"Çdo udhëtim i gjatë, fillon me hapa të vegjël!"-Guillermo Albizuri - Business Magazine Albania

“Çdo udhëtim i gjatë, fillon me hapa të vegjël!”-Guillermo Albizuri


Guillermo Albizuri vjen në një intervistë ekskluzive në Business Magazine. 

Ai ishte një nga folësit kryesorë të Silicon Valley Open Doors, një nga konferencat më të rëndësishme të sipërmarrjeve të reja në Europë dhe më gjerë. Business Magazine pati rastin të ishte partner mediatik në këtë ngjarje të rëndësishme për botën Startup.

Guillermo Albizuri është një nga drejtuesit kryesorë të Google, në zyrat e saj qendrore në Dublin. Në këtë intervistë Guillermo tregon më shumë për eksperiencat e tij në botën e biznesit dhe na jep më shumë kurajo për të vazhduar pasionet dhe ëndrrat tona.
Ku keni lindur?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Madrid të Spanjës.

A mund të na tregoni më shumë për udhëtimin tuaj profesional nga hapat tuaj të parë në karrierë deri tani?

Unë kam studiuar për Inxhinieri Telekomunikacioni, por pavarësisht se kisha një bagazh të lartë teknik, vendosa të merresha me biznes që në fillim të karrierës sime. Pas disa praktikash pune në kompani të ndryshme, unë u bëra këshillues menaxhimi pranë McKinsey & Co. Unë punova në zyrat e kësaj kompanie në Madrid dhe Nju Jork. Gjatë kësaj periudhe bëra një Master në Biznes pranë Universitetit të Kolumbias. Shtatë vjet më vonë, vendosa të bëhesha pjesë e Google në Irlandë, ku kam pasur mundësinë të jem pjesë dhe të drejtoj skuadra nga e gjithë bota për funksione të veçanta. Tani unë drejtoj sektorin e shitjeve për klientët tanë në shtete të ndryshme të Europës Jugore.

Cili ka qenë vendimi më i rëndësishëm gjatë karrierës suaj?

Vendimi më i rëndësishëm për mua ka qenë largimi nga Spanja dhe përvoja ndërkombëtare që kam fituar. Në fillim unë shkova në Paris për një periudhë dy vjeçare. Kjo eksperiencë më hapi një botë të re mundësish. Më pas shkova në Nju Jork për 5 vjet dhe tani kam 7 vjet në zyrat qendrore të Google në Irlandë. Unë nuk do të isha këtu ku jam, nëse nuk do të kisha vendosur për t’u larguar nga vendlindja.

Ju keni eksperiencë ndërkombëtare në kompani të mëdha në SH.B.A, Europë dhe Universitete elitare siç është ai i Kolumbias. Kush është sekreti juaj i suksesit?

Ka 3 elementë kyçë që kam ndjekur në jetën time profesionale.

Së pari, sigurohuni që e doni punën që bëni, besoni në misionin e kompanisë suaj dhe mund të mësoni nga njerëzit që punoni. Nëse nuk është kështu, bëni mirë ta ndryshoni punën tuaj.

Së dyti, shtyni veten tuaj drejt sfidave të reja, kur jeni përshtatur me ato ekzistueset. Kjo është mënyra më e mirë për t’u rritur dhe zhvilluar.

Së treti, shijoni çdo hap të udhëtimit tuaj profesional në vend që të arrini destinacione të tjera. Shpërblimet duhet të jenë pasoja dhe jo të jenë qëllimi juaj kryesor.

Rajoni i Ballkanit ka një popullsi prej më shumë se 60 milionë njerëzish dhe së shpejti do të integrohet në Bashkimin Europian. A është ky rajon një treg potencial për kompani të mëdha si Google? Në Shqipëri kemi programe si ai i Startup Grind që mbështetet nga Google. Çfarë nismash të tjera mund të merren në mënyrë që të mbështetet rritja e ekosistemit sipërmarrës?

Unë jam i habitur nga rritja kaq e shpejtë e sipërmarrjes në rajonin e Ballkanit. Më shumë se 300 marrëveshje janë bërë 5 vitet e fundit dhe investimet në startup-e janë dyfishur për këtë rajon që nga viti 2012. Në konferencën Silicon Valley Open Doors që u zhvillua në Dublin gjatë muajit Janar, morën pjesë më shumë se 20 startup-e nga Ballkani. Më bëri përshtypje prezantimi nga startup-i Parking+ që vinte nga Rumania. Unë dëshiroj që dhe startup-et nga Shqipëria të bëhen pjesë e këtyre konferencave.

Google është një kompani që është e pranishme në tregjet kryesore. Dua të di nga ju, cili është modeli juaj për t’u futur në tregje të reja. Çfarë studimesh bëni dhe si vendosni për të hyrë në një treg të ri?

Ka disa faktorë që ne i marrim parasysh para se të vendosim të hyjmë në një treg të ri. Këtu përfshihen madhësia e tregut, ekosistemi, talentet, partnerët etj.

Në rajonin e Ballkanit ne kemi zyra në Kroaci dhe Rumani, por ofrojmë gjithashtu mbështetje të niveleve të ndryshme dhe prezencë online në shtete të tjera të Rajonit. Ne gjithashtu synojme që produktet tona të jenë në sa më shumë gjuhë të huaja të jetë e mundur.

Ju keni edhe përvojë të gjatë akademike. Cila është rëndësia e arsimit në botën e biznesit? Sa e rëndësishme është të keni një diplomë mbi sipërmarrjen për t’u bërë një sipërmarrës më i mirë?

Unë mendoj që arsimi dhe vazhdimi i të mësuarit janë pika kyçe për çdo profesionist që do të ketë sukses në karrierën teknologjike dhe në industrinë dixhitale.

Liderët e suksesshëm asnjëherë nuk rreshtin së mësuari.

Përsa i përket sipërmarrjes, praktika dhe të bërit e gjërave vetë është shumë më e rëndësishme se teoria. Problemi qendron se shumë profesorë që japin mësim mbi sipërmarrjen, nuk kanë pasur ose menaxhuar një startup në botën reale. Nëse keni një ide dhe jeni i pasionuar pas saj, do të mësoni më shumë duke nisur një biznes tuajin. Do ta shihni sa shumë gjëra do të mësoni rrugës.

Duke iu bashkuar një startup-i në komunitetin tuaj, do t’ju lejojë të njihni shumë njerëz të rinj që ndajnë me ju të njëjtin interes dhe që kanë përvojën që do t’ju ndihmojë në rrugëtimin tuaj.

Business Magazine Albania është një revistë që synon të frymëzojë të rinjtë drejt sipërmarrjes. Çfarë do t’u thonit atyre që duan të fillojnë këtë rrugëtim në Shqipëri?

Unë dua t’ju them se çdo udhëtim i gjatë, fillon me hapa të vegjël.

Mos prisni të keni çdo përgjigje, ndiqni pasionin dhe ju do t’i gjeni përgjigjet rrugës. Gjithashtu mendoni jashtë kornizave dhe mendoni globalisht me idenë e biznesit tuaj. Në ekonominë e sotme dixhitale, është më e lehtë, më e shpejtë dhe më lirë se më parë, të ofroni shërbime dhe produkte ndërkombëtarisht.

Ju uroj më të mirën në udhëtimin tuaj nga Shqipëria nëpër Botë!

 

/Artikulli u publikua më parë në faqen 22 të numrit 9 të revistës Business Magazine Albania. Për të shfletuar të plotë revistën klikoni këtu.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0