Albanian ICT Awards shpalli fituesit e edicionit të pestë jubilar të garës shpërblyese në teknologji - Business Magazine Albania

Albanian ICT Awards shpalli fituesit e edicionit të pestë jubilar të garës shpërblyese në teknologji


Mbrëmja Gala mblodhi pjesëmarrës dhe të ftuar special nga bota e ICT-së, biznesit, akademisë, administratës publike, shoqërisë civile dhe medias.

“Sot finalizojmë përpjekjet disa mujore në identifikim të talenteve dhe inovatorëve në fushën e teknologjisë për vitin e pestë me radhë,” u shpreh bashkëthemeluesi i ICT Awards, Kushtrim Shala.

Një vëmendje të veçantë i kushtuan këtij aktiviteti me pjesëmarrjen e tyre zëvendës Kryeministri z. Niko Peleshi, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore z. Eduard Shalsi, Ministrja e Ekonomisë zj. Milva Ekonomi, profesorë, akademikë dhe ekspertë të fushës së teknologjisë së informacionit.

Kryetarja e Jurisë së edicionit të pestë, Mirlinda Karçanaj u shpreh se “në pesë vite eksperiencë Albanian ICT Awards është shndërruar në një element transformues për sektorin e teknologjisë në Shqipëri.”

Edicioni i këtij viti solli shpërblime, çmime dhe mirënjohje për tetë kategori. Mes emocionesh dhe surprizash mbi 50 kandidatë pritën shpalljen e fituesve për secilën kategori. Albanian ICT Awards është shndërruar një traditë tashmë disa vjeçare e shtëpisë botuese ICTSmedia.

“Unë besoj se nëse ka një shans për vendin tonë për të kapur një kohë të humbur, ky shans është nxitja e inovacionit dhe zhvillimi i teknologjisë. Albanian ICT Awards në pesë vite ekzistencë ka ditur të shkruajë histori suksesi dhe inovacioni në teknologji,” tha zëvendës Kryeministri Niko Peleshi në fjalën e tij të rastit.

Gjithashtu nderuan me pjesëmarrjen e tyre fitues të edicioneve të kaluara si Prof. Dr. Blerim Rexha, Muhedin Nushi, Genti Selenica, Kelvin Çobanaj, Bleart Këpuska, Elio Qoshi dhe Todi Thanasi.

Çmimi ICT Inovacioni i Vitit shkoi për projektin HelloLabinot dhe Mimoza Bytyqit, të cilët konkurruan në finale me Alban Kosovën me projektin Buy to America dhe Endri Berhamin me Online ECR.

ICT Akademiku i Vitit në edicionin e pestë të Albanian ICT Awards u shpall Prof. Dr. Lule Ahmedi, profesore e asociuar në Universitetin e Prishtinës pranë Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.

Mobiliteti i Vitit në Albanian ICT Awards V ishte projekti Softmogul i Albi Zhulalit, një platformë e lëvizshme në menaxhimin e hoteleve, e cila trimfoi përballë Bunk’Art dhe e-Mjeshtrit.

“Iris Recognition” zhvilluar nga Albana Roçi, si një nga degët e Biometrikës e cila trajton teknologjinë e identifikimit të personave duke u bazuar në tiparet fiziologjike të individit u shpall projekti fitues në kategorinë ICT Diploma e Vitit.

Zëvendës Kryeministri Niko Peleshi dha çmimin ICT Ylli në Ngritje i Vitit për tre të rinjtë e akademisë jCoders Loran Pllana, Raesa Nikshiqi dhe Penda Smajlaj.

Femra në ICT ishte një prej kategorive më premtuese të këtij edicioni, një çmim i cili këtë vit i takoi themelueses së Girls Coding Kosova, Blerta Thaçi. Finalistë në këtë kategori ishin Vildane Kelmendi dhe Iris dhe Dea Gjinovci.

Në kategorinë ICT Shërbimi Publik i Vitit garuan gjashtë shërbime nga Shqipëria dhe Kosova. Çmimi i parë shkoi për Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me projektin “51 Shërbimet e ZRPP-së” ndërsa i dyti për Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore me projektin “Barnatari”.

ICT Siguria Kibernetike, pati pesë konkurrentë të moshave të reja me pasion të zjarrtë për sigurinë në internet. E ndarë në dy nënkategori, Cyber Security Project shkoi për Drinor Selmanaj dhe Cyber Security Professional për Rio Sherrin. Kandidatë të tjerë ishin: Besart Abazi, Kastriot Fetahaj dhe Arbnor Feta.

Organizatorët e garës shpërndanë mirënjohje për Martin Mytaberi, Open Data Kosovo, Prof. Dr. Agni Dika, Samir Maliqi, Jasir Idriz, Innovation Centre Kosovo, Innovation Hub Tirana, Altin Petre, Visar Jasiqi, Enkelejd Zotaj dhe Mentar Mahmudi, për arritjet dhe kontributin e dhënë në këtë sektor.

Rrugëtimi i Albanian ICT Awards

Gara mbarëkombëtare e shpërblimeve në fushën e teknologjisë dhe informacionit hapi siparin më 27 Janar në Tiranë.

106 aplikime të kualifikuara mbërritën pranë organizatorëve të garës përgjatë periudhës 1 – 31 Mars nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore dhe Diaspora.

Hapja e garës i parapriu 20 takimeve të mbajtura në kuadër të edicionit të pestë në kërkim të identifikimit dhe promovimit të inovatorëve, profesionistëve, akademikëve, entuziastëve dhe udhëheqësve të suksesshëm në fushën e teknologjisë dhe informacionit.

Të gjithë ata që u ngjitën në skenën e edicionit të pestë të Albanian ICT Awards janë model për të gjithë të rinjtë në Shqipëri sepse ky brez shqiptar nuk ka asnjë dallim nga asnjë brez të rinjsh në çdo cep të botës, dhe kjo falë teknologjisë.

Prej pesë vitesh, juria profesionale e Albanian ICT Awards ka vlerësuar mbi 400 projekte të ndryshme individuale apo institucionale në fushën e teknologjisë dhe informacionit duke tërhequr vëmendjen e aktorëve të rëndësishëm shqiptarë por edhe ndërkombëtarë.

Organizuar nga shtëpia botuese ICTSmedia, Albanian ICT Awards u vlerësua me çmimin Bleta e Artë 2016 në Kategorinë ICT për kontributin e çmuar në drejtim të promovimit të sipërmarrjes dhe zhvillimit në këtë sektor dhe me Mirënjohje nga Universiteti i Prishtinës.

Me mbështetjen çmuar të Fondacionit Dritan Hoxha, Bankës Raiffeisen, Albsoft, Vodafone, Albvision dhe Digitalb, prej vitesh kjo garë ka dhënë kontributin e saj në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të Shqipërisë drejt revolucionit të katërt industrial.

Rreth Albanian ICT Awards

Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së. Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze nga një juri e përbërë nga figura të shquara të komunitetit ICT në vend, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese lider në botimet mediatike në fushën e Teknologjisë, Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë. Këtë vit prezanton edicionin e 5-të vjetor kombëtarë të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards V.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0