Brandi "Made in Albania", “Albanian Adventure Resort” dhe “Punime me makram” janë tre idetë që kalojnë në fazën tjetër të "Do you have an idea?" - Business Magazine Albania

Brandi “Made in Albania”, “Albanian Adventure Resort” dhe “Punime me makram” janë tre idetë që kalojnë në fazën tjetër të “Do you have an idea?”


Mbrëmjen e djeshme u transmetua puntata e katërt e emisionit televiziv “Do you have an idea?” në Vizion Plus nën prezantimin e Turjan Hyska, i cili ka si qëllim promovimin dhe mbështetjen e ideve inovative të biznesit. Pesë ide të reja u prezantuan para një jurie të përbërë prej 5 emrash që shënojnë histori suksesi në botën e sipërmarrjes në Shqipëri.

Pjesë e jurisë ishin:

1. Besnik Leskaj është CEO i “AbKons”, një kompani konsulence financiare, e themeluar në vitin 2006. Ai ka mbi 15 vite eksperiencë në menaxhim në sektorin privat dhe publik. Kompania është rritur me hapa të shpejtë në sektorë të ndryshëm të industrisë të tilla si: energjia dhe burimet natyrore, transporti, zhvillimi urban, administrimi publik dhe agrikultura.

2. Gentian Daci, administrator dhe CEO i “ABCom Itd”, një ndër kompanitë lider në ofrimin e shërbimeve të elekomunikacionit, ka fituar çmimin  si “Menaxheri më i mirë i vitit” në  #ICAL13. Prof.Asoc. Genti Daci, lindi në vitin 1972. Studimet e larta i kreu ne Universitetin Politeknik të Tiranës në Degën Inxhinieri Elektronike dhe Elektrike në vitet 1990-1995. Në kuadër të projektit Tempus, diplomën e zhvilloi në Universitetin Politeknik të Athinës NTUA. Në vitin 2003 fiton titullin Doktor për fushën e Rrjetave në drejtimin e Implementimit të teknikave IPv6. Në fund të vitit 2011 bëhet Prof.Asoc pas një sërë botimesh dhe artikujsh të botuar si brenda dhe jashtë vendit. Genti Daci është titullar në fushën e Rrjetave Kompjuterike dhe Sistemeve të Shfrytëzimit.

3. Adi Haxhiymeri është administrator i përgjithshëm i kompanisë “Bloja sh.a.” dhe “Prima”, e cila ka tashmë 20 vite që operon në treg. Si kryetar i Unionit të Prodhuesve të Miellit ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm takimesh pune me institucionet e shtetit shqiptar. Fokusi i këtyre takimeve ka qenë evidentimi i problematikave me të cilat haset sektori i fabrikimit të drithërave, vështirësitë e mëdha që përjeton ky sektor si rrjedhojë e konkurencës së pandershme. Këtë muaj ai ka nënshkruar një kontratë me Amerikën dhe Anglinë. Tashmë kompania e tij ka 200 punonjës dhe vazhdojnë të rriten çdo vit. Këshilla që ai jep për të rinjtë është që për çdo sipërmarrje që ata duan të ndërmarrin duhet të bëjnë një analizë të hollësishme biznesi dhe të fokusohen në ato kompani që bazë kanë importin.

4. Igli Sulaj, zëvendës presidenti i ABI (American Bank of Investment) ka një eksperiencë disa vjeçare në korporatat financiare që përfshijnë qeverinë, kujdesin shëndetsor, kujdesin farmaceutik, energjinë, prodhimin etj. Banka Amerikane e Investimeve është pjesë e grupit NCH Capital. NCH Capital është një nga investitorët më të mëdhenj dhe të mirënjohur amerikanë me mbi 3 miliardë $ nën administrim.

5. Pietro Tafuni, sipërmarrësi nga Italia, është administratori i supermarketeve Conad. Supermarketet Conad prej vitit 2006 janë bërë pjesë e tregut shqiptar dhe sot njihen nga të gjithë për produktet e tyre cilësore dhe me çmime të konsiderueshme.

5 konkurentët, të cilët ishin pjesë e puntatës së katërt prezantuan idetë e tyre përpara jurisë në një hark kohor prej 7 minutash secili. Në fund të çdo prezantimi anëtarët e jurisë bënin pyetje rreth produktit apo idesë së tyre.

– Konkurentja e parë ishte Jetmira Halilaj me idenë e saj “Një pjatë me dashuri”, e cila konsistonte në krijimin e një hapësire, ku çdo njeri mund të dhurojë ushqime dhe persona të tjerë, të cilët nuk kanë mundësi të vijnë dhe të konsumojnë vaktet falas aty. Ideja i kishte lindur nga eventi i përvitshëm që organizohet në Tiranë “Gatuaj një pjatë më shumë”. Kërkesa që kishte ajo ishte sigurimi i një ambienti në vitin e parë dhe personave, të cilët do të dhuronin ushqime përgjatë kohës dhe në vitin e dytë në qoftë se çdo gjë do të ecte siç e kishte parashikur ajo kërkoi ndihmë edhe për ndërtimin e një aplikacioni.

– Ideja e dytë e prezantuar nga Bujar Dalipi ishte “Drita”. Projekti kishte të bënte me një pajisje, e cila bënte shndërrimin e energjisë diellore me anë të paneleve diellore në energji elektrike. Ky ishte një produkt shumë efikas dhe mund të mbante ndezur 20 orë për tre llamba. Kostoja e prodhimit të kësaj pajisje ishte 300 euro dhe kërkonte mbështetje në mënyrë që ky produkt të prodhohej në seri.

–Ideja e tretë u prezantua nga Shpresa Tresi. Ajo ishte një sipërmarrëse, e cila kërkonte të krijonte një brand “Made In Albania” me produktet që prodhonte, të tilla si jorganë, çarçafë, këllëfë etj. Ajo dëshironte që prodhimet e saj të njiheshin brenda dhe jashtë vendit duke konkuruar me cilësi dhe çmim. Shpresa kërkonte ose mbështetje për të marrë një kredi të butë ose një investitor, i cili do të bëhej pjesë e “Tresi Style”, një markë tërësisht shqiptare.

“Albanian Adventure Resort”, ideja e katërt e prezantuar nga administratorja Blerina Ago, është projekti më i ri i nisur prej Federatës Shqiptare të Rafting. AAR shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Aspekti ekologjik dhe risia që sjell AAR për zonën, u vlerësua dhe me çmimin ndërkombëtar Green Apple Award (Tetor 2015), mes 500 projektesh të tjera në të gjithë botën. ALB-ShowerAAR do të ofrojë trajnimin dhe punësimin e guidave të liçensuara në fushën e turizmit të aventurës dhe zhvillim të aktiviteteve dhe sporteve në natyrë me standardet më të larta ndërkombëtare. AAR synon të transformojë jetën e komunitetit përreth duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve të zonës. Blerina ishte e hapur për sponsorizime, partneritete apo investime në mënyrë që godinat e AAR të pasurohen me mjete për t’u kthyer në funksionale. Nëse ky investim do të bëhet do të krijojë 27 vende pune të reja.

– Ideja e pestë e prezantuar nga Eldi Zebeli, konsistonte në “Punime me makram”. Synimi i tij ishte krijimi i një brand-i për këto punime si p.sh. krijimi i bizhuterive të punuara me dorë, të cilat realizoheshin me penj dhe materiale të tjera të thjeshta. Ai i promovonte online krijimet e tij dhe kërkonte një investim për të hapur një dyqan fizik, ku do të punësonte persona në nevojë ose jetimë.

Në fund të puntatës së katërt, vetëm tre prej ideve arritën të kalonin në fazën tjetër: Shpresa Tresi, me krijimin e një brandi “Tresi style” tërësisht “Made in Albania”, ideja e katërt “Albanian Adventure  Resort” e prezantuar nga Blerina Ago dhe ideja e fundit “Punime me makram” nga Eldi Zebeli.

“Do You Have an Idea?” i jep mundësi të gjithë atyre që kanë qëllim për t’i shërbyer njerëzve në nevojë apo t’ua lehtësojnë jetën, që të vijnë në program, ta paraqesin idenë e tyre përballë jurisë dhe të marrin fondin e nevojshëm për të bërë realitet planin e tyre të biznesit.

Business Magazine Albania ju fton që të merrni pjesë në këtë format televiziv për të ndarë me të gjithë idenë tuaj inovative të biznesit. Ndiqeni puntatën e pestë të “Do you have an idea?” të enjten në datën 6 Prill në Vizion Plus.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0