Bashkë-Themeluesi dhe Drejtori Operativ nё SEEU TechPark për Nasa Space Apps Challenge - Business Magazine Albania

Bashkë-Themeluesi dhe Drejtori Operativ nё SEEU TechPark për Nasa Space Apps Challenge


Intervista me Bashkë-Themeluesin dhe Drejtorin Operativ nё SEEU TechPark për Nasa Space Apps Challenge

1. Kush është Edmond Etemi?

Nuk ështё e lehtë të flasësh për veten, mirëpo do të mundohem në pika të shkurtra të tregoj fillimin e karrierës sime deri aty ku gjendem edhe sot. I diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike pranë Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë – UEJL, karriera ime profesionale ka filluar pikërisht në këtë Universitet, ku gjatë studimeve kam qenë i angazhuar në një projekt për zhvillimin e një sistemi për menaxhim të informatave brenda administratës dhe fakulteteve në Universitet.

Nga viti 2013 e deri më 2016 kam qenë i angazhuar në Parkun Teknologjik pranë UEJL-së, 6 muaj si Administrator dhe pastaj Drejtori Operativ i saj, ndërsa kisha fatin të jem edhe njëri ndër themeluesit e këtij institucioni, institucion ky i pari i këtij lloji në Maqedoni dhe më gjerë.

2. Nasa Space Apps Challenge 2016 tek SEEU TechPark. Si shkoi ky aktivitet? Ishte për herë të parë në TechPark?

Ishte hera e dytë që e organizonim këtë sfidë dhe të jem i sinqertё, ajo që na intrigoi rreth kësaj ngjarjeje, që në fillim, ishte pikërisht “Sfida” për shkak se me këtë jetojmë çdo ditë. Të sjellësh studentё të rinj me profile nga më të ndryshmet në një vend dhe t’u japësh atyre mundësinё të sjellin ide dhe zgjidhje të reja në jetë, është një hap përpara edhe nëse ata dështojnë. Të dështosh nuk nënkupton se nuk je i suksesshëm, por të sfidosh veten dhe të mësosh prej saj për të ardhmen e afërt.

3. Sa persona u regjistruan për të marrë pjesë? Çfarë profili kishin ata?

Pjesë e kësaj sfide ishin reth 65 pjesëmarrës dhe e bukura e kësaj ishte se ishin me profile dhe grupmosha nga më të ndryshmet.

4. Pjesëmarrësit ishin kryesisht programuesё, zhvilluesё aplikacionesh, programesh? A mund të gjejë veten dikush tjetër në këtë konkurs?

Që në fillim të fushatës për promovimin e ngjarjes, nuk kemi caktuar ndonjë target grup të mundshëm. Aktiviteti është i hapur për të gjithë ata që mendojnë se mund të ofrojnë një zgjidhje sa më të mirё apo qoftë edhe ndonjë përmirësim të mundshëm nëse ai produkt apo ajo zgjidhje ekziston.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

5. Cili është çmimi për fituesit në nivel lokal? Çfarë ndodh me ta më pas? Do tё vazhdojë mbështetja nga SEEU TechPark?

Për shkak se është njëra ndër pjesët më motivuese për pjesëmarrësit jemi munduar që çmimet të jenë sa më të arsyeshme dhe të shfrytëzueshme. Përveç sendeve, simbolike do t’i quaja, ajo që është më e rëndësishmja është hapësira që ne u ofrojmë për një periudhё prej 6 muajve, si faze inkubimi, ku në rast se ideja/zgjidhja ka potencial komerçializimi, ne mundohemi që t’i ndihmojmë me mentorime, konsultime, qasje në financa dhe me të gjitha shërbimet e mundshme që ne mendojmë se janë të domosdoshme gjatë kësaj periudhe që ideja të transformohet në një biznes real dhe profitabël.

6. Mund të besojmë se do të zbulohet nga Tetova, Prishtina apo Tirana një inovacion që do të kthehet në realitet në vitet që do vijnë? Diçka që bën ndryshim në botë?

Të them të drejtën, talenti dhe kreativiteti nuk kanë munguar asnjëherë në këto hapësira, por pikёrisht ka ndodhur e kundërta, kanë munguar institucione që mundësojnë krijimin e një eko-sistemi i cili është shumë i domosdoshëm gjatë procesit të lindjes të një ideje të re.

7. Gjykoni se ka potencial zhvilimi inovacioni te të rinjtë shqiptarë? Çfarë mund të bëhet më shumë në këtë drejtim?

Ashtu siç e ceka më lart, potencial dhe kreativitet ka, por ka mungesë institucionesh. Unë mendoj dhe besoj se zgjidhja e kësaj do të ishte mundësia e krijimit të një komuniteti të Parqeve Teknologjike, Qendrave Kërkimore, atyre të Inovacionit dhe Universiteteve ku nëpërmjet të cilave ndërmarrësit e rinj dhe inovatorët do t’i kthenin këto ide dhe përmirësime në veprime dhe produkte reale.

8. Cili është aktiviteti i rradhës në SEEU TechPark? Cilët do të jenë të ftuarit e ardhshëm?

Aktivitetet jane të shumtë, por mund t’ju siguroj se çdo ditё, mundohemi që nëpërmjet aktiviteteve të ngjashme, të stimulojmë sa më shumë të rinjtë dhe t’i mbështesim hap pas hapi gjatë realizimit të ëndrrës së tyre.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 33 të numrit 10 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 10 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0