqanit të veshjeve ‘Abercombie & Fitch’ rreth faktit sepse “Është koha që të kushtosh sërish vëmëndje.” Një student krijoi një lojë kompjuteri ‘Zgjidh aventurën tënde’ që lidhej me bërjen e zgjedhjeve të duhura në një mjedis pune. (Kur Frei bëri një lojë, ‘Unë u pushova nga puna.’)

Një nga projektet më prekëse të kursit, thotë ajo, erdhi nga një student juridiku, cili kishte kaluar kohë duke punuar me komisionin e të drejtave njerëzore të shtetit afrikan të shkatërruar nga lufta, ku ai ishte rritur. Ai në mënyrë sistematike përdori materialet nga leksionet e kursit për të kritikuar hipokrizinë në komision, po ashtu edhe për të kritikuar veten e tij që nuk kishte standarde mjaftueshëm të larta. “Fillova të mendoj se nëse gjërat po bëheshin sipas një tendence të caktuar në komision…nuk ishte nevoja që ‘ta godisje barkën,’” ka shkruar ai. “Tolerova më shumë se ç’duhej.” Studenti e përfundoi esenë e tij me disa sugjerime konkrete mbi mënyrën se si mund të reformohej komisioni.

“Secili prej tyre solli pikëpamjen e tij, që pati një feedback të pabesueshëm nga tjetri,” thotë Frei për studentët dhe projektet e tyre. Eksperienca ishte e vështirë për disa nga studentët, të cilët nuk kishin një udhëheqje konkrete duke bërë që të stresoheshin kohë pas kohe. Por Frei thotë se liria ishte e domosdoshme për secilin për të zhvilluar përcakimin e tyre se çfarë do të thotë ekselencë.

Një nga leksionet e fundit të kursit kishte të bënte me ndryshimin. Nga eksperienca e saj në sektorin e shërbimeve, Frei ka mësuar se të bësh ndryshime të vogla, zakonisht janë shpeshherë më me probleme se vlera që kanë ato, por për të bërë ndryshime të mëdha dhe të mirëfillta, duhet zakonisht të ndryshosh me një hap më të shpejtë se ç’do t’i shkonte për shtat organizatës.

Duke i nxjerrë studentët nga zona e tyre e komfortit dhe duke i ndihmuar të ekzaminojnë vlerat e tyre personale në këtë kurs, Frei dhe Schlman shpresojnë të kenë sjellë një ndryshim për mirë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0