Çfarë duhet të dini për financimin e startupeve? - nga Vasken Spiru - Business Magazine Albania

Çfarë duhet të dini për financimin e startupeve? – nga Vasken Spiru


Nga bisedat me shumë të rinj që angazhohen në ekosistemin e sipërmarrjes 2.0 në Shqipëri (startup), themelues ose jo, duke qenë edhe unë i përfshirë, kam vënë re se rrugëtimi i financimit të një sipërmarrje është i paqartë. Për këtë arsye vendosa të hulumtoj dhe të shkruaj këtë udhëzues të thjeshtuar.

Së pari dua të qartësoj se ka dy mënyra financimi të sipërmarrjes startup: Financimi dhe “Bootstrapping”. Ndërkohë që në financim themeluesit mbledhin para për veprimtarinë e përditshme nga të afërmit, investitorët ëngjëj, investitorë të tjerë deri tek publiku (ligji shqiptar – Ligji Nr.9901 datë 14.4.2008 -lejon dy lloj shoqërish aksionare (sh.a.), ato me ofertë private, që janë ende forma e vetme ekzistuese në vendin tonë për shkak të mungesës së bursës dhe ato me ofertë publike, ku pronësia e tyre nëpërmjet aksioneve tregtohet në bursë; për të kaluar në shoqëri aksionare me ofertë publike kalohet nëpërmjet një procesi që quhet IPO), në mënyrën e dytë ndodh krejt e kundërta.

Themeluesit mundohen që veprimtarinë e përditshme të kompanisë ta financojnë me paratë e veta duke minimizuar në ekstrem shpenzimet. Nëse planet e themeluesve janë që kjo kompani të rritet atëherë është gjithashtu e vërtetë se kjo mënyrë nuk mund të zgjasë përjetësisht. E këshillueshme në fillesat e kompanisë, kjo mënyrë kthehet në faktor dështimi kur operacionet kërkojnë shuma të mëdha si pasojë e kërkim-zhvillimit dhe zgjerimit.

Sa herë kërkohet financim duhet të mbahet parasysh që hiqet dorë nga një copë e byrekut të pronësisë në kompani. Por financimi i përdorur në mënyrën e duhur sjell vlerë, rrjedhimisht përkthehet në rritje të vlerës së kontabilizuar të kompanisë, pra vlera e aksioneve, shpesh jo vetëm që nuk ulet por rritet, edhe sepse % e zotërimit bie.

Ideja që qëndron pas kapitalit të vet është se nëse themeluesi kërkon që ky zë të rritet (vlerë), duhet të jetë i gatshëm të heqë dorë nga pjesë të saj. Nëse kapitalin e vet e mendojmë si një byrek dhe paratë si brum; nëse në fillim kemi 100% të një kafshate byrek, në fund duke shtuar brum, do të zotërojmë 15% të tepsisë.

Fazat e financimit
Supozojmë një kompani imagjinare të themeluar në Shkurt 2017, nga Tani. (T si Themelues)

Faza e Idesë:
Në fillim Tani është vetëm dhe pas shumë kërkimesh të brendshme vendos mbi idenë e duhur që duhet të ndjekë. Një kompani që prodhon stilolapsa që shkruajnë vetë*, ndërkohë që përdoruesi dikton. Në momentin e parë që themeluesi fillon punën, fillon dhe krijimi i vlerës, e cila është ajo që më pas do të përkthehet në kapital të pronarit. Duke qenë se Tani e nisi gjithçka i vetëm, ai zotëron 100% të kësaj vlere ndërkohë që kompania është ende e paregjistruar.

Gjetja e një Bashkëthemeluesi:
Pasi Tani kupton se aftësitë e tij dhe koha në dispozicion nuk mjaftojnë, ai fillon të kërkojë dhe gjen një bashkëthemelues, Benin (B si bashkëthemelues), aftësitë e të cilit plotësojnë maksimalisht kërkesat pasi ështe i zgjuar dhe i motivuar. Pasi punojnë (test) së bashku për pak javë, Tani kupton se djali i ri po sjell vlerë të madhe në kompani, keshtu që i ofron një vend permanent si bashkëthemelues. Nuk i ofron para për punën që kryhet sepse përndryshe do ta kishte punonjës. Ajo që Tani ofron në këmbim të kontributit të Benit është pjesë nga kapitali i vet. Por sa % duhet t’i japë? 20% duken pak, 40%? Meqënëse ishte ideja e Tanit në fund të fundit… apo jo?

Vjen një moment që kupton se kompania ende nuk vlen asgjë ndërkohë që bashkëthemeluesi, nëse pranon merr përsipër një risk të madh. Në fund të fundit, duke qenë ende në fillim të punës, praktikisht ajo që Tani dhe Beni do të bëjnë është pothuajse e njëjtë.

Kështu që bien dakort për 50–50 (në vijim do të abstragojmë nga konfliktet e mundshme që mund të vijnë si pasojë e vendimmarrjes së barabartë). Me një ndarje tjetër, Beni do të ishte më pak i motivuar, ndërkohë që një startup, problemi i fundit që ka nevojë të merret është ndershmëria dhe drejtësia mes bashkëthemeluesve. Të qenit i ndershëm dhe i drejtë me një partner është faktor kyç në këto sipërmarrje. Edhe Edi Demaj në Startup Grind Tirana e thote diçka të tillë. Pasi nis puna, të dy bashkëthemeluesit kuptojnë se kanë kohë që ushqehen vetëm me byreqe ndërkohë që ndajnë dhallën.

Ata kanë nevojë për financimin e parë… para se të shkojnë tek mjeku.

Aksionet: 50% Tani / 50% Beni

Roundi FFF:
Ky është financimi i parë fare, pas parave të themeluesve. I quajtur “FFF” si shkurtim i “Friends, Family & Fools”, pasi janë të parët që themeluesit i drejtohen për para (jo të vetat). Në fazën që kompania ndodhet, e ka të pamundur të tërheqë fonde nga publiku, AMF (Agjencia e Mbikqyrjes Financiare) nuk do ta lejonte një gjë të tillë. Prandaj dy janë alternativat:

1. Investitorët

Sipërmarrës apo individë me të ardhura të larta, shumë herë më të larta se një familje e klasës së mesme. Këta persona janë të aftë të nuhasin mundësitë e investimit dhe një pjesë e të ardhurave të tyre vjen si pasojë e investimeve në kompani private si kjo e sapothemeluar nga miqtë tanë. Fatkeqësisht ata nuk njohin asnjë që ka fuqi financiare të tillë.

2. Miqtë, Familjarët dhe “te çmendurit”

Gjithsesi shpresat nuk janë të humbura pasi miqtë dhe familjarët e Benit dhe Tanit mund t’i ndihmojnë. Xhaxhai i Benit është vetë sipërmarrës i cili e kupton rëndësinë e të qenit i tillë, kështu që pranon t’i japë kompanisë së sapothemeluar 500.000 lekë për 5% të vlerës së aksioneve. Me këtë shumë bashkëthemeluesit mund të përballojnë edhe 6 muaj të tjerë ndërkohë që prodhojnë prototipin e stilolapsit.

Regjistrimi

Si nevojë e zyrtarizimit të marrëveshjes me xhaxhain e Benit, lind nevoja e regjistrimit. 5% e kompanisë i takojnë xhaxhait, 20% bashkëthemeluesit i lënë mënjanë si “option pool” për t’i shpërndarë tek punonjësit (për 2 arsye: 1- do ta kërkojnë investitorët e ardhshëm dhe 2- e ruan nga ndarjet e mëtejshme mes dy bashkëthemeluesve).

Aksionet: 37.5% Tani / 37.5% Beni / 5% Xhaxhai / 20% Option Pool

Raundi i Ëngjëjve (SEED)

Paratë e marra nga xhaxhai mjaftojnë vetëm për 6 muaj dhe si rrjedhojë, nëse dy sipërmarrësit nuk gjejnë një burim tjetër financimi, sipërmarrja e tyre do të vdesë. Alternativat janë si më poshtë:

Inkubatorët / Akseleratorët (dhe excubatorët**):

Në këto institucione ofrohet hapsirë pune, mentorim dhe shpesh fonde për financimin e kompanisë apo dhe jetesës së sipërmarrësve. Në këmbim këto institucione kërkojnë një pjesë të byrekut. Kur zgjidhet një institucion i tillë faktorët që kanë peshë në vendimmarrje janë masa e financimit, cilësia e mentorëve ose % që këto institucione kërkojnë.

Investitorët Ëngjëj:

Lajmin e mirë apo të keqin në fillim?

Në SH.B.A. në 3-mujorin e parë (Q1) të vitit 2013, investimi mesatar i një ëngjëlli ishte afërsisht 600.000 $ (HALO REPORT). Lajmi i mirë. Lajmi i keq është se mesatarja e vlerës së kompanive ku këto ëngjëj investuan në po të njëjtën periudhë ishte 2.5 milionë $. A do t’ja arrijnë dot dy sipërmarrësit tanë të kenë këtë vlerë kompanie brenda 3–4 muajsh? Supozojmë se ata arrijnë një vlerë prej 200 milionë lekë dhe sigurojnë të gjejnë një ëngjëll që u ofron 40.000.000 lekë investim. Sa % të kompanisë duhet t’i japin Tani dhe Beni?

Nëse mendoni se ëngjëlli do të marrë 20% të kompanisë, e keni menduar gabim! 2 miliardë lekë është vlera e kompanisë para financimit.

200.000.000 lekë + 40.000.000 lekë = 240.000.000 lekë

Logjika pas këtij veprimi është se aksionet ndahen pasi ëngjëlli jep paratë, nëse dy sipërmarrësit i japin 20% atëherë e kanë bërë ndarjen para se ëngjëlli të bëhej aksioner.

40.000.000 / 240.000.000 lekë = 16.7%

Ëngjëlli mer 16.7 ose 1/6 e kompanisë.

Aksionet: 31.23% Tani / 31.23% Beni / 4.2% Xhaxhai / 16.7% Option Pool (të gjithë kanë 16.7% më pak) / 16.7% Ëngjëlli

Diluimi:

Procesi që ndodhi me uljen prej 16.7% të çdo cope të byrekut të aksioneve quhet diluim. A është diçka e keqe diluimi? Jo, sepse byrekut po i shtohet brum dhe po bëhet gjithnjë e më i madh. Por gjithashtu, Po, sepse sa herë ndodh diluimi, themeluesit humbasin një pjesë të kontrollit. Prandaj rëndësi ka që investimi të pranohet vetëm kur është i nevojshëm! Gjithashtu është e rëndësishme të pranoni këto para nga njerëz apo institucione që keni respekt pasi influenca në bord e investitorëve mund të ndikojë në mënyrën e menaxhimit të kompanisë.

(Sugjerim: Simuloni situata të ndryshme diluimi këtu: http://ownyourventure.com/equitySim.html)
Roundi VC (Venture Capital)

Më në fund dy sipërmarrëait ja dolën të prodhojnë stilolapsin vetë-shkrues dhe shikojnë se në treg ka kërkesë, fjala po përhapet dhe publiku po kërkon gjithnjë e më shumë të blejë këtë produkt. Kërkohen fonde shtesë për të nisur prodhimin masiv. Në këtë rast një VC mund të ndihmojë…

Dy bashkëthemeluesit gjejnë një VC që është i gatshëm të japë 200 milionë lekë përkundrejt 33.3% të aksioneve, ndërkohë që e vlerësojnë kompaninë për 400 milionë lekë. E njëjta logjike vepron edhe këtu:

400.000.000 + 200.000.000 = 600.000.000

200.000.000 / 600.000.000 = 33.3%.

Në këtë moment Tani dhe Beni duhet të vlerësojnë mirë ofertën. Nëse ata pranojnë, të dy humbasin kontrollin e kompanisë për shkak të diluimit.

Ky do të ishte “Series A” për to. Raundi i parë me një VC quhet “Series A”. Pas saj drejtuesit e kompanisë mund të shkojnë edhe në Series B ose Series C.

Intervistë me një VC që investon në Shqipëri

Pas këtij raundi tri gjëra mund të ndodhin:
A) Mbarojnë fondet dhe askush nuk ka interes të investojë më, kompania do të vdesë.
B) Fondet ndihmojnë të ndërtojnë një kompani të suksesshme që një kompani më e madhe tenton ta blejë. Zakonisht ja dalin.
C) Kompania është aq e suksesshme pas disa Raundesh Financimi sa në fund vendos të kthehet në Sh.A. me ofertë publike (shkoje në IPO — Initial Public Offer, Oferta e Parë Publike e Aksioneve)

Ciklet e Financimit

Të shkuarit Publik:

Teknikisht, IPO është një tjetër mënyrë për të mbledhur fonde. Vetëm se këtë herë në vend që të trokasësh derë më derë lëshon aksione që miliona individë mund t’i blejnë (tregtojnë) njëherësh në bursë.

Një arsye tjetër pse duhet të shikohet IPO është se themeluesit, punonjësit, xhaxhai apo kushdo tjetër që zotëron aksione nuk mund t’i kthejë ato në para të thata për sa kohe që nuk mund t’i tregtojë në bursë. Nëpërmjet të shkuarit publik, këto fonde “çlirohen”.

Punonjësit:

Me të shkuarit publik, më në fund punonjësit që morën përsipër riskun, punuan orë të gjata me pagë të ulët, me mundësinë që kompania mund të vdiste në ato momentet e vështira që përditë Tani dhe Beni hasnin…do të shpaguhen. Aksionet që ata kanë marrë në këmbim për punën e tyre mund të konvertohen në likuiditet dhe si rrjedhojë, ata janë të “pasur”.

* Rasti i stilolapsit që shkruan vetë është marrë nga konkursi MESE (Management and Economic Simulation Exercise) që Junior Achievement organizonte për shkollat e mesme në vitet 2000–2003, ku pjesë e konkurentëve isha dhe unë.

**Excubatore janë ato inkubatorë që në të kundërt të Inkubatorëve apo Akseleratorëve ku pjesëmarrja bëhet me konkurs, janë të gatshëm të marrin në inkubim/akselerim çdo sipërmarrje që është e gatshme të paguajë.

***Nëse mendoni se shumë prej këtyre proceseve ka gjasa të mos ndodhin në një të ardhme të afërt në Shqipëri, nuk ka problem, shkrimi është informativ, edhe për ata djem e vajza që tashmë nga Shqipëria “inkorporojnë” në Delaware apo gjetkë dhe presin financime nga VC të huaj.

Burimi: medium.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0