Dr. Erka Çaro: Migrimi - Një nga shtyllat kryesore të krijimit dhe ekzistencës së BE, rrezikon të bjerë e të shembi gjithë parimet bazë të krijimit të BE-së.

Dr. Erka Çaro: Migrimi – Një nga shtyllat kryesore të krijimit dhe ekzistencës së BE, rrezikon të bjerë


CËSHTJE NË FOKUS – #MIGRIMI #BE #SHQIPËRIA
INTERVISTË ME EKSPERTIN

Kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për botën e sotme në përgjithësi por edhe për Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën në veçanti, ICM-Western Balkans, Universiteti i New York-ut në Tiranë, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Jyväskylä në Finlandë do të zhvillojnë një konferencë ndërkombëtare mbi migracionin e punës dhe qytetarinë industriale duke u fokusuar mbi Shqiptarët në lëvizje, identitetin, zhvillimin dhe qytetarinë.
Ne takuam koordinatoren e këtij projekti, Dr. Erka Çaro, për të na dhënë një këndvështrim eksperti për Çështjen e Emigracionit, valën e migrantëve në Europë, shkaqet, sjelljet dhe pasojat që ky fenomen bart në ditët e sotme.

Në bisedën me ne, ajo zbulon se:

“Aktualisht është një moment i vëshirë për Europën jo vetëm për shkak të numrit të madh të refugjatëve që çdo ditë vijnë në brigjet e detit Mesdhe si pikë kryesore tranziti por dhe për shkak të dramës që këta emigrantë mbajnë me vete…”

“Ka një dinamikë interesante dhe multidimensionale të krizës së migantëve, ku nga njëra anë kemi retorikat antimigratore të stimuluara nga debati politik por edhe ai mediatik, dhe nga ana tjetër kemi një mobilizim dhe shprehje të solidaritetit nga ana e qytetarëve të thjeshtë që janë ngritur në mbrojtje dhe në mbështetje të refugjatëve. Të gjithe besoj kujtojnë tronditjen e thellë kur pamjet e Alyan Kurdit, fëmija Sirian i mbytur në brigjet e Mesdheut, pushtuan mediat sociale. Ai imazh ikonik mund të them pati një ndikim reflektues ë sjelljen e qytetarëve Europianë dhe ku për herë të parë u ndje ndikimi i solidaritetit të njerëzve në politikbërje.”

Megjithatë, situata duhet parë në plan më të gjerë dhe jo të fokusohemi vetëm te dera e shtëpisë.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë.

Dr. Erka Çaro: Migrimi – Një nga shtyllat kryesore të krijimit dhe ekzistencës së BE, rrezikon të bjerë e të shembi gjithë parimet bazë të krijimit të BE-së.

 

Kush është Erka Çaro:
Foto-Erka-Caro-BusinessMag-MigrimiDr. Erka Caro është kërkuese shkencore dhe lektore në Universitetin e Jyvaskylas në Finalandë si dhe në Universitetin e Tiranës. Studimet e doktoraturës dhe të postdoktoraturës i ka përfunduar ne Universitetin e Groningenit, Hollandë në fushën e demografisë, migracionit, madhënieve industriale dhe tregut të punës. Aktualisht është e angazhuar me disa projekte shkencore ndërkombëtare si dhe është investigatorja kryesore dhe koordinatore e projektit shkencor që studion qytetarinë industriale të migrantëve Shqiptarë në Greqi, Gjermani e Zvicër, projekt i financuar nga RRPP (Regional Research Promotion Programm).

Profesioni / Fusha e Ekspertizës:
Studimet migratore, studime gjinore, metoda cilësore të kërkimit, demografi, gjeopolitikë.

Pozicioni aktual:
Lektore dhe kërkuese shkencore

Hobi:
Udhëtimet, leximi dhe gatimi

 

• Jetojmë kohë kur e gjithë Europa është e prekur nga vala e emigrantëve, të cilët vijnë nga Lufta në Siri. Cila është sfida e momentit?

Migrimi është një ndër fenomenet më të vjetra të shoqërisë njërëzore. Njerëzit vazhdimisht kanë lëvizur nga një vënd në tjetrin për një jetë më të mirë, drejt një vendi më të pasur, më të ngrohtë, më të begatë, më të sigurtë e kështu me radhë. Europa nuk është prekur sot nga ky fenomen e as nga vala e emigrantëve por prej shekujsh tashmë. Eshtë e vërtetë që kjo valë e re dhe vrullshme e refugjatëve të largohen nga vendet në konflikt sic është Siria po bëhet gjithnjë e më prezente dhe më e vështirë për tu menaxhuar, situatë e cila kërkon vëmendje, bashkëpunim ndërkombëtar dhe implementimin e politikave të reja dhe gjithëpërfshirëse.

Ky është një moment i vëshirë për Europën jo vetëm për shkak të numrit të madh të refugjatëve që çdo ditë vijnë në brigjet e detit Mesdhe si pikë kryesore tranziti por dhe për shkak të dramës që këta emigrantë mbajnë me vete. Ka një dinamikë interesante dhe multidimensionale të krizës së migantëve, nga njëra anë kemi retorikat antimigratore të stimuluara nga debati politik por edhe ai mediatik dhe nga ana tjetër kemi një mobilizim dhe shprehje të solidaritetit nga ana e qytetarëve të thjeshtë që janë ngritur në mbrojtje dhe në mbështetje të refugjatëve. Të gjithe besoj kujtojnë tronditjen e thellë kur pamjet e Alyan Kurdit, fëmija Sirian i mbytur në brigjet e Mesdheut, pushtuan mediat sociale. Ai imazh ikonik mund të them pati një ndikim reflektues ë sjelljen e qytetarëve Europianë dhe ku për herë të parë u ndje ndikimi i solidaritetit të njerëzve në politikbërje.

siria-krize-europe-migrant-businessmag

Një tjetër debat dhe sfidë aktuale është dhe ai i kategorizimit që duhet ti bëhet migrantëve. Refugjatët konsiderohen të mirëpritur dhe duhet t’u jepet asistencë dhe ndihmë ndërsa migrantët ekonomikë, të tepërt dhe që duhen të kthehen në vëndet e tyre. Në këtë grup janë të pozicionuar dhe vala e fundit e emigrantëve Shqiptarë (si nga Shqipëria ashtu dhe nga Kosova).

Gjithsesi në këto kushte është e pamundur dhe jo konstruktive që të bëhet një ndarje kaq e thjeshtëzuar e grupit të njerëzve që lëvizin nga një vend në tjetrin në situatë konflikti ose jo. Për qëllimin e implementimit të politikave të duhura dhe adresimin e situatës ka nevojë që fenomeni i emigrimit dhe i krizës Siriane të vendoset në perspektivë dhe krijohet një kategorizim dhe tipologji e migrantëve të ‘rinj’. Nuk mund të vazhdojnë të ndahen njerëzit në refugjatë dhe emigrantë ekonomikë, duhet të grupohen dhe motivacionet e tjera, sic janë azil kërkuesit, migrantët mjedisorë, migrantët e varfër, migrantët për mundesi të reja etj.

Shpesh herë kemi dëgjuar të ofrohen zgjidhje të lidhura me trafikanët duke i trajtuar ata si përgjegjës të lëvizjeve ilegale të popullisë. Duhet të kuptohet që trafikantët janë vetëm ndërmjetësuesit ata që shpesh përfitojnë nga krizat dhe situatat e destabilizuara. Dhe në mënyrë paradoksale janë pikërisht politikat e mureve dhe kufijve për të penguar migrimin që ushqen lindjen dhe lulëzimin e biznesit të trafikimit. Politikat efiçente migratore nuk mund të zgjidhin emergjencën dhe krizën e migrantëve me luftë apo duke u përpjekur të zhdukin trafikantët pasi gjithmonë do dalin të rinj por duhet të krijojnë facilitete dhe rrugë të reja e alternative të akomodimit dhe lëvizshmërisë të refugjatëve si dhe trajtimit të ndryshëm të grupeve dhe tipeve të ndryshme të emigrantëve.

Politikat migratore nuk mund të lindin dhe të zhvillohen vetëm brenda rajonit apo një shteti, ka nevojë për bashkëpunim e bashkëveprim ndërkombëtar dhe politikbërje të përbashkët dhe gjithpërfshirëse. Europa gjithsesi duhet të pranojë se nuk është vetëm ajo që po i bën ‘favor’ emigrantëvë duke i akomoduar apo asistuar. Europa ka po aq nevojë për emigrantët sa kanë ata për Europën. Në një kontinent ku strukturat demografike kanë ndryshuar dhe ku plakja e popullsisë është bërë tashmë një realitet emigrantët janë një ndër zgjidhjet më të mira e më të mundshme për të zëvendësuar në tregun e punës popullsinë vendase ndërkohë që mjaft sektorë të ekonomisë ku kërkohet një nivel i ulët kualifikimi dhe me kushte relativisht të vështira siç janë ndërtimtaria, bujqësia apo dhe sektori i shërbimeve mbijetojnë dhe zhvillohën nëpërmjet punësimit të emigrantëve.

Kështu në debatet publike e politike shohim që migrimi konsiderohet si një situatë nga e cila ka përfitim të trefishtë, ku përfitojnë migrantët pasi gjejnë një jetesë më të mirë, punë e te ardhura më të larta; përfitojnë vendet pritëse pasi sigurojnë fuqi punëtore dhe multikulturalizëm dhe përfitojnë vendet e origjinës ndërmjet remitancave financiare e sociale por dhe kthim të trurit dhe të aftësive të reja që migrantët mund të përfitojnë gjatë emigrimit. Thënë këto, duket sikur është gjetur një ekuilibër i artë mes migrimit dhe zhvillimit, kjo të pakten në letër. Kriza aktuale e migrimit që ofron refugjatë në vend të emigrantëve ekonomikë ka tronditur nga themelet këto debate dhe na tregoi dhe njëherë se sa pak sensitive, gjithëpërfshirëse dhe jofleksibël është përqasja aktuale ndaj fenomenit kompleks të migrimit, sa problematika humane, politike e ekonomike mbart dhe se sa pak migrantët, viktimat e vërteta të këtyre situatave, merren në konsideratë dhe janë në fokus të politikave të migrimit.

 

• Si studiuese e këtij fenomeni prej vitesh, a ka ndryshim apo ngjashmëri nga valët e mëparshme të migrimit kësaj here?

Në debatet publike dhe politike ekziston një *bias në mënyrën se si trajtohen valët e reja të migrimit, tendenca për ta përfshirë e thjeshtëzuar si emigrim ekonomik të njerëzve në kërkim të një jetese më të mirë në vëndet më të zhvilluara. Migrimi në këtë fazë të re të zhvillimit e të evolucionit nuk mund të konsiderohet më si një fenomen i trajtuar teorikisht dhe metodologjikisht dhe i kuptuar njëherë e përgjithmonë. Fenomeni i emigracionit nuk është statik dhe i pandryshueshëm, përkundrazi është shumë dinamik dhe i ndryshueshëm dhe ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zhvillime politike, sociale, ekonomike, ushtarake e fetare . Ky fenomen në vitet e fundit po pëson evolucion radikal dhe është pasuar nga ndryshime të jashtëzakonshme si nga aspektet politike, praktike ashtu dhe në ato akademike ndërkohë që kriza Siriane është vetëm një ndër aspektet e këtij ndryshimi. Sigurisht, kriza Siriane është një ndër aspektet më të prekshëm dhe të mediatizua por jo i vetmi. Për këtë qëllim ka nevojë për një përqasje dhe analizë akademike të zhvillimeve të reja në mënyrë që të çohet në sugjerimin dhe marrjen e politikave të duhura që do çojnë në minimizimin e efekteve negative të situatës së re ekonomike e gjeopolitike të Europës.

Është shumë e vështirë të jepen prognoza mi të ardhmen e këtij fenomeni. Kemi parë që këtë vit numrat kanë përmbysur parashikimet, vetëm Greqia ka pritur më shumë se 250 mijë njerëz dhe Italia mbi 100 mijë njërëz. Megjithëse nuk mund të bëhen parashikime të sakta mund të themi me bindje që valët e refugjatëve do të vazhdojnë të vijnë në vitet në vazhdim. Për sa kohë do të vazhdojë konflikti në Lindjen e Mesme dhe për sa kohë nuk ka një plan për dhënien e asistencës apo zgjidhjes politike e ushtarake të konfliktit, valët e migrimit do të vazhdojnë. Për më tepër nëse nuk asistohen ekonomikisht vëndet fqinje ku ndodhin konfliktet si Turqia, Jordania apo Libani atëherë këto vende e kanë të pamundur të akomodojnë dhe të asistojnë qindra mijra të larguar.

A dinghy overcrowded with Afghan immigrants approaches the Greek island of Lesbos after crossing a part of the Aegean Sea between Turkey and Greece, August 6, 2015. REUTERS/Yiannis Kourtoglou

Ka nevojë për plan emergjence si dhe për planifikime afatshkurtra dhe afatmesme. Janë katërfishuar kuotat e refugjatëve në nivel të BE nga 32 mijë në 120 mijë. BE po bën presion politik dhe social për të detyruar vëndet më të reja të BE si vendet e Europës Lindore për pranimin e detyrueshëm të kuotave të caktuara. Ndër politikat e tjera që BE po aplikon dhe që prek dhe Shqipërinë e Kosovën është dhe shpallja e vendeve të Ballkanit perëndimor si të sigurta dhe mos lejimit të valëve të emigrimit nga këto vënde si dhe të kthimit të atyre ekzistues në atdhe. Gjithsesi politika të tilla megjithëse të nevojshme duhet të jenë të kujdeshme pasi ka grupe minoritetesh të cilët vërtet nuk janë të sigurtë dhe kanë nevojë për azil sic janë rastet e personave apo familjeve në situatë gjakmarrje në Shqipëri apo rastet e minoriteteve arumune në Kosovë apo në zonat konfliktuale në kufi me Serbinë.

Për më tepër politikat e menaxhimit të situatës duhet të jenë më gjithëpërfshirëve në planin ndërkombëtar. Një rol më të madh duhet të luajnë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm ndërkombëtarë sic janë SHBA dhe komuniteti i Amerikës së Veriut, Kanadasë, Australisë, vendet Arabe etj.

Gjithashtu, menaxhimi i situatës duhet të bëhet edhe në vendet e origjinës së refugjatëve, sidomos në trajtimin dhe luftën kundër kontrabandimit të njerëzve, një biznes që po lulëzon dita ditës dhe që nuk ka ndërmënd të ndalet.

 

• Pse në dukje shohim sikur Europa e Bashkuar ishte e papërgatitur? Si duhet të sillet Europa? Është zgjidhje mbyllja e kufijve me mure gardh?

EU-borders-shut-to-migrants-BusinessMag

Kriza politike, ekonomike e sociale që po perjeton Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ka krijuar një instabilitet të madh politik në këto vende, duke çuar në tronditje të gjeopolitikës jo vetëm të Europës por të shumë vendeve të tjera. Kjo e sotmja, nuk mund të konsiderohet vetëm një krizë Europiane. Njerëzit jetojnë nën frikë konstante dhe ndihen të rrezikuar për jetët e tyre dhe të familjeve të tyre, si zgjidhje gjejnë largimin drejt vendeve të sigurta. Kush ka familjarë apo kontakte në Europë a në Amerikën e Veriut tenton të shkojë atje ku janë kontaktet; kush nuk ka kontakte dhe mundësi përpiqet të arrijë vendet kufitare të cilat janë të sigurta. Ikja nga dhuna, pasiguria dhe varfëria bëhet në mënyrë ilegale duke u përpjekur të kërkojnë statusin e refugjatit në masë të madhe duke përdorur detin Mesdhe si tranzit në drejtim të vendeve Europiane, kryesisht Itali e Greqi të prekshme nëpërmjet detit. Por situata duhet parë në plan më të gjerë dhe jo të fokusohemi vetëm te dera e shtëpisë. Valët më të mëdha të migrimit janë ato brenda rajonit në drejtim të Afrikës dhe Azisë. Një numër më i vogël refugjatësh kanë mundësinë të kalojnë në Europë. Miliona sirianë i janë larguar luftës nëpërmjet vendeve fqinje si Turqia, Jordania apo Libani. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e Afganistanit, ku miliona Afganë kanë gjetur strehë në Pakistan. Ndaj Europa nuk është vendi i vetëm dhe ai kryesor që përballon valët e mëdha të emigrimeve

 

• Sipas informacioneve në media duket se edhe Shqipëria do ta ndiejë më shumë këtë fenomen gjatë muajve të fundvitit duke strehuar emigrantë. Çfarë mund të na thoni për “këtë ndërrim vendesh“? Nga vendi nga i cili emigrohej në masë, në vend pritës?

Për Shqipërinë një situatë e tillë nuk është krejt e panjohur. Mos të harrojmë se vetëm 16 vite më parë Shqiptarët hapën dyert për të larguarit e luftës në Kosovë. Megjithëse vetë Shqipëria ishte ende në fillesat e tranzicionit dhe në kushte të vështira ekonomike, sociale e instabilitet politik (sapo kishte kaluar 1997) ajo periudhë ka qënë një moment solidariteti i jashtëzakonshëm njerëzor. Ajo ishte një krizë migracioni e niveleve të larta për vendin tonë që u mirëmenaxhua jo nga politikat e duhura por nga njerëzit. Në Shqipëri ka dhe një valë jo krejt të papërfillshme të migracionit të kthimit. Duhet të theksojmë që prej vitit 2008 kur kriza ekonomike botërore ka prekur sidomos vendet fqinje të Shqipërisë me qindra mijra Shqiptarë po kthehen çdo ditë. Është nevojë imediate për ne të akomodojmë këto valë rikthyese dhe ta bëjmë ri-integrimin e njerëzve më të lehtë në atdheun e tyre. Për sa i përket akomodimit të refugjatëve qoftë sirianë qoftë nga vende të tjera në konflikt, Shqipëria ka një pozicion gjeopolitik të tillë që është portë hyrëse e lidhëse në Ballkan dhe me Europën Perëndimore. Si e tillë pritet që të mund të akomodojë një numër të limituar refugjatësh. Gjithsesi ky akomodim pritet të jetë provizor deri në momentin kur valët e refugjatëve të mund të adresohen drejt vendeve me infrastrukturën e duhur për menaxhimin e tyre. Shqipëria nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me vendet në konflikt, siç mund të ishte ndarja e kufirit kështu që unë e shoh si një vend tranzit që do shërbejë më tepër për të lehtësuar vëndet e BE në menaxhimin e krizës se sa në dhënien e zgjidhjeve përfundimtare.

 

• Ndërkohe aktualisht Shqipëria duket se vijon me migrimin, kryesisht drejt vendeve të zhvilluara të BE dhe Gjermanisë. Është ky një lloj tjetër migrimi? Çfarë faktorësh vlerësoni? Kemi të bëjmë me një rast studimi të veçantë apo njihet në teoritë e migrimit ndër vite?

Nuk mendoj që Shqipëria po përjeton një lloj tjetër migrimi. Është një trend i ri në kurbën luhatëse të emigrimit të Shqiptarëve duke nisur me përmbysjen e regjimit komunist.

“Shqipëria është një rast unikal dhe i jashtëzakonshëm në Europë përsa i përket fenomenit të emigracionit. Ka kaluar çdo parashikim të mundshëm duke u bërë vendi më i prekur nga emigracioni në Europë. Rreth 20-25% e popullatës së vendit tonë është larguar në emigrim.”

Sipas të dhënave të censusit të fundit, shihet se popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me rreth 8%, vetëm në një dekadë.

Rol në këtë, kanë dhe ulja e lindshmërisë por gjithsesi peshën më të madhe e mban emigracioni. Vetëm në Itali që prej viteve 90-të kanë emigruar më shume se 500 mijë Shqiptarë, shifra të ngjashme paraqiten edhe në shtetin Grek. Njihen disa valë të emigrimit të Shqiptarëve siç është vala e vitit 1990-1992, vala e viteve 1997-1999, stabilizim i lëvizjeve migratore pas vitit 2007 dhe një rritje e emigracionit në këto vitet e fundit. Gjithsesi këtë situatë duhet të shohim më shumë të lidhur me migracionin ciklik që do të thotë Shqiptarët dhe po rikthehen, dhe po lëvizin në mënyrë sezonale apo të përkohshme. Kanë evoluar forma të reja të migracionit dhe nuk mund ta shohim më si një vendim përfundimtar dhe të pakthyeshëm.

SBARCO DEGLI ALBANESI - RETR0 - BARI - 07/08/1991- MIGLIAIA DI PROFUGHI ALBANESI SBARCANO NEL PORTO DI BARI
SBARCO DEGLI ALBANESI – RETR0 – BARI – 07/08/1991- MIGLIAIA DI PROFUGHI ALBANESI SBARCANO NEL PORTO DI BARI

Shqiptarët po integrohen bindshëm në vendet pritëse duke krijuar dhe forcuar komunitetin e tyre dhe duke hedhur bazat e krijimit të një diaspore te mirfilltë. Studime të ndryshme kanë cekur integrimin e tyre integrimi i tyre në tregun e punës, jetën sociale e civile në vëndet pritëse. Gjithesi ata ende vazhdojnë të kënë probleme në plane të ndryshmë sic janë punësimi në informalitet, lejet e qëndrimit, bashkimi familjar, steriotipizimi në media dhe në opinionin publik etj. Probleme të cilat janë thelluar dhe më shumë në kushtet e krizës ekonomike që ka prekur vendet ku ata jetojnë, duke i bërë dhe grupin më vulnerabël dhe më të prekshëm nga efektet e krizës. Një rol të rëndësishëm duhet të luajë dhe shteti Shqiptar, rol i munguar deri më sot. Remitancat e emigrantëve përbëjnë një përqindje të madhe të GDP të vendit dhe janë burim mbijetese për shumë e shumë familje të varfëra e të mesme. Ndërhyrja e shtetit duhet në legjimitetin e punës së emigrantit, njohjen e viteve të punës, sigurimeve shoqërore etj. Shumë migrantë hedhin poshtë vite e vite pune dhe kontribute pa mundur të sigurojnë një pension. Sidomos në kushtet e një krize të thellë ekonomike dhe një rritje të nivelit të rikthimit të emigrantëve, ky i fundit kthehet në një problem të mprehtë. Shqipëria duhet të ketë një axhendë të detajuar mbi çështjen e emigracionit dhe ndihmesën që duhet ti japë qytetarëve të vet në emigrim. Shqiptarët mund të jenë ndër komunitetet e vetme të emigrantëve të konsoliduar që nuk ushtrojnë të drejtën dhe detyrën njerëzore të votës duke i bërë ata të heshtur në vendimarrje dhe në politikbërje.

• Nisur nga gjithçka ndodh rreth nesh dhe shohim në media, krijohet përshtypja se migrimi mbart veç konotacione negative…Ju si e shihni?

Emigracioni dhe figura e emigrantit janë ndër elementët më të mediatizuar të dekadave të fundit. Ligjëratat diskriminuese madje raciste nuk kanë munguar në mediat ndërkombëtare por edhe në lëvizjet politike. Në vitet e fundit shohim se kudo në Europën Perëndimore dhe BE ka një fuqizim të lëvizjeve antimigratore dhe të forcave politike radikale që shfaqin hapur qëndrimet e tyre raciste ndaj të huajve. Këto forca politike janë populiste duke siguruar mbështetjen e një pjese të madhe të popullsisë vendase dhe shpesh duke marrë fuqi e vendim marrje politike. Tendenca të tilla po i shohim në shumë vende të Europës. Gjithsesi është vënë re, sidomos në vitet e fundit, fill përpara krizës aktuale të emigracionit, se në vecanti ligjërata politike (kryesisht në nivel ndërkombëtar) por deri diku dhe ato akademike e më pak ato mediatike mbi migrimin, kanë pasur tendenca drejt pozitivizmit kur trajtohej fenomeni i migrimit.

Migrimi filloi të shihej si një faktor dhe promotor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, politik, social e kulturor të vendeve pjesëmarrëse, qofshin vende pritëse apo vendet nga të cilat migrantet largohen.

Kështu, remitancat financiare, sociale, diaspora, shoqëritë transnacionale, qarkullimi i trurit dhe kapitali human etj., janë disa nga elementët pozitivë dhe zhvillues që shoqërojnë migrimin.

Zhvillimet e fundit në fushën e emigrimit në bashkëpunim me krizën globale ekonomike dhe me masat shtrënguese që shumë vende u detyruan të ndërrmarin, kthyen në fokus retorikën raciste, negativiste dhe luftën populiste kundër mobilitetit.

“Një nga shtyllat kryesore të krijimit dhe ekzistencës së BE, që është e drejta e lëvizshmërisë dhe e krijimit të një jete të sigurtë po lëkundet fort dhe rrezikon të bjerë e të shembi gjithë parimet bazë të krijimit të BE-së. “

• Ju jeni iniciatore dhe Organizatore e Konferencës Ndërkombëtare mbi Migracionin e Punës dhe Qytetarinë Industriale duke u fokusuar mbi Shqiptarët në lëvizje, identitetin, zhvillimin dhe qytetarinë. Cilat janë objektivat e kësaj nisme?

Kjo konferencë vjen në një moment kur çështja e emigracionit është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për botën e sotme në përgjithësi por edhe për Shqipërinë, Ballkanin dhe Europën në veçanti. Konferenca bazohet kryesisht në punën kërkimore të projektit mbi ‘Qytetarinë Industriale dhe Migrimin e Punës nga Ballkani Perëndimor’ qëllimi i të cilit është studimi i përvojës së qytetarisë industriale të punëtorëve emigrantë që vijnë nga Ballkani Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Termi “Qytetari Industriale” ka të bëjë me arritjet dhe integrimin e migrantëve në tregun e punës dhe fokusi kryesor janë rastet e studimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi, Zvicër dhe Gjermani. Projekti është i financuar nga Universiteti i Friburgut në Zvicër në kuadër të RRPP (Regional Research Promotion Program). Ai realizohet nëpërmjet Universitetit të New York të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, ndërsa monitorohet nga Universiteti i Jyvaskylës në Finlandë.

Konferenca do të mbahet në datat 13-14 nëntor, 2015 në Tiranë me pjesëmarrjen e aktorëve të shumtë e përfaqësuesve të rëndësishëm nga shoqëria civile, organet qeveritare, ndërkombëtare dhe akademikë të njohur ndërkombëtarisht në këtë fushë. Midis të ftuarve të shumtë spikatin figura të njohura në fushën e politikbërjes e sic janë Ministri i Diasporës në Kosovë, Z. Valon Murati, Zv. Ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Znj. Elona Gjebrea dhe Zv. Ministrja e Ministrisë së Mirqënies Sociale dhe Rinisë Znj. Gentjana (Mara) Sula, Ambasadori Gjerman në Shqipëri Z. Hellmut Hoffmann, Ambasadori Grek në Shqipëri Z. Leonidhas K. Rokanas

Si edhe figura të shquara akademike, të tilla si Prof. Russell King, i cili ka realizuar një numër të konsiderueshëm të studimeve migratore në Shqipëri, si dhe Prof. Nathan Lillie, Dr. Ajay Bailey dhe Dr. Mark Hill, që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut në studimet mbi migrimet, metodologjinë dhe teoritë.

 

E vërteta është se ka shumë pak kërkime lidhur me statusin, qëndrimet dhe strategjitë që migrantët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova ndjekin për të depërtuar suksesshëm në tregun e punës në vende të ndryshme europiane. Gjatë viteve të fundit, lëvizja e shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova drejt vendeve të BE-së është intensifikuar ndërsa janë shfaqur trende të reja të kësaj lëvizshmërie. Nocionet e identitetit, përkatësisë, integrimit dhe formave të tjera të shtetësisë po sfidohen dita-ditës nga format e reja të lëvizshmërisë. Por si ndikojnë këto forma të reja tek zhvillimi i shtetësisë industriale midis migrantëve nga Shqipëria dhe Kosova?

Pikërisht kjo konferencë do të kontribuojë në këtë debat që vazhdon dhe do të propozojë studime që kanë të bëjnë me transformimin aktual të politikës së migracionit të punës në përgjithësi, kuptimin e nocionit ‘migrant’ dhe pozicionin në ndryshim të vazhdueshëm të tyre në tregun e punës në vendin ku kanë emigruar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0